Veli Veliu lindi më 25 maj 1958, në fshatin Arana (Muhovc), komuna e Bujan(oc)it. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filozofik, Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Pas diplomimit pati pengesa të punësohet menjëherë nga pushteti i atëhershëm jugosllav. Kërkesës së mësimdhënësve të fshatit, për të mos ndenjur i papunë më gjatë në qytet, iu përgjigj menjëherë të punojë me nxënës në shkollën fillore “Migjeni” të fshatit. Ditën e parë drejtori e pengoi të shkojë në orë të mësimit dhe ia mori ditarin, me vërejtje se ka reaguar Komiteti Komunal! Pastaj mezi ia dhanë lejen për punë në arsim dhe pas pak kohe, për herë të dytë, e morën në përgjegjësi pse punoi me Librin e leximit të klasës VII të prof. Demush Shalës, se në një dorëshkrim të tij në Shtypshkronjën e “Rilindjes” u gjetën disa këngë popullore kushtuar udhëheqësit shqiptar Enver Hoxha! Menjëherë ia dërguan ftesën për shërbim ushtarak dhe më nuk punoi në arsim! Pas shërbimit ushtarak u detyrua nga Bujani të shpërngulet me familje në Prishtinë. Ndërmjet viteve 1985-2002, qe gazetar dhe redaktor në gazetën e përditshme “Rilindja” të Prishtinës. Pastaj punoi në bibliotekën ndërkomunale „Hivzi Sulejmani” dhe në Qendrën Kulturore të Fëmijëve. Nga viti 2009 është lektor në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ishte kryeredaktor i revistave informative-letrare “Mileniumi”, “Oaza”, “Margaritari” (për fëmijë) dhe kryeredaktor i revistës “Syri ynë”, në Prishtinë.

Shkruan për fëmijë e për të rritur: poezi, poema, tregime, romane, drama, ese dhe kritikë letrare.

Është prezantuar në disa antologji në gjuhën shqipe dhe në një antologji rumune!

Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

 

Ka botuar këto vepra letrare:

“Zogj, merrmëni me vete” (poezi për fëmijë) Rilindja, Prishtinë, 1982, ribotuar nga Meshari, Prishtinë, 2014)

“Nën strehën e yjeve” (poemë për të rinj) Rilindja, Prishtinë, 1986

“Ditari i shkollës”, (prozë në formë ditari), Bujku (Rilindja) Prishtinë, 1991

“Rrugët nuk ndalen”, poezi për fëmijë, në botim “Rilindja”, Prishtinë, 1992

 Pas vitit 1990 botoi edhe këto vepra letrare:

“Rruga e rrezeve”, poemë për të rinj, Dielli, Prishtinë, 1994

“Shqiponja”, poezi për fëmijë, Ylberi, Prishtinë, 1995

“Shtatë përralla”, poezi për fëmijë, Ylberi, Prishtinë, 1996

“Vite të stuhishme”, triptik poetik,  Ylberi, Prishtinë, 1997

“Besa e Konstandinit”, poezi për të rinj, Ylberi, Prishtinë, 1996

“Zogu i yjeve”, poemë për të rinj, Ylberi, Prishtinë, 1996,

“Orët e pagjumësisë”, poezi për të rinj, Ylberi, Prishtinë,1997

“Ama e Drinit të Bardhë”, poezi për të rinj, gazeta Rilindja, Prishtinë, 1998

”Fundi i perandorisë së vogël”, poezi satirike, Gazeta Rilindja, Prishtinë,1999,

“Princi i këngës shqipe, poemë për të rinj, Ylberi, Prishtinë, 2000,

“Me Zotin e tokës, poezi, Era, Prishtinë, 2001

“1981”, (poemë për të rinj), Prishtinë, 2010

“Poema për Bujanocin”, për të rinj, Prishtinë, 2010

“Panteoni i Parnasit”, poezi për të rinj, arsKultura, Prishtinë, 2010

“Djepi i shqipes”, tregime për të rinj, arsKultura, Prishtinë, 2010

“Shpirti i dritës hyjnore”, poemë, 2010, kushtuar Nënë Terezës në Prishtinë, përkthyer dhe botuar në gjuhën rumune, “Sufletul Luminii Divine”, Bukuresht, 2012

