ZYMER HALITI

Lindi ne fshatin Tërstenik të Vitisë, ku kreu shkollën fillore, kurse gjimnazin në Viti, drejtimi shoqëror-gjuhësor. SHLP – Drejtimi Gjuhë Shqipe dhe Letërsi e kryen në Prizren.
Si arsimtar i gjuhës shqipe filloi punën në Shkollën Fillore të Zllatarit të Ferizajt në një kohë të vështirë, më 1992, kur kundërshtoheshin programet e regjimit serb. S’kishte as paga, as siguri, por si arsimtar dhe ndihmesën e tij të çmueshme në edukimin e arsimimin e nxënësve. Krahas mësimdhënies në shkollë, është zhvilluar edhe shumë veprimtari shkollore. Për punën në mësim dhe aktivitete shkollore, disa herë është zgjedhur arsimtar i dalluar dhe është nderuar me mirënjohje.
Në Ferizaj ka formuar Shoqatën e Gjuhëtarëve të Ferizajt dhe është mjaft aktiv.
Si nxënës ka filluar të shkruajë poezi, të cilat i ka botuar në revistën “Zëri i rinisë”, “Rilindja” dhe në “Flakën e vëllazërimit”, që botohej në Shkup.

Ka botuar tre libra:

“Agdrita e vonë”, poezi, “Integral”, Ferizaj, 
“Grafite në murin e kohës”, poezi, “Integral”, Ferizaj, 
“Botë e përhirtë”, “Prokult”, Prishtinë, 

DITARI I PASHKRUAR

U mbush bota me buzëqeshje false
me shikime tinëzare në prapaskenë
edhe gjuha duket si mjaullimë mace
as hija jonë më nuk po na gjen…!

Germa në ditar fjalën nuk e thotë
kuptimi ka tretur në një sferë tjetër
vetëm dielli ende ndriçon n’këtë botë
nuk e harron dot rrugën e tij të vjetër.

Kujtimi në letër duket si me grim
fjalët humbën vlerën që kishin dikur
jemi në ëndërr duke pritur një zgjim
apo nga kjo ëndërr s’do zgjohemi kurrë.

E grisa ditarin pa e shkruar fare
as letrat më nuk paskan kuptim
vetëm një korb çukit në dritare
për t’na kujtuar se humbëm n’harrim.