Shpresa (Gashi) Zurnaxhi

Shpresa (Gashi) Zurnaxhi

Ka lindur në Prizren, më 19.12.1967. Tani jeton e krijon në Izmir të Turqisë, ku është martuar me një shqiptar, familja e të cilit ishte shpërngulur nga Kosova në periudhën më të vështirë të popullit shqiptar, në kohën e “mbledhjes” të armëve, