Bashkimi si synim inicial i jetës dhe i veprimtarisë së Demaçit
Selatin Novosella, “Demaçi – Njeri i lavdisë”, SHPBPK, Prishtinë, 2017.
Prof. dr. Shyqri Galica
Personaliteti i Adem Demaçit pa asnjë dyshim është i veçantë në një spektër të gjerë trajtimesh e hulumtimesh, një figurë dramatike nga jeta e hershme e tij deri në ditët tona, me ide e pikëpamje tejet të veçanta e mbase ndër më konstruktivet në historinë e kombit shqiptar.
Demaçi sot nuk e ka forcën që e kishte dje, por e ka veprimin më të fuqishëm, pikëpamjet e mendimet përcaktuese të fatit të popullit të tij, kurse vizionin të jashtëzakonshëm. Natyrisht, e ka veprimin më të fuqishëm, sepse idetë e tij tashmë kanë pushtuar jetën shqiptare dhe faktikisht kanë përshkuar katër anët e botës. Të gjitha këto ka arritur t’i masivizojë nëpër vite të rënda pa kursyer asgjë, madje asgjë nga vetja e tij dhe duke u bërë prijës i idesë dhe i veprimit për bashkimin e trojeve shqiptare në një kohë tragjike, një fatkeqësi që do të marrë fund sipas pikëpamjeve të Adem Demaçit.
Mbase në një masë të mirë, nëpërmjet fragmenteve të zgjedhura të autorëve të ndryshëm, në librin “Demaçi – Njeri i lavdisë”, ka arritur ta portretizojë në masë të mirë përzgjedhësi i këtyre mendimeve, Selatin Novosella. Duke ndjekur me shumë kujdes jetën e tij, ai herë pas here ka dalë para publikut me botime e ribotime të ndryshme: “Adem Demaçi në gjykimin e parë – 1958”, “Adem Demaçi në gjykimin e dytë – 1964”, “Adem Demaçi në gjykimin e tretë – 1975”, “Lëvizja revolucionare për bashkimin e shqiptarëve – sipas dokumenteve arikivore”, “Demaçi – metaforë lirie” (mendime dhe vlerësime të rreth 100 vetave për Demaçin), “Demaçi – aromë atdheu” (me poezi të 80 krijuesve të ndryshëm kushtuar Demaçit) dhe “Viti i Adem Demaçit”, botuar me rastin e 80-vjetorit të lindjes ës tij.
Ndërkaq, botimi që kemi në dorë është një përmbledhje me mendime e vlerësime të dyqind personaliteteve të ndryshme, që në të vërtetë është një punë shumë e madhe e autorit që ka bërë për të mbledhur si bleta nektarin vlerat më të mira, mendimet e pikëpamjet e atyre që kanë artikuluar për jetën dhe veprën e atdhetarit, politikanit e shkrimtarit Adem Demaçi. Janë mendime që në libër janë vënë sipas alfabetit, duke mos dalluar nivelin e autorëve, edhe pse janë mendime të autoriteteve më të larta deri te ato të rëndomtat. Në libër nuk janë përfshirë vetëm mendimet e shqiptarëve gjithandej, por edhe të personaliteteve të ndryshme të botës, të cilat për figurën e Adem Demaçit janë shprehur me shumë admirim.
Por duke menduar që ta bënte më të plotë portretin e Adem Demaçit, autori në një kapitull ka dhënë mendime, vlerësime, qëndrime dhe analiza për ngjarje e situata të ndryshme të Demaçit, që janë zhvilluar në mjediset tona. Prandaj, kjo pjesë e bën edhe më interesant librin dhe jep mundësi për të ndjekur shqetësimet dhe synimet që kishte ai në periudha e procese që zhvilloheshin në Kosovë e më gjerë. Gjithashtu në këtë botim janë përfshirë aspekte të shkrimeve të revistave e të gazetave të ndryshme të vendit e të botës.
Në fund, pos burimeve dhe literaturës nga janë vjelë këto mendime, jepet edhe një pasqyrë e çmimeve dhe e mirënjohjeve që ndër vite i ka marrë Demaçi nga struktura të ndryshme shoqërore, politike e letrare.
Pa dyshim, libri “Demaçi – Njeri i lavdisë” i Selatin Novosellës, që e botoi Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, është dhe një kontribut i radhës i autorit dhe gjithsesi një ndihmesë për të vazhduar në kërkimin dhe studimin më të thelluar të jetës dhe të veprës së Adem Demaçit, të njeriut që diti të kërkojë, të artikulojë e të veprojë për dashurinë ndaj atdheut e lirisë, madje në formën që nuk e bëri asnjë i dytë. Mendimi dhe synimi inicial i tij, pra, qe bashkimi i trojeve shqiptare dhe pa dyshim i tillë do të mbetet deri në realizimin e tij.