NDJENJA E DASHURISË DHE E MALLIT

Në Durrës u shënua 70-vjetori i shkrimtarit Vladimir Muça me përurimin e dy veprave të tij të reja. Folën studiues dhe kolegë të shkrimtarit…

 

Vladimir Muça, “Pegasiane”, poezi, Tiranë, 2017.

Prof. dr. Shyqri Galica

Shkrimtari Vladimir Muça tashmë ka krijuar individualitetin e tij krijues duke dëshmuar edhe me veprën e tij të fundit, “Pegasiane”, në të cilën ka konceptuar realitetin jetësor e artistik nga një kënd i mëvetësishëm, me situata aktuale që shquajnë prirjen krijuese për të artikuluar tërë kompleksitetin e jetës sonë në dimensionin vertikal e horizontal.
Vepra poetike “Pegasiane”, që nënkupton frymëzimin poetik, shpërfaq botën e pasur të autorit me motive e tema të larmishme, me situata e qasje që gjithsesi shquajnë botën komplekse të Muçës, që arrin të depërtojë aq thellë në psikologjinë e njeriut tonë; ta përvetësojë dhe ta provokojë artistikisht receptuesin, i cili do të gjejë një përkushtim të veçantë të autorit për të jetuar me realitetin dhe artin poetik.
Në vargun e tij është jeta shqiptare, është jeta jonë me dramat e përditshme dhe me shqetësimet e poetit, të cilat arrin t’i konceptojë në mënyrë spontane, t’i shtrijë në varg me një lirizëm që të bën për vete dhe të cytë në kërkime të mëtutjeshme. Poezia e Muçës nis nga përjetime vetjake dhe shtrihet tejetej botës sonë, jetës sonë, synimeve e pësimeve që ia del t’u qaset prajshëm duke zënë pa dyshim pikat nevralgjike të njeriut tonë, të cilin e portretizon si një artist me penelata piktori…
Janë këto disa mbresa nga vargjet e tij të fundit, të cilat dëshmojnë pjekurinë poetike dhe gjetjet artistike të Vladimir Muçës, që gjithnjë arrin të realizojë kërkesat e synimet poetike në një gjini që kërkon gjithsesi prirjen dhe përkushtimin artistik të autorit.
Përmbledhja e poezive “Pegasiane” ngërthen një spektër të gjerë interesimesh dimensionesh të ndryshme. Mirëpo, një pe që e përshkon tejetej këtë vëllim poetik është ndjenja e dashurisë dhe e mallit, ajo që i jep ngjyrë të veçantë lirikës së Muçës…

 

Related Posts