 Dramat për fëmijë:

“Shkolla e natës”, arsKultura, Prishtinë, 2011,

“Fatbardha”

“Dita e mësuesit”

“Bariu i vogël”

“Dryni i gojës”

“Lulja e lirisë”

“ Maratoni”

 

 Dramat për të rritur:

“E bukura dhe shtatë mjeshtrit”, arsKultura, Prishtinë, 2011

“Xhaxhi Enver”

“Frika nga ferri”

“Nata e tmerrit

Në plazhin e Madh të Ulqinit revista 2015

 

Romane:

Koka e shtrenjtë e majorit, Meshari, Prishtinë, 2012     

Gruaja e drejtorit, Meshari, Prishtinë, 2013              

Miku i panjohur , Meshari, Prishtinë 2015                

Gjeniu i Lasgushit,  Meshari, Prishtinë, 2015             

Zana e zemëruar në izolim, Meshari, Prishtinë, 2016

Leka lakmon lekun, (për fëmijë) Meshari, Prishtinë, 2016

Afërdita e Prishtinës, Meshari, Prishtinë, 2016

Piktori pa piktura, (për fëmijë) Meshari, Prishtinë, 2017

Uniforma pa grada, Meshari, Prishtinë, 2017               

Një nuse në qytetin Tregurshi, Meshari, Prishtinë, 2018

Poema për të rinj:

Vigan Epoke”,  kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari, Meshari, Prishtinë, 2012

Në jugun e mallit tonë”,  Meshari, Prishtinë 2013

Nën qiellin e tokës së ndarë”, sonete, ku është përfshirë edhe një kurorë sonetesh, Meshari, Prishtinë, 2013

Yll i ndezur në errësirë, poemë për fëmijë, kushtuar simbolit të rezistencës, Adem Demaçi, TREND, Prishtinë, 2016

Ylli i Rilindjes, poemë për rinj, Meshari, Prishtinë, 2017

Kulla e kreshnikëve, për fëmijë, Meshari, Prishtinë, 2018

Udhëtimi i parë në Tiranë, poemë për të rinj, Meshari, Prishtinë, 2018

Dedë Gjo’ Luli, poemë për të rinj, Meshari, Prishtinë, 2018

Në fshatin e lindjes, ilustrime, Meshari, Prishtinë, 2016

100 gjëegjëza për fëmijë, 2017, Meshari, Prishtinë, 2017

 

Jeton në lagjen Mati të Prishtinës.

PLAKU I SHTËPISË SË MADHE

(Fragment)

