STATUTI I LIDHJES SË SHKRIMTARËVE TË KOSOVËS

 

I. Dispozitat e themelore

 

Neni  1

Me këtë Statut përcaktohen organizimi dhe veprimtaria e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

 

Neni  2

Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës është subjekt kulturor i Republikës së Kosovës, i formuar me vullnetin e lirë të shkrimtarëve.

 

Neni  3

Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës ka statusin e subjektit juridik joprofitabël.

 

II. IDENTITETI

 

Neni  4

Emërtimi i plotë i subjektit është Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, ndërsa shkurtesa LSHK / në tekstin e mëtejmë/

 

Neni  5

Selia e LSHK-së është në Prishtinë, rruga __________________ , nr. __

 

Neni  6

Emblemë e LSHK-së është Vepra e hapur.

 

Neni  7

Vula e rrumbullakët përmban emërtimin e selinë, shqip e anglisht.

Vula e protokollimit përmban emërtimin dhe vendin e zbrazët për numrin e datën.

 

Neni  8

LSHK ka organin e vet – revistën letrare mujore  Metafora  dhe faqen e vet në rrjetin e internetit.

 

Neni  9

LKSH ka xhirollogarinë e vet bankare.

 

III. ANËTARËSIA

 

Neni  10

LSHK-në e përbëjnë të gjithë anëtarët e saj, të bashkuar me vullnetin e lirë të tyre.

Anëtar i LSHK-së mund të jetë çdo shkrimtar, që ka botuar dy vepra me vlerë letrare.

Vepër letrare është proza artistike, vepra poetike, dramaturgjike, kritike, historiografike dhe publicistike letrare.

 

Nëni  11

Anëtarësimi në LSHK bëhet me kërkesën individuale të shkrimtarit ose me propozimin e anëtarëve të tjerë të LSHK-së.

Pranimin e anëtarëve të rinj e bën Kryesia e LSHK-së, me vlerësimin e Komisionit për anëtarësi, e cila njofton Kuvendin për këtë vendim.

Kandidati i refuzuar mund t’i ankohet Kuvendit në afatin njëmujor pas marrjes së vendimit për refuzim. Ankesa bëhet nëpërmjet Komisionit për anëtarësi.

 

Neni  12

Anëtari ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet në organet drejtuese të LSHK-së, të marrë pjesë në manifestime letrare, të  botojë punime e veprat letrare dhe të gëzojë mbrojtjen e të drejtave të shkrimtarit.

 

Neni  13

Anëtari është i obliguar të respektojë aktet normative, të marrë pjesë në veprimtarinë e LSHK-së dhe të paguajë rregullisht anëtarësinë.

Anëtari ka librezën e anëtarësisë dhe paguan  10 euro kuatizacion në fillim të çdo viti.

Anëtari është i obliguar të dorëzojë në seli nga tri kopje të veprës së botuar letrare.

 

Neni  14

Anëtarësimi në LSHK ndërpritet me vullnetin individual të anëtarit ose me largimin e tij në rast të shkeljes së akteve normative dhe dëmeve morale e materiale që i bën LSHK-së.

 

Neni  15

Anëtari që braktis LSHK-në duhet ta njoftojë me shkrim Komisionin për anëtarësi.

Anëtari që nuk merr pjesë një vit në veprimtarinë e LSHK-së dhe nuk paguan anëtarësinë konsiderohet se e ka braktisur atë dhe fshihet nga anëtarësia.

 

Neni  16

Para largimit të anëtarit nga LSHK-ja, atij i tërhiqet vërejtja me shkrim nga Komisioni për anëtarësi.

Për largimin e anëtarit vendos Kryesia, me propozimin e Komisionit për anëtarësi.

Anëtari i larguar mund t’i ankohet Kuvendit në afatin njëmujor pas vendimit për largim. Ankesa bëhet nëpërmjet Komisionit për anëtarësi.

 

Neni  17

Anëtarët e LSHK-së mund të organizohen në degë nëpër qendra komunale dhe në diasporë.

Dega duhet të ketë së paku 10 anëtarë të LSHK-së.

Për formimin e degës vendos Kryesia, me kërkesën e anëtarëve të  LSHK-së, që dëshirojnë formimin e degës.

 

Neni  18

Anëtar nderi  i LSHK-së mund të jetë ndonjë shkrimtar i shquar kombëtar a ndërkombëtar, personalitet i kulturës ose person që ka ndihmuar veprimtarinë e saj.

Anëtarin e nderit e zgjedh Kryesia, ndërsa e shpall Kuvendi i LSHK-së.

 

IV. VEPRIMTARIA

 

Neni  19

LSHK zhvillon veprimtarinë letrare në bazë të Programit, Statutit dhe rregulloreve të punës në këto fusha:

Manifestime letrare e botuese.

Komunikim estetik me opinionin letrar.

Vlerësim kritik i veprave letrare.

Stimulim i krijimtarisë letrare.

Kultivim i vetëdijes artistike, kritike e demokratike.

Kultivim i letërsisë dhe i gjuhës letrare shqipe.

Afirmim i letërsisë shqipe në botë.

Mbrojtje e veprës letrare dhe e të drejtave autoriale, morale, materiale e sociale të shkrimtarit.

Konsultim në hartimin e ligjeve për artin e kulturën dhe për programet e tekstet shkollore të letërsisë.

Reagim ndaj dukurive kulturore e shoqërore.

Bashkëpunim krijues me asociacionet letrare kombëtare e ndërkombëtare.

 

Neni  20

LSHK zhvillon veprimtarinë botuese të veprave letrare, të  revistës letrare mujore Metafora  dhe të  faqes në rrjetin e internetit.

Veprimtaria botuese zhvillohet nga Redaksia e botimeve dhe  Redaksia e revistës letrare.

Redaksitë kanë nga një kryeredaktor dhe dy redaktorë, të cilët i emëron e shkarkon Kryesia, me mandat 4-vjeçar.

Redaksitë i përgjigjen Kryesisë për vlerësimin artistik e estetik të botimeve letrare.

 

Neni  21

LSHK organizon këto manifestime letrare vjetore:

festivali ndërkombëtar Drini poetik,

takimi letrar Esad Mekuli  dhe

sesione, tryeza, orë, ligjërata, përurime e përvjetorë letrarë.

Organizimin e manifestimeve letrare e bën Kryesia, e cila cakton referuesit dhe pjesëmarrësit e tjerë.

 

Neni  22

Për stimulimin e afirmimin e krijimtarisë letrare LSHK jep këto çmime letrare vjetore:

çmimi  Pjetër Bogdani për veprën më të mirë letrare gjatë vitit,

çmimi Esad Mekuli  për krijimtarinë e përgjithshme letrare të shkrimtarit,

çmimi Metafora i festivalit Drini poetik,

çmimi i Konkursit letrar dhe çmime të tjera të manifestimeve.

Për dhënien e çmimeve letrare Kryesia cakton  juri të veçanta letrare,  vlerësimi me shkrim i të cilave miratohet nga Kryesia e LSHK-së.

Juritë letrare kanë nga 3 anëtarë, që duhet të jenë nga shkrimtarë të ndryshëm.

 

Neni  23

Degët e LSHK-së  bashkëpunojnë  me institucionet e kulturës në organizimin e manifestimeve letrare komunale.

 

Neni  24

Veprimtaria e LSHK-së është e hapur për opinionin publik.

LSHK kumunikon nëpërmjet deklaratave, kumtesave, konferencave të shtypit etj.

 

V. ORGANET

 

Neni  25

Organe të LSHK-së janë Kuvendi, Kryetari, Kryesia dhe Këshilli mbikëqyrës.

 

Neni  26

Organet zgjidhen me votim të fshehtë nga Kuvendi i LSHK-së dhe i përgjigjen atij.

Anëtari i LSHK-së mund të jetë anëtar vetëm i një organi drejtues.

Mandati i organeve është 4 vjet, me mundësi edhe të një rizgjedhjeje.

 

Neni  27

Organi mund t’i zhvillojë punimet kur janë të pranishëm shumica e anëtarëve të tij /mbi gjysma/.

Anëtari i organit gëzon të drejtën e diskutimit, të votimit, të abstenimit ose të dorëheqjes nga organi.

Ai gëzon të drejtën e kompensimit material për mbledhjet e punët e kryera.

Vendimi  i organit merret me shumicë votash të anëtarëve të pranishëm.

 

Neni  28

Në rast të dorëheqjes ose pezullimit të anëtarit të organit, atë e zëvendëson kandidati vijues në listën zgjedhore deri në Kuvendin e ardhshëm.

Nëse organi mbetet pa shumicën e anëtarëve, Kuvendi zgjedh organin e ri me mandat deri në Kuvendin e ardhshëm zgjedhor.

 

Neni  29

KUVENDI është organi më i lartë i vendosjes i LSHK-së.

Kuvendin e përbëjnë të gjithë anëtarët e LSHK-së.

