Sylejman Salihu

Lindi më 26.02.1955 në fshatin Tërrn të Ferizajt. Katër klasët e para të fillores i kreu në Tërrn, kurse tetëvjeçaren në Babush. Më 1974 mbaroi shkollën normale. Punoi si mësues në vendlindje dhe studioi letërsinë dhe gjuhën shqipe në Prishtinë. Nga viti 1978 punoi në gjimnazin ” Kuvendi i Arbrit” të Ferizajt, kurse më 1985 mbrojti temën e magjistraturës në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Në vitin 1993 detyrohet të emigrojë në Gjermani, ku punon ende si mësues i shkollës shqipe në Minden, Herford, Bilefeld, Gytersloh dhe Paderborn.

Ka botuar këto vepra:

“Dhjetë vjet dhunë mbi arsimin shqiptar të Ferizajt” (publicistikë),Forumi i Intelektualëve Shqiptarë, Ferizaj, 1992

“Hiperbola në epikën popullore legjendare” (studim), Botim i autorit, Prishtinë, 1995

“Lindi udhëton për Kosovë” (poemë për fëmijë), Shkëndija, Prishtinë, 2007

“Ëndërr e bukur” (poezi për fëmijë), Shkëndija, Prishtinë, 2008

“Lindi në Dardani” (poemë për fëmijë), Shkëndija, Prishtinë, 2009

“Një kuvend në Kelmend” (poezi për fëmijë), Shkëndija, Prishtinë, 2010

“Lumenjtë pa pasaportë” (poezi), Shkëndija, Prishtinë, 2012

“Gjyshja flet me metafora” (poemë për fëmijë), Shkëndija, Prishtinë, 2014

“Unë emigranti” (poezi), Shkëndija, Prishtinë, 2016

POROSIA E BABAIT PËR PLISIN

Plisi dhe babai qenë miq të mirë,
Gjithmonë në jetë të dy krenarë,
Më duket se në kokë i kishte mbirë,
Dhe të dy bashkë n’jetë duke çarë.

Plisin e kish mik të vërtetë,
Mbi kokë i rrinte si një copë gur,
Që s’luan nga koka dhe sfidon retë,
Mbi majë të kokës si një flamur.

Dhe përreth tij mbështjellë një shami,
Në pikë të vapës edhe në acar,
Ish dashuri a çmenduri,
Si mish e thua kurrë pa u ndarë.

Më thoshte se burri pa plis s’është burrë,
Dhe unë e shikoja ndonjëherë vëngër,
Porse t’i thosha s’guxoja kurrë,
A mos të doli kjo fjalë pak shtrembër!

Më thoshte se plisi s’është për çdo kokë,
Nëse nuk mbrohet me kokën vet,
Më thoshte se plisi bie përtokë,
Kur bashkë me kokën japin dhe jetë.

Dhe bashkë me plisin, jetën dhe kokën,
Duhej ta jepte cilido burrë,
Plisi dhe koka jepen për tokën,
Dhe nuk lëkunden nga toka kurrë.

 

KTHIMI I MËRGIMTARËVE NË VENDLINDJE

Janë nisur në kolona të gjata mërgimtarët e mi,
Dhe globi është zvogëluar për ta si një portokall,
I shalojnë veturat e tyre si kalorës mbi kuaj pa fre,
Duke kalëruar maleve e fushave në truallin e moçëm dikur të quajtur Iliri,
Që ta kapin sa më shpejt cakun e tyre rrufe.

Kush shpejton të përmbush të moçëm një testament,
Kush tjetër t’ ia hapë portën shtëpisë së strukur thellë në vetmi,
Dikë mbase një dashuri përtej shtatë malesh edhe më tutje e pret,
Që të rinisë një jetë mbetur në gjysmë të rrugës si në legjenda dikur n’ Arbëri.

Shuajnë mallin dhe shpalosin edhe një mal me brenga,
Ç’ jetë çojnë midis popujsh dhe gjuhësh larg nga Ishulli Ilirik,
Na mban gjallë thonë aktrimi i kthimit ndonjëherë dhe kënga,
Dhe nuk i këmbejnë kurrë me asnjë çmim, or mik.

Ç’ mallkim i madh kish rënë mbi ne askush s’e di,
Ç’ mallkim i madh mbi tokat dhe detet nën këtë qiell,
A thua ç’ kanë parathënë ogurzezat fatthëna veshur në zi,
Do t’ i kenë gjatë nënat mall djemtë e tyre nën këtë diell?