PROF. DR. MUHAMED KËRVESHI – NJËRI NGA KRIJUESIT MË SERIOZ TË LETËRSISË SONË

Prof. dr. Shyqri Galica

Prof. dr. Muhamed Kërveshi është një emër i shquar i letërsisë dhe i kulturës shqiptare, i cili ndihmesën e tij e ka dhënë me shumë përkushtim e dashuri dekada të tëra. Ngritja e tij arsimore e intelektuale, kultura e gjerë që ka fituar brenda e jashtë atdheut, këtë personalitet e ka bërë të dallohet me punën dhe me veprën e tij si pedagog, studiues e mbi të gjitha shkrimtar. Pedagog me diapazon të gjerë, ligjërues i shkollës evropiane, duke sjellë metodologji e përvojë pak a fare të njohur midis nesh, do t’u mundësojë brezave të rinj të njihen me realitetin e botës së qytetëruar dhe me njohuritë e gjuhës frënge, duke sjellë kështu dhe njohuri për kulturën arsimore e letrare të një vendi të veçantë evropian, Francës e më gjerë.
Mbase duke njohur mjaft mirë kulturën dhe letërsinë e traditës dhe atë moderne franceze, Prof. Kërveshi bën një punë në këtë fushë si asnjë tjetër – shqipëron e boton krijimet më të mira poetike nga gjuha frënge dhe u ofron lexuesve e intelektualëve tanë nëpërmjet botimeve të përditshme, periodike e në vëllime të veçanta vlera letrare-artistike, që ndihmojnë depërtimin në një fushë pak të njohur historike e aktuale të krijimtarisë.
Duke qenë pedagog shumëvjeçar në Universitetin e Prishtinës, Prof. Kërveshi arriti të japë shumëçka nga përvoja e tij në Perëndim dhe t’u krijojë studentëve mundësinë për ta njohur më thellë realitetin historik e artistik të Francës dhe të mjediseve të ndryshme nëpërmjet gjuhës frënge dhe gjithsesi shqipërimeve e ligjërimeve të shumta.
Pos poezisë si vokacion parësor, Prof. Kërveshi është marrë edhe me studime e shkrime të tjera, të cilat figurën e tij e bëjnë më komplekse e më interesante edhe si krijues, edhe si studiues, edhe si intelektual.
Vargu i veprave të tij është i gjatë, mbase si rrallë ndonjë shkrimtar tjetër, siç janë të shumta edhe gjuhët në të cilat janë përkthyer krijimet e tij letrare e shkencore: sllovenisht, serbokroatisht, rumanisht, italisht, maqedonisht, turqisht, bullgarisht, hungarisht, sllovakisht, gjermanisht, frëngjisht, spanjisht, arabisht, anglisht, persisht, rusisht, suedisht, polonisht, boshnjakisht etj.
Ka shkruar rreth gjashtëdhjetë vëllime poetike për të rritur dhe afër dhjetë për fëmijë, si dhe vepra të tjera, drama, ese, studime, që e bëjnë shumë të pasur veprimtarinë e tij. Profesori ynë ka shqipëruar rreth njëzet vepra nga frëngjishtja dhe ajo që vlen të theksohet posaçërisht, me krijimet e tij letrare është përfaqësuar në më shumë se gjashtëdhjetë antologji të ndryshme në vend dhe jashtë, që do të thotë se vlerësohet si njëri nga përfaqësuesit tanë më serioz i letërsisë sonë gjithandej. Edhe dy veprat që porsa kanë dalë nga shtypi, “Zanoret” dhe “Mërzia për Mitrovicën” janë dëshmi e veçantë e artikulimit të historisë dhe të aktualitetit me shumë sens dhe me shqetësime që bartin dhe barrën e rëndë të këtij populli për liri. Këtë realitet e ka pikturuar me gjetje artistike dhe me nuanca që reflektojnë në një spektër që tejkalon mesazhin kombëtar.
Duke pasur parasysh këtë kontribut të jashtëzakonshëm të Prof. Kërveshit, mendojmë se ky krijues e intelektual kaherë është dashur të jetë midis akademikëve edhe formalisht, si dhe të nderohet me çmimet më të larta që jepen në nivel kombëtar, pavarësisht se shumë herë edhe është nderuar në raste të ndryshme.
Kjo akademi letrare nderon personalitetin e tij, por gjithsesi edhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës, në të cilën ka aderuar dekada më parë.
Duam t’i shprehim mirënjohje kryetarit të komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, për mirëkuptimin e tij për ta nderuar këtë personalitet kombëtar me vlera të pakontestueshme dhe bashkorganizatoren tonë, Qendrën Kulturore të Pejës, me shpresë se do të gjejmë përkrahjen e tyre edhe në raste të tjera!
Ju faleminderit!

Pejë
13.10.2018
(P. s. Fjala e kryetarit të LSHK-së në akademinë letrare për Muhamed Kërveshin)

Related Posts