Kuvendin e thërret Kryetari, me vendimin e Kryesisë.

Kuvendi është zgjedhor, vjetor ose i jashtëzakonshëm.

Kuvendi zgjedhor mbahet në çdo katër vjet, ndërsa Kuvendi vjetor një herë në vit.

Kuvendi i jashtëzakonshëm mund të thirret me vendimin e Kryesisë ose me kërkesën e Këshillit mbikëqyrës dhe të shumicës së anëtarësisë.

Nëse Kryesia nuk e thërret Kuvendin e jashtëzakonshëm brenda afatit njëmujor pas parashtrimit të kërkesës, Këshilli mbikëqyrës ose shumica e  anëtarësisë mund ta thërrasin Kuvendin e jashtëzakonshëm.

Kuvendi i jashtëzakonshëm vepron sikur kuvendet e tjera të LSHK-së.

 

Neni  30

Kuvendi miraton e ndryshon Programin, Statutin, Rregulloren e punës të organeve dhe Rregulloren financiare të LSHK-së.

Kuvendi zgjedh e shkarkon Kryetarin, Kryesinë dhe Këshillin mbikëqyrës.

Kuvendi miraton programin e punës, planin financiar, raportin vjetor të punës dhe raportin vjetor financiar.

Kuvendi merr vendime të rëndësishme për veprimtarinë e LSHK-së.

Kuvendi shpall anëtarin e nderit, me vendimin e Kryesisë.

Kuvendi njoftohet për pranimin e anëtarëve të rinj dhe largimin e anëtarëve të vjetër.

Kuvendi vendos për ankesat e anëtarësisë.

Kuvendi vendos për shuarjen e LSHK-së dhe për pasurinë e saj.

 

Neni  31

Kuvendi zgjedh Komisionin statutar dhe të akteve normative të LSHK-së, me mandat 4-vjeçar.

Ky komision bën interpretimin e akteve të LSHK-së brenda dy kuvendeve zgjedhore, si dhe ndryshimin e plotësimin e akteve me kërkesën e organeve të LSHK-së, të cilat i miraton Kuvendi.

Komisioni statutar ka 3 anëtarë, nga radhët e të cilit zgjidhet kryetari i komisionit.

 

Neni  32

KRYETARI  është organ përfaqësues i LSHK-së, i cili zgjidhet me votim të fshehtë nga Kuvendi, me mandat 4-vjeçar.

Për nga funksioni, ai është edhe kryetar i Kuvendit dhe i Kryesisë.

Kryetari ose nënkryetari thërrasin e udhëheqin mbledhjet e Kryesisë.

Kryetari thërret Kuvendin, me vendimin e Kryesisë.

Kryetari nënshkruan  e zbaton aktet normative, vendimet e organeve dhe kontratat afariste e të punës.

Kryetari realizon kontakte me asociacione e institucione të tjera.

Kryetari i përgjigjet Kuvendit.

Në rast të dorëheqjes së Kryetarit, atë e zëvendëson nënkryetari deri në Kuvendin e ardhshëm.

 

Neni  33

Nënkryetari zgjidhet nga radhët e Kryesisë, me mandat 4-vjeçar.

Nënkryetri ndihmon punët e Kryetarit dhe e zëvendëson atë me të gjitha kompetencat në rast mungese. Ai kryen edhe punë të caktuara me të cilat e ngarkon Kryetari.

 

Neni  34

KRYESIA është organ drejtues i LSHK-së ndërmjet dy kuvendeve zgjedhore.

Kryesia ka 10 anëtarë, nga radhët e të cilëve zgjidhet nënkryetari i LSHK-së.

Kryesia drejton veprimtarinë e përgjithshme dhe zbaton vendimet e Kuvendit të LSHK-së.

 

Neni  35

Kryesia profilizon veprimtarinë në sektorë të caktuar dhe komisione të punës.

Kryesia vlerëson e miraton programet e manifestimeve, botimeve dhe çmimet letrare.

Kryesia cakton juritë letrare dhe referuesit në manifestime letrare.

Kryesia emëron e shkarkon përgjegjësit e sektorëve, kryeredaktorët e redaktorët e revistës e të botimeve, sekretarin administrativ dhe cakton punëtorët e tjerë me kontratë.

Kryesia vendos për shqipërimin e ndonjë vepre letrare ose për përkthimin  e veprës letrare shqipe në gjuhë të huaja.

 

Neni  36

Kryesia vendos për thirrjen e Kuvendit vjetor, zgjedhor e të jashtëzakonshëm dhe cakton rendin e ditës të Kuvendit.

Kryesia bën pranimin e anëtarëve të rinj dhe largimin e anëtarëve të tjerë, me propozimin e Komisionit për anëtarësi.

Kryesia pranon anëtarin e nderit dhe vendos për formimin e degëve të LSHK-së.

Kryesia i paraqet Kuvendit programin e raportin e punës dhe raportin financiar.

Kryesia vendos për ndihmë anëtarit  të LSHK-së në raste të veçanta.

Kryesia vendos për kontakte e bashkëpunim me asociacionet e tjera

dhe cakton delegacionet e LSHK-së.

 

Neni  37

Kryesia cakton Komisionin për anëtarësi dhe Komisionin për mbrojtjen e të drejtave të shkrimtarit, me mandat 4-vjeçar.

Komisioni për anëtarësi verifikon dhe propozon pranimin e largimin e anëtarëve të LSHK-së.

Komisioni për mbrojtjen e të drejtave të shkrimtarit mbron të drejtat e tij autoriale, morale, materiale e sociale.

Këto komisione kanë nga tre anëtarë, njëri nga të cilët kryetar nga radhët e Kryesisë.

 

Neni  38

Kryesia mund të pezullojë anëtarin e vet në rast të moszbatimit të vendimeve të saj dhe për mungesa të paarsyeshme në mbledhje.

Në rast të dorëheqjes ose pezullimit të anëtarit të Kryesisë, në vend të tij vjen kandidati vijues në listën zgjedhore deri në Kuvendin e ardhshëm.

Për të dyja rastet vendos Kuvendi.

Kryesia mund ta ndërrojë edhe nënkryetarin, për shkak të shkeljes së dispozitave statutare dhe për moszbatim të vendimeve të Kryesisë e të Kuvendit.

 

Neni  39

Kryetari, Kryesia e anëtarë të saj mund të shkarkohen edhe para kalimit të mandatit kur nuk zbatojnë vendimet e Kuvendit, kur nuk paraqesin raportet e punës dhe në rast të shkeljes së dispozitave statutare e të rregulloreve të LSHK-së.

Shkarkimin e bën Kuvendi vjetor ose i jashtëzakonshëm, që thirret me vendimin e Kryesisë, ose me kërkesën e Këshillit mbikëqyrës dhe të shumicës së anëtarësisë.

Votëbesimi shprehet me deklarimin për ose kundër shkarkimit.

Në rast të votëbesimit të humbur, Kuvendi zgjedh me votim të fshehtë Kryetarin e ri, anëtarët ose Kryesinë e re me mandat deri në Kuvendin e ardhshëm zgjedhor.

 

Neni  40

KËSHILLI MBIKËQYRËS  përbëhet nga 3 anëtarë, nga radhët e të cilit zgjidhet kryetari i tij.

Anëtari i Këshillit mbikëqyrës nuk mund të jetë anëtar i Kryesisë.

Këshilli  mbikëqyr zbatimin e drejtë të akteve normative dhe zbatimin e vendimeve të Kuvendit dhe të Kryesisë.

Këshilli kontrollon shpenzimet financiare.

Këshilli mund të thërrasë Kuvendin e  jashtëzakonshëm, në rastet kur nuk e thërret Kryesia.

Këshilli i raporton Kuvendit.

 

Neni  41

DEGËT janë përfaqësi të LSHK-së, që organizojnë jetën letrare në qendra të caktuara dhe në diasporë.

Degët janë pjesë përbërëse e të pandashme të LSHK-së dhe nuk kanë statusin e subjektit juridik.

Degët zbatojnë vendimet e organeve të LSHK-së dhe u përgjigjen atyre.

Për formimin ose shuarjen e degës vendos Kryesia, me kërkesën e anëtarëve të interesuar të LSHK-së.

 

Neni 42

Dega ka së paku 10 anëtarë të LSHK-së.

Dega udhëhiqet nga kryetari e sekretari, që zgjidhen me votim të fshehtë në tubimin e degës me mandat 4-vjeçar.

Degët në diasporë krijojnë kontaktin e LSHK-së me asociacionet e atjeshme letrare dhe ndihmojnë në përkthimin e prezantimin e letërsisë shqipe.

Degët bashkëpunojnë me drejtoritë komunale të kulturës në organizimin e manifestimeve letrare e kulturore

 

VI. FINANCIMI

 

Neni  43

Veprimtaria e LSHK-së financohet nga dotacioni vjetor i Ministrisë së Kulturës, nga donacione të ndryshme, sponsorët dhe nga veprimtaria botuese e anëtarësia.

Shuma e mjeteve të dotacionit shtetëror caktohet për çdo vit në bazë të programit të punës të LSHK-së.

 

Neni  44

LSHK financon botimet, çmimet e manifestimet letrare.

Afarizmi financiar i LSHK-së është joprofitabël.

Mjetet financiare shpenzohen vetëm për veprimtarinë e LSHK-së.

 

Neni  45

Të gjitha punët e kryera në LSHK kompensohen materialisht në bazë të Rregullores financiare. Pagesa bëhet kryesisht nëpërmjet xhirollogarisë,

me urdhëresë të personit të autorizuar.

Në rastet e veçanta kur pagesa bëhet me faturë, ajo duhet të përmbajë destinimin dhe nënshkrimet e dhënësit e të marrësit, identitetin e tyre dhe vulën e LSHK-së.

Çdo keqpërdorim i mjeteve financiare ndiqet sipas ligjit dhe këtij Statuti.

 

Neni  46

Për kryerjen e punëve të rregullta në selinë e LSHK-së sigurohen paga

mujore për kryetarin, nënkryetarin dhe sekretarin administrativ  të LSHK-së. Ata nuk paguhen për takime të organeve, kontakte zyrtare dhe organizim të manifestimeve, përveçse udhëtimeve zyrtare dhe punimeve letrare të botuara ose të lexuara.

 

Neni  47

Kryesia lidh kontrata të punës me kryeredaktorët e botimeve dhe me personelin e Sekretarisë.

 

Neni  48

Anëtari i LSHK-së mund të ndihmohet materialisht në raste të veçanta, për të cilat vendos Kryesia.

 

Neni  49

Degët e LSHK-së financohen nga drejtoritë komunale të kulturës në bazë të programit të punës, të cilat duhet të sigurojnë edhe kushtet e punës.

Degët në diasporë financohen nga anëtarësia dhe kontributet e tjera.

 

Neni  50

LSHK ka të drejtën e sigurimit të kushteve të punës dhe të drejtën për pronë të luajtshme dhe të paluajtshme.

Për obligimet e veta ligjore ajo përgjigjet me tërë pasurinë e saj.

 

VII. SEKRETARIA

 

Neni  51

LSHK duhet të ketë Sekretarinë për kryerjen e punëve administrative dhe financiare.

Sekretaria përbëhet nga sekretari administrativ, kontabilisti, desktoperi, bibliotekari, shoferi dhe pastruesi.

Sekretarinë e udhëheq sekretari administrativ.

 

Neni  52

SEKRETARI administrativ përfaqëson LSHK-në në çështjet pronësore-juridike.

Organizon punën efikase të Sekretarisë dhe kujdeset për ligjshmërinë e punës të LSHK-së.

Sekretari administrativ bën organizimin e takimeve të organeve të LSHK-së, të manifestimeve letrare e të kontakteve me asociacionet e tjera dhe bashkërendit veprimtarinë e degëve të LSHK-së.

Ai i përgjigjet Kryesisë për punën e vet dhe të Sekretarisë.

 

Neni  53

Sekretarin administrativ e emëron Kryesia nga radhët e anëtarësisë së LSHK-së.

Sekretari administrativ duhet të ketë kryer fakultetin juridik, të ketë aftësi organizuese dhe të njohë gjuhën angleze.

 

Neni  54

Personeli i Sekretarisë duhet të ketë përgatitjen përkatëse shkollore.

Përparësi për kryerjen e punëve të Sekretarisë kanë anëtarët e LSHK-së.

 

VIII. Dispozitat përfundimtare

 

Neni  55

Interpretimin e Statutit mes dy kuvendeve e  bën Komisioni statutar, ndërsa interpretimin përfundimtar e bën Kuvendi.

 

Neni  56

LSHK mund të shuajë veprimtarinë vetëm me vendimin e Kuvendit, i cili vendos edhe për pasurinë e saj.

 

Neni  57

Ndryshimet e këtij Statuti mund të bëhen sipas procedurës së miratimit të tij.

 

Neni  58

Me miratimin e këtij Statuti, suprimohet Statuti i mëparshëm i LSHK-së i vitit 2000.

 

Neni  59

Ky Statut hyn në fuqi ditën e miratimit nga Kuvendi i LSHK-së.

 

 

 

 

Prishtinë, më 29 maj 2009                                                      Kryetari i Kuvendit,

                                                                                                     Adem DEMAÇI

                                                                                                     ______________________