Sulejman Dërmaku

Sulejman Dërmaku lindi më 17.3.1950 në Shipashnicë, Dardanë. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje dhe në Hogosht, të mesmin, gjimnazin, në Gjilan. Shkollën e lartë pedagogjike dhe Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar gazetar e redaktor i disa revistave të Ndërmarrjen e Revistave të “Rilindjes” të Prishtinës. Që nga viti 1996 ishte kryeredaktor i revistës arsimore-pedagogjike e shoqërore “Shkëndija” dhe redaktor i revistës “Teuta” që nga dalja e saj dhe në vazhdim. Nga themelimi i Shoqatës së Gjuhës Shqipe të Kosovës është anëtar i kryesisë dhe sekretar profesional i saj.

Është autor i librave “Kosovarja ’90”, përmbledhje intervistash me personalitete politike, shoqërore, artistike e kulturore; “Në emër të popullit”, tregime satirike, “Dërmaku”, monografi (bashkautor); “Ta rrënojmë të vjetrën”, tregime satirike; “Fundshekull”, shkrime publicistike; “Fillimshekull”, shkrime publicistike; “Sa herë të ta them”, tregime satirike; “Viti i acartë”, tregime; “Brenda kopertinave”, vështrime për libra; “Si nuk po kupton”, tregime satirike.

Jeton në Prishtinë.