TË REZISTOSH PËRMES POEZISË
Prof. dr. Blerim Latifi
Fjala e hapjes në festivalin ndërkombëtar të poezisë “Drini poetik”, Prishtinë-Prizren-Kukës, 9-10.6.2018
Kur u vendos që këtë vit Festivali ndërkombëtar i poezisë “Drini poetik” të mbahej nën patronazhin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, nuk u mendua thjesht ideja që të përkrahej një ngjarje kulturore, në mesin e shumë të tjerave që zhvillohen në vendin tonë.
Ideja themelore ishte se shteti i Kosovës duhet të fillojë seriozisht zhvillimin e një qasjeje të re në raport me kulturën, qasje e cila nuk e shikon kulturën si dimension margjinal të shoqërisë, por si një dimension shumë të rëndësishëm e të domosdoshëm të saj.
Ky është një festival i poezisë, e cila, për Hegelin, është arti më universal i shpirtit njerëzor. Qysh nga sentenca e famshme e Adornos, e thënë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore se pas Aushvicit më nuk mund të shkruhen poezi, e deri me sot, debati për dobinë sociale dhe morale të poezisë nuk ka reshtur. Pasuesit e Adornos janë të shumtë. Të shumtë janë edhe kundërshtarët e tij. Adornon e mllefoste fakti se shpirti poetik dhe kultura e lartë evropiane nuk ia kishin dalë t’i ndalojnë ose, së paku, t’u rezistojnë barbarive të Luftës së Dytë Botërore. Humanizmi poetik ishte treguar i pafuqishëm përballë kasaphanave të kësaj lufte.
Në anën tjetër, kritikët e Adornos theksojnë se nga poezia nuk është dashur të pritet të bëjë gardianin e rendit moral në botë. Ata thonë se shpëtimi i botës me anë të poezisë është vetëm një ide iluzore e romantikëve të hershëm. Poezia nuk ka misione etiko-politike, e rëndësia e vetme e saj qëndron në të qenit “mënyra më e bukur dhe më mbresëlënëse e thënies së gjërave”, siç e përkufizon Matthew Arnold. Asgjë më shumë.
Si paraqitet gjendja sot?
A na duhet poezia në një rol përtej atij që ia përcakton Arnoldi? A kemi nevojë që poezia të marrë përsipër ndonjë lloj misioni?
Të shumtë janë ata që në mënyrë pohuese përgjigjen në këto pyetje. Shumë të tjerë tërheqin vërejtjen se këto pyetje përmbajnë rrezikun e përsëritjes së iluzioneve të utopisë romantike.
Sot ne jetojmë në epokën e medieve sociale, në epokën digjitale. Interneti e ka eklipsuar botën e librit fizik. Bibliotekat gutenbergiane janë duke zënë myk e pluhur dhe futurologët thonë se i njëjti eklipsim do t’i ndodhë shpejt edhe televizionit. Hapësira globale e komunikimit e krijuar nga interneti shfaqet pa kufizime dhe pa standarde. Ajo i ngjan gjendjes natyrore të Hobsit, ku secili mund të bëjë e të thotë çfarë të dojë e çfarë të mundet. Si rezultat, është krijuar ajo që shumë studiues e quajnë “barbari digjitale”, e cila, para së gjithash, është barbari e shprehjes gjuhësore. Ajo ka rrënuar etikën e shkrimit, të publikimit dhe të adresimit. Të pasionuarit pas lajmeve mortore do të mund ta përshkruanin këtë gjendje si fundin e epokës së redaktorit.
Dominimi i kësaj barbarie digjitale në mediet sociale është aq i qartë dhe kjo më se miri shihet në mungesën e asaj që do të mund të quhej “ndërgjegje gramatikore”.
“Porsa barbarët të jenë këtu, ata do të bëjnë ligjërimin”
Ndërgjegje gramatikore do të thotë të turpërohesh nga gabimet drejtshkrimore. Sot të paktë janë ata që e kanë këtë ndjenjë turpi. Mund të jesh deputet në Kuvendin e Kosovës a profesor universiteti, të bësh një deklaratë në facebook me njëqind gabime drejtshkrimore dhe të mos ndihesh fare keq për këtë gjë. A nuk është kjo një simptomë kosovare e krizës së iluminizmit?
Umberto Eko, pak muaj para vdekjes, do të shprehej se mediet sociale u kanë dhënë të drejtën e fjalës budallenjve. Njëherë e një kohë ata flisnin vetëm në kafene; komunitetin nuk mund ta dëmtonin, ngase budallallëqet e tyre nuk e kalonin pragun e kafeneve. Tani kanë të njëjtën të drejtë fjale me një fitues të çmimit Nobël dhe kjo, thotë Ekoja, është invazion i budallenjve.
Një variant digjital i invazionit të barbarëve. Në poezinë e famshme “Duke pritur barbarët” të Kavafisit, është një varg që nga pikëpamja e sotme duket profetik: “Porsa barbarët të jenë këtu, ata do të bëjnë ligjërimin”. Ajo që sot po i ngjet komunikimit në mediat sociale është përmbushje e këtij vargu.
Në këtë kontekst, të shkruash poezi sot, ta duash poezinë sot, ta lexosh poezinë sot, do të thotë t’i bësh rezistencë këtij invazioni digjital të barbarëve gjuhësorë. Kuptohet, këtë rezistencë mund ta bëjë vetëm poezia e mirë. Pesimisti Adorno do të na thoshte se jemi të destinuar ta humbim këtë betejë, por kemi plotësisht të drejtë të shpresojmë në të kundërtën, sepse askund nuk është i paravendosur fataliteti i betejave e as triumfi i ferrit gjuhësor të medieve sociale.
Prandaj, koha është për rezistencë, koha është për më shumë poezi, për më shumë art në jetën dhe shoqërinë tonë.
P. s.
Prof. dr. Blerin Latifi është këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli, kurse në mungesë të Kryetarit mbajti këtë fjalë rasti.