ÇMIMI LETRAR “NOBEL” – PËRKRAHËSIT TË ANTIHISTORISË!

Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës

ÇMIMI LETRAR “NOBEL” – PËRKRAHËSIT TË ANTIHISTORISË!

Komiteti i çmimit “Nobel” i Akademisë së Shkencave të Suedisë sivjet ia dha çmimin më prestigjioz shkrimtarit më të komprometuar në botë, Peter Handke nga Austria, i cili këto tri dekada ka përkrahur pothuajse në të gjitha format krimin, urrejtjen, masakrat, gjenocidin e të gjitha format e dhunës e të pushtimit, madje përkrahësit të drejtpërdrejtë në Hagë e deri në çastet e varrosjes së tij, Slobodan Milosheviqit dhe regjimit të tij fashist.
Adhurues i ish-Jugosllavisë, i Serbisë fashiste dhe i kasapit të Ballkanit, në kohën kur po ushtrohej dhuna dhe terrori edhe në Kosovë, në vitet ’90 të shek. XX dhe më pas, do të gjendet edhe në Prishtinë dhe në mjedise të tjera të kolonëve serbë për të inkurajuar miqtë e tij për shtypjen dhe terrorin që do të vazhdojë deri në gjenocid në të gjitha anët e Kosovës së pushtuar, madje ai do të nderohej edhe me çmim nga vetë Milosheviqi.
Kundërshtues i bombardimeve të NATO-s dhe përkrahës i dhunës dhe i masakrave serbe nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja deri në Kosovë, njeri që do të jetojë me përkrahjen e tmerrit e të krimit nëpër vite, do të laurohet me çmimin më të lartë në botë për letërsi “Nobel” për vitin 2019!?
Kjo Akademi, për të dytën herë, pas Ivo Andriqit më 1961, i cili hartoi projektin për zhdukjen e shqiptarëve, nderon me këtë çmim, madje tani njeriun që përkrah gjenocidin publikisht në Bosnjë e në vise të tjera të ish-Jugosllavisë titiste, të cilën bashkë me Serbinë e adhuron tej mase, kurse arkitektin e zbatuesin kriminel posaçërisht. Pavarësisht kundërshtimeve gjithandej nëpër botë, kjo njollë Akademisë Suedeze do t’i mbetet gjithmonë, e cila po përfshihet nga aferat seksuale deri te këto kriminale!
Është rast që ka indinjuar krijuesit e të gjitha fushave, është vlerësim antihistorik për një krijues antihistorik, prandaj shprehim pakënaqësinë tonë për një veprim të këtillë të një jurie të papërgjegjshme që vlerësohet në suaza ndërkombëtare!
Për fat të keq, ka mbetur nën hije fituesja e çmimit “Nobel” për vitin 2018, shkrimtarja e shquar Olga Tokarczuk nga Polonia.

Prof. dr. Shyqri Galica, kryetar i LSHK-së

Related Posts