Plaku, kur ishte në moshën e re, u tregua shumë i guximshëm dhe i shkathët në çdo punë që e bënte në fshat! Ai u dallua për mendjemprehtësi se çdo porosi e çonte në vend pa e bërë as më të voglin gabim! Edukimin e merrte krejtësisht në familjen e gjerë me shumë anëtarë, vëllezërit ishin plakur nën një kulm! Në atë kohë të errët të sundimit turk, e pastaj edhe më i rëndë ishte sundimi serb, fëmijët shqiptarë, me përjashtim të ndonjërit, nuk shkonin në shkolla të huaja! Shkollat në gjuhën shqipe nuk lejoheshin të hapeshin dhe ndonjëri nga fëmijët e familjeve me gjendje më të mirë materiale arsimohej në gjuhën arabe te hoxha! Bali nuk u interesua të arsimohej te hoxha, por edhe pleqtë ndërrimin e fesë në atë kohë e përjetuan rëndë, si diçka që duhet bërë patjetër për t‘iu përshtatur rrethanave të kohës! Të jesh, o të mos jesh në tokën e artë të Arbrit! Ai merrej me shumë vogëlsira sa ishte moshë e njomë dhe kur u rrit përpiqej të ishte i saktë në kohë! Fytyrën dhe rrobat i mbante të pastra dhe i plotësonte verbërisht kërkesat e ndryshme formale në familje të gjerë!
Plaku Bali, qysh kur u martua me dasmë të madhe në rininë e hershme, gjatë tërë jetës së vështirë, iu përmbajt me rigorozitet udhëzimit të vlefshëm të kryeplakut të fshatit: të ishte gjithnjë i dëgjueshëm dhe të mos përtonte fare çfarëdo pune e shërbimi që të kërkonin të rriturit prej tij, e sidomos prindërit e dashur e të përvuajtur! Veçmas prindi i tij, Leka, ishte burrë me shtatin e gjatë e hijerëndë, ndërsa sytë i kishte jashtë mase zhbirues, sundimtar shumë i rreptë, dhe brenda familjes vepronte tamam si një patrik i vërtetë! Djali i vetëm (gjashtë motra vdiqën në moshën e fëmijërisë njëra pas tjetrës pa u kontrolluar fare te mjeku popullor) sa qe gjallë i ka shërbyer me besnikëri e dashuri të pashoqe!
Bali, pas moshës së pjekurisë, veten e ndiente jashtëzakonisht mirë, gjendja e brendshme ishte e shkëlqyeshme, sepse shpirti i etur ishte mbushur me ndjenja të zjarrta dhe me frymëzim të lartë! Verë e dimër punonte shumë e fliste pak! Udhës së vet të ngushtë e ulte kokën dhe rrallë e ngriste përpjetë kur takohej me dikë nga fshatarët e dobësuar fort nga punët e përditshme të fushës!
Vetëm kur u rritën fëmijët, e kuptoi se duheshin shumë para për ta ndërtuar një shtëpi të madhe! Ose ishte më mirë t’ i ndërtonte dy shtëpia dykatëshe që do të mjaftonin në oborrin e gjerë! Herë pas here thellohej gjatë në mendime në skaj të oborrit se kërkohej hapësirë e gjerë për shtatë djemtë pasi të martoheshin, duke pasur parasysh edhe miqësitë e reja! Ai e kishte një ndjenjë frike që vjen nga diçka e jashtëzakonshme dhe shfaqet parasysh në formë të habisë! Ngase mund t’i dilte krejt diçka tjetër puna që e planifikonte në vete dhe të bëhej çudë për të tjerët! Në jetë ka gjëra të papritura dhe nuk kuptohen nga vijnë në kohën më të keqe, kur më së paku kuptohen njerëzit!
Në këndin e blertë të vetmisë së patrazuar vazhdoi ta vrasë mendjen e tij: fjalëpaku kur duron tepër gjatë shpërthen nga fundi i vetvetes dhe bëhet shpirt i parehatshëm! Po, po është e mundur, si nuk është e mundur, Gjatoshi, si hu i qëruar gardhi ngulet diku dhe s’ka kush e nxjerr me një fjali çudibërëse, për shkak të sjelljes së pakontrolluar kur mjegullat mbështillen rreth kokës së zbardhur! Si ha palla çka flasin të tjerët në rrethin e ngushtë e përtej tij! Kështu duke planifikuar pa letër e laps në dorë, i përvuajturi hap pas hapi doli në hënëz, domethënë faqe botës doli i humbur! Mat e çmat nuk i dilte hesapi mirë, i duheshin shumë të holla, sepse pak kishte kursyer kur fëmijët ishin më të vegjël! Ku t’i merrte lekët i shkreti në këtë kohë krize? Burrit të thinjur, s‘ke si t’ia kthesh fjalën mbrapshtë nëse të kërkon ndihmë!

                                                            Jepi burrë, nëse ke fjalë bese,

                                                                mos ia këput atë fije shprese!

“Më mirë të shkoj brenda!”, mendoi t’i shmangej syrit që e përcjell rastësisht ose fshehtas nga hijet e zgjatura të pemëve! Po nëse ndodh ta keqkuptojnë kamësit e fshatit?! Kujdes burrë të mos i dalë ngjyra fjalës së folur pa vend! Më mirë të ndeshet e piqet me dikë që i bëjnë zgjidhje pa e bërë të madhe këtë punë të panisur!” Ka ende burra fisesh, po i takon më rrallë në rrugët e gjalla të jetës! Me ata që e mbajnë hundën përpjetë dhe tërë kohën e lume shikojnë lart nga retë, edhe kur është moti më i qetë nuk dëshiron të afrohet as për pak çaste!
Kur plaka i dha shenjë me dorën e thatë të hynte brenda, Bali eci pa fjalë dhe iu duk vetja si të ishte në ndonjë hendek të thellë hallesh, ku për pak nuk iu kishte zënë fryma! Ju drejtua menjëherë shtratit të butë pa e thënë asnjë fjalë! Krenaria për shtatë djemtë më nuk ngre kokë në shpirtin e tij, sepse sot familja nuk është e rrezikuar nga askush dhe tani çmohen urtësia, bamirësia dhe mikpritja! Më nuk është koha për t’i kujtuar baladat epike me personazhe trimat legjendarë si Muji e Halili, Gjergj Elez Alia etj. Prandaj, djemtë nuk janë trima të mëdhenj të pushkës, po njerëz të arsimuar në frymën e shëndoshë të qytetërimit modern perëndimor. A i ka rritur e edukuar në frymën e drejtë kombëtare ta duan me gjithë zemër vendin e lindjes duke jetuar vetëm nga djersa e punës së vet! Po kështu nuk mendon për Zanin, sepse ai gjatë tërë kohës ka ndenjur më afër nënës së vet dhe kur ka ndodhur ta rrahë është grindur edhe me shoqen! Disa herë është matur ta grushtojë pak edhe shoqen, por ajo e dobët nga shëndeti dhe e ka kursyer duke e lënë vetëm me një të sharë ndër dhëmbë se po e prish djalin me mbrojtjen e vazhdueshme, si pjellë e fundit e pleqërisë!
Po, po! Patjetër të jenë mirënjohës djemtë për atë që e ka bërë në jetë, si thuhet edhe për një pikë, sasia më e vogël e ujit, e lëngut të kristaltë të tokës, e cila po e shikove me kujdes me një xham zmadhues është në trajtë rruzulli! Ose po deshe merre një pikë loti, sasia e njëjtë e lëngut të njelmët është prekëse dhe të trondit kur e sheh si rrëshqet në fytyrën e pikëlluar!
Balit, djemtë e rritur herët ia dhanë krahun dhe eci më shpejt përpara, por gjithsesi ka mundur të bëjë më shumë pasuri me ta! E ndërtuan një shtëpi të re me katër dhoma të ndritura të shtruara me patos. Dërrasa është e thatë dhe trupi i shëndoshë kurrë nuk do të dëmtohet nga lagështia, të ftohet si në kashtën e lagët në tokë! Mirëpo pajtohej që djemtë e zhvilluar fizikisht të bënin qejf herë pas here dhe ky nuk ua prishte asnjëherë muhabetin e ri! Me djersën e ballit i kanë fituar lekët duke punuar me nder në institucionet e shtetit. Prandaj le të pinë birra djemtë e shëndoshë e të pashëm të Krasniqes me shokët e vet deri në mesnatë! Të nesërmen ishte ditë pushimi, e diel dhe nuk kishin nevojë të zgjoheshin herët nga shtrati i ngrohtë! Ndonjë punë me rëndësi nuk e kishin, por edhe në punimin e tokës nuk duhej të lodheshin se punonin në punë të shtetit!
Mirëpo, gjithmonë e përdorte ndonjë porosi për të pasur kujdes ata se me ç’tipa po shoqëroheshin, me kë po lidhnin punë për jetë të jetëve! Ç‘është e vërteta, ai kishte dëshirë t’ua linte disa porosi, por nuk ishte fare i sigurt se do ta dëgjonin me vëmendje deri në fund! Dini, në atmosferën e këndshme festive, e ngriste dollinë dhe e ndërpriste muhabetin e sapofilluar se ai dhe vëllezërit e tij nuk kishin nerva ta dëgjonin deri në fund këshillën shumë të vlefshme të plakut që do t’u shërbente në situata të ndryshme në jetë! Porta e madhe e oborrit të mbyllej me kohë dhe pas mesnatës të gjithë e anëtarët e familjes të bënin gjumë të qetë! Po, djemtë pinin duke kënduar dhe plaku tërhiqej se brezi më i ri nuk i dëgjon me dëshirë moralizimet e mërzitshme! Kjo është si të trokitsh në portën e të shurdhrit!
Plakut nuk i mbetej hatri, por qeshte duke tundur kokën djathtas e majtas, kur nuk dëgjonin djemtë! Ata t’ i kujtonin përnjëherë vargjet e Migjenit: Qeshu rini, qeshu, bota është e jote!  Plaka e tij, Mera, nga dera i jep shenjë me dorë, por kur nuk merr vesh ai, i hedh edhe tre hapa në dhomë dhe te veshi i thotë: Lëri le të kënaqen zemrat e reja! Ata nuk duhet të preokupohen me sëmundjen tënde se do të pikëlloheshin menjëherë e do të plakeshin para kohës!
Plaku e shikonte pa lëvizur nga vendi dhe i jepte shenjë të heshtë se është i kënaqur që janë bashkë dhe ushqehen në një sofër të vëllazërim-bashkimit kombëtar! Përshkrimi i pamjes së jashtme nuk mund të bëhet si duhet me fjalë, e ndoshta as me laps nga kushdo, prandaj është mirë të bëhet ndonjë foto, të ruhet përgjithmonë kjo gjendje festive në shenjë kujtimi për këtë ditë gazmore të rinisë!
Kjo dëshirë e zjarrtë rinore, se nuk është prirje, për t’i shënuar sukseset e për t’i heshtur dështimet, nga dikush nuk shikohet me sy të mirë! Po plaku ka përvojë të mirë për çdo çështje që i preokupon të rinjtë dhe është i aftë t’i  kuptojë kriteret themelore të jetës, seriozitet maksimal në punë, përkushtim me shpirt ndaj asaj që e ke profesion, ose që jeton prej saj! Gjithnjë i ka interesuar ana praktike e një pune, sepse nuk kishte shkollë për t’u marrë edhe me anën teorike! Ai ishte i interesuar të mësonte nga zanatlinjtë si të përvetësohet më lehtë një punë. Mjeti praktik është i dobishëm dhe gjërat t’i shohë gjithnjë nga ana e dobisë! E përfitimit praktik! Po eja e mbushja mendjen djemve pa përvojë! Ata mendojnë se mjaft dinë dhe nëse diçka nuk e dinë, e që duhet ta përvetësojnë patjetër, kur t’u duhet, do ta mësojnë në të ardhmen. Kryesore çdo herë dhe në çdo vend ta ruajnë kriterin themelor të së vërtetës! Plakut edhe t’i flasësh tri ditë pa u ndalur, e mbivlerëson veprimtarinë praktike, sepse është mospërfillës i teorisë i të qenit praktik!  Me teori plakun e mundin djemtë, por ai ngrihet dhe largohet, që ata më mirë të këndojnë në sofrën e shtruar me pije se të merren me ndonjë punë jofitimprurëse!