Sokol Halili

SOKOL HALILI – SHALA

Lindi në fshatin Trubohoc, komuna e Istogut, në një familje me një ekonomi mesatare dhe me një autoritet të lartë në shoqëri. Gjyshi i Sokolit erdhi nga fshati Isniq, për një jetë më të mirë në fshatin Trubohoc. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në fshatin Saradan dhe Trestenik, kurse shkollën normale në Pejë. Fakultetin Filologjik – Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe në Prishtinë. Gjatë studimeve, shkruan e boton nëpër shtypin periodik. Së pari paraqitet me prozë, në “Zërin e rinisë”. Pastaj në gazetën e përditshme “Rilindja” boton kohë pas kohe poezitë e para. Ka botuar librin “Rrugëtimi në Origjinë”.
Pas studimeve punësohet si gazetar në Televizionin e Prishtinës, ku punon deri në vitin 1990, derisa i përzunë forcat serbe për shkak se nuk e pranojnë pushtetin e Serbisë.

     NGROHTËSI SHPIRTI

     Universi i shpirtit tënd
     sa me afrohet aq më ikën
     Duke e fshehur aromën e flokëve
     Hijeshinë e syve ngjyrë ulliri
     Dhe detajet e natyrës sate të virgjër
     Kur Ylli i Mëngjesit
     Humb dritën dhe zhdaravitet
     me retë e humbura
     Takohet me ditën e re
     Dhe shpresa që të takoj Ty
     Me ngatërrohet me dëshirën që pata
     se me ëndrra e ngrohtësi shpirti
          Kurrë s’u ngopa
     E gjumin ma morën hyjneshat
          e Zeusit
     Derisa të lagem me ujë
     në Grykëdetin Dardan
     Ku laheshin Perënditë e Muzat
     Dhe shpërlaheshin
     Tanagra, Hesiona dhe
          Helena
     Atëherë besoj
     se do t’i gjej brigjet e
     Rrezeshpirtit