Dita botërore e poezisë – 21 Marsi
Diversiteti gjuhësor ishte objektivi kryesor i UNESKO-s, kur në vitin 1999 mori vendim në Kongresin e saj të 30-të në Paris, për ta shpallur 21 Marsin –Ditë botërore të poezisë. Por ky vendim kishte për qëllim edhe t’ia kthejë kësaj gjinie të letërsisë funksionin e saj të parë, traditën gojore. Kështu, nëpërmjet takimeve letrare e artistike synohen të krijohen lidhje ndërmjet poezisë dhe formave të tjera të artit, si muzika, vallëzimi, piktura, teatri etj., që në një aspekt ndërlidhen në mënyrë imediate.
Dita botërore e poezisë reflekton edhe në nxitjen e një krijimtarie sa më cilësore, sepse arti poetik gjithnjë është konsideruar krijimtari elitare, që pa dyshim kërkon nxitje dhe përkushtim të veçantë. Kjo ditë ishte e pranishme ndër popuj nga viti 1505 dhe është shënuar në periudha të ndryshme të vitit me organizime të llojllojshme, duke pasur qëllim përkrahjen e kësaj gjinie dhe stimulimin e krijimtarisë poetike në përgjithësi.
Me gjithë mendimet e ndryshme për leximin e poezisë, duke pasur parasysh teknologjinë moderne, internetin, mendoj se poezia edhe sot është arti më i lexuar dhe që kultivohet me dashuri e fanatizëm nga shumë poetë anembanë botës. Kësisoj, fjala ka mundësi shumë të gjerë që nga dora e artistit të artikulojë ide dhe ndjenja të nduarnduarshme, ndaj kjo e bën letërsinë, përkatësisht poezinë të jetë arti më i përhapur e më i konceptueshëm për shumë e shumë dashamirë të artit e të letërsisë. Duke shprehur ndjenjat, mendimet, shqetësimet, pasionet e mbresat e tij, poeti arrin të artikulojë motive që kanë të bëjnë me artin, me atdheun, me dhembjen, me pavdekësinë, me lirinë dhe gjithsesi me dashurinë e motive të tjera, që në fakt janë të përjetshme dhe që posaçërisht frymëzojnë krijuesin.
Gjuha e poezisë është specifike, sepse janë specifike edhe mendimet e ndjenjat që i shpreh krijuesi nëpërmjet vargjeve. Në të vërtetë, është diçka e bukur e fisnike që në mënyrë imediate futet në mendje, në zemër e në shpirt të receptuesit, por gjithsesi edhe të krijuesit. Lirika përherë gjen mënyrën për t’iu qasur realitetit, ngase edhe gjërat e rëndomta, ndodhitë dhe mendimet marrin konotacione të reja me një ndërtim të veçantë figurash artistike e mjetesh të tjera stilistike, duke i dhënë ngjyrime e tone tërheqëse krijimit poetik. Elemente të veçanta që shquajnë poezinë janë shkurtësia dhe dendësia, ndërtimi me shije e me mjeshtëri, bota komplekse që ngërthen ajo dhe artikulimi shumëdimensional i saj. Poezia shpreh përvojën e drejtpërdrejtë, atë të çastit dhe vetjake, që në realitet bëhet e përgjithshme dhe shijohet e konoton edhe në rrethana e kohë të tjera.
Lulëzimin e parë të madh poezia lirike e pati në shekullin VII-V para Krishtit në Greqi me poetët e njohur Alke, Safo, Pindar e Arkilok. Vazhdoi me zhvillime të tjera te romakët, pastaj në shek. XII deri XV në Persi me poetë si Sadiu, Omar Khajami etj. Ndërkaq, në shek. XIII shfaqen lirikë të shquar në Itali si Guido Kavalkanti, Cino, Lapo Giani e ku gjejmë dhe të madhin Dante Aligieri. Periudhës së Rilindjes i përkasin emrat e mëdhenj – F. Petrarka në Itali dhe Ronsardi në Francë, pastaj Shekspiri në Angli etj.
Në shek. XVIII kemi një varg poetësh të vendeve të ndryshme që shquhen me vokacionin e tyre, siç do të shohim edhe në shek. XIX poetët modernë me shfaqjen e simbolizmit, përkatësisht me vëllimin poetik “Lulet e së keqes” të Bodlerit dhe me poetë të tjerë pasues.
Letërsia jonë gojore është shumë e pasur me lirika të bukura, që kanë qenë dhe frymëzim jo rrallë për poetët e krijimtarisë artistike, veçanërisht nga shekulli XIX. Janë të njohura krijimet poetike të Naim Frashërit, të Pjetër Zarishit, të Filip Shirokës, të Çajupit, të Asdrenit, të De Radës, të Zef Serembes etj. Në shekullin e kaluar janë shquar emra të tjerë si Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Fan Noli, Ernest Koliqi, Lasgush Poradeci etj. Nga fundi i shekulli XX kanë bërë emër shumë poetë me krijimet e tyre poetike duke mbetur gjithsesi në sfondin më të lexuar e më të kërkuar të artit – Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Bardhyl Londo, Dhori Qiriazi, Visar Zhiti, Esad Mekuli, Ali Podrimja, etj.
Edhe sot kemi mjaft emra që shquhen me krijimet e tyre poetike dhe pa dyshim midisi atyre që dallohen ndodhen edhe ndër ne. Me siguri do të kemi kënaqësinë që vargje të bukura të ndjekim edhe sot, kur po shënojmë 21 Marsin – Ditën botërore të poezisë.
Prof. dr. Shyqri GALICA