Ramadan Rexhepi – laureat i çmimit letrar “Esad Mekuli”, 2019

 

Takimi letrar “Esad Mekuli”, 17.12.2019

Çmimi letrar “Esad Mekuli” për krijimtari të përgjithshme të shkrimtarit Ramadan Rexhepi

Ramadan Rexhepi lindi më 6 tetor 1940, në Preshevë. Filloren e mbaroi në vendlindje, normalen në Prishtinës, më 1959. Qysh si normalist, më 1956, do t’i bëjë përpjekjet e para në letërsi.
Në vjeshtën e vitit 1959 punon arsimtar i gjuhës frënge në Preshevë. Ndërkohë fillon të shkruajë skica, rrëfime të shkurtra dhe kapitujt e parë të romanit ”Udhëkryqi”. Pak javë do të punojë si mësues në Caravajkë (Karadak) me shpresë se do të gjente tema për tregimet e tij, por merr urdhër të kthehet në Preshevë dhe atje punon deri në fund të vitit shkollor.
Në pranverën e vitit 1961 mori pjesë me tregimet ”Konstandina” dhe ”Mal e kishte emrin” në konkursin për tregime të shkurtra, të cilin e kishin shpallur ”Rilindja” dhe ”Zëri i rinisë” në Prishtinë. Në qershor të atij viti shpërngulet në Prishtinë, punon pak kohë si gazetar në ”Rilindje”, ku do të ketë rast të njihet me poetin Esad Mekuli e shkrimtarë të tjerë.
Në nëntor të vitit 1963 niset për në Suedi. Qëndron gjatë kohë në Hamburg, ku u punësua si detar në një anije private që qarkullonte nëpër limanet e ndryshme të Evropës Perëndimore dhe të Skandinavisë.
Në korrik të vitit 1965 bëhet student i Universitetit të Stokholmit. Pas një qëndrimi të shkurtër në atë qytet, shpërngulet në Upsala dhe regjistron letërsinë, me drejtim të caktuar në atë ruse dhe angleze. Qysh në nëntor të vitit 1967 merr gradën ”kandidat filozofie”, por vazhdon të studiojë deri në fillim të vitit 1969, kur shpërngulet në Suedinë Veriore.
Aty fillon ta përkthejë tragjedinë e August Strindbergut ”Zonjusha Xhuli” dhe ta rishikojë e ta përshtasë romanin ”Udhëkryqi” në gjuhën letrare. Në vjeshtën e vitit 1973 ”zbret” në Malme dhe fillon të merret me organizimin “e punëtorëve të inkuadruar jashtë atdheut”. Aty takon edhe poetin Kosovë Rexhë Balaj, me të cilin e lidhte një miqësi e vjetër, dhe bën planet për themelimin e shoqatave shqiptare në Suedinë Jugperëndimore.
Gjatë kësaj kohe ai rregullisht mban shënime që do t’i emërtojë ”Qorrsokaku” dhe do t’i botojë nëpër faqet elektronike me një titull tjetër, ”Pulëbardha krahthyer” me rreth 1100 faqe.
Në pranverën e vitit 1974, me forca vetjake, përgatit një numër të revistës ”Dija”, por dorëzohet përpara vështirësive ekonomike, mungesës së bashkëpunëtorëve dhe frikës që mbretëronte në radhët “e punëtorëve të inkuadruar jashtë atdheut”. Skicat, tregimet dhe artikujt e shkruar gjatë kësaj kohe janë përmbledhur me titujt ”Përralla pa mbret”, ”Të regjura në llumin e kafes” dhe ”Të gërvishtura në akull”. Shumica janë botuar nëpër faqet e ndryshme elektronike.
Në dhjetor të vitit 1978 doli me propozimin që shoqata ”Kosova” të shkëputet nga Lidhja e Shoqatave Jugosllave dhe të mbetet vetëm shqiptare. Pas vendimit të anëtarësisë për të vazhduar si shoqatë jugosllave, jep dorëheqje dhe fillon t’i shkruajë kapitujt e parë të romanit me titullin ”Populli pa zot”.
Në pranverën e vitit 1979 shkon në Greqi dhe, pas një qëndrimi të shkurtër në Argolis, shkruan artikullin e gjatë me titull ”Arbëreshët e Kranjidhit”. Qyteti për të cilin bëhet fjalë gjendet përballë ishujve historikë Hidra dhe Specia.
Në mars-prill të vitit 1981 shpërthejnë Demonstratat e Kosovës. Shkrimtari i përshëndet kërkesat e popullit dhe harton trakte, bashkëpunon me ”Zërin e Kosovës” dhe, si kryetar i shoqatës ”Kosova”, informon shtypin suedez për shtypjen që ushtrohej në Kosovë dhe në viset e shkëputura prej saj.
Gjatë periudhës 1985–1990 me forcat e veta mban emisionin ”Radio-Zëri i Kosovës”. Ai do të përkrahë me gjithë qenien forcat që punonin për çlirimin e popullit shqiptar nga robëria sllave dhe ishte shumë i pikëlluar kundër ndjekjes që e majta ushtronte kundër intelektualëve dhe veprimtarëve shqiptarë. Atë pikëllim e ka paraqitur në romanin e tij ”Dilemat e Emrush Dokos” (1991) dhe në shumë rrëfime të tjera.
Në agun e vitit 1990, kur themelohet Dega e LDK-së në Suedi, Ramadan Rexhepi zgjidhet sekretar i saj. Në këtë kohë ishte kryeredaktor i revistës ”Qëndresa” dhe kryetar i Bashkimit të Shoqatave Shqiptare, kurse edhe mbante kontakt me shumë figura atdhetare e intelektuale në trojet shqiptare.
Në vjeshtën e vitit 1995, bashkë me Zeqir Ramën, fillojnë ta drejtojnë emisionin ”Radio-ABC”, të cilin e mbajnë deri në fund të vitit 2001. Artikujt e shkruar gjatë kësaj kohe i boton me titullin “Abetare për të rriturit”.
Në dhjetor të vitit 2010, romani ”Udhëkryqi” botohet me titullin ”Stina e emrave të bukur”.
Në versionin e tyre të plotë ”Reflektimet e paartikuluara të një ish-shkrimtari”, u botuan gjatë vitit 2017 nëpër faqet elektronike, por jo si libër.
Autori ka dhe një varg dorëshkrimesh të tjera.
Gjatë verës së vitit 1997, si bashkautor boton librin ”Urat tona”, vëllimet një dhe dy, si tekste mësimore.
Deri tash ka botuar këto vepra:
Kumbonaret, tregime, ”Jeta e re”, Prishtinë,1963.
Gjymtyrët e një vetmie, Borktryckeri AB, 1972, Gëteborg
Dilemat e Emrush Dokos, roman, ”Qëndresa”, M-alme, 1993.
Të regjura në llumin e kafes, reflektime…
Urat tona” (bashkautor), Tryckeri Verkstan, 1998, Örebro.
Gjurmë e gjemba, Skogs Grafiska, Malme, 2004.
Stina e emrave të bukur (“Udhëkryqi”), roman, ”Valton”, Prishtinë 2010.
Pulëbardha krahthyer I, II, publicistikë,
Populli i pazot, roman etj. 

Vepra e tij letrare, që nis në kohën e veprimtarisë letrare dhe atdhetare të Adem Demaçit, do të veçohet me trajtimin e çështjeve kruciale të periudhave tejet të rënda të popullit tonë, siç qenë aksioni për mbledhjen e armëve, presioni për shpërngulje në Turqi, burgosjet masive të regjimit titist, dhuna e pandërprerë fizike e psikike dhe presione të llojeve më të ndryshme, të cilat shkrimtari Ramadan Rexhepi do t’i artikulojë në tregimet e tij e në vepra të tjera me një sens shumë të veçantë dhe me një botë komplekse që sheshon katrahurën pushtuese deri në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Vepra letrare e këtij shkrimtari ndjek rrjedhat e jetës shoqërore e atdhetare mbase në të gjitha poret e saj, segmente që lidhen me atmosferën e tensionuar pothuajse pa pushuar asnjë çast, momente që dëshmojnë përkushtimin e thellë të shkrimtarit për të depërtuar në shqetësimet e secilit shqiptar të robëruar. Proza e tij përshkohet nga një rrëfim inventiv, me personazhe që krijojnë botën e tyre në suaza të qëndrimit e të inkurajimit për të arritur të paarritshmen. Në fakt, vizioni i shkrimtarit ia del edhe aty ku dikur e dikush realisht nuk kishin kurajë për t’u përballur me situatat më çnjerëzore për të realizuar ëndrrën shekullore, por ai e shpreh me penën e tij forcën atdhetare drejt lirisë, e cila më në fund do të realizohet në një masë falë gjakut të bijve e bijave më të mira të popullit tonë. Këto pra janë personazhet e veprës së shkrimtarit Ramadan Rexhepi, i cili edhe pse larg atdheut, asnjëherë nuk u nda nga ai për të qenë ndër luftëtarët e parë për të dhënë ndihmesën për kombin e atdheun.
Në veprën e tij shkrimtari ynë artikulon denjësisht pushtimin, vuajtjet, mjerimin e shtypjen, por edhe kundërvënien ndaj pushtuesit jugosllav që ishte bërë i padurueshëm në histori. Në të vërtetë, vepra e tij është një dramë në vazhdimësi e historisë së popullit tonë, e artikuluar artistikisht, me mjeshtëri e prirje artistike që reflekton edhe në situatën aktuale.
Duke pasur parasysh këto dhe shumë elemente të tjera, Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës njëzëri vendosi ta nderojë shkrimtarin e njohur Ramadan Rexhepi me çmimin letrar, që jepet përvjet për krijimtari të përgjithshme të shkrimtarit, krijuesin, publicistin e atdhetarin Ramadan Rexhepi.

Prishtinë,                                                               Kryesia e LSHK-së,
Më 17.12.2019                                                      Kryetari
                                                                              Prof. dr. Shyqri Galica

Related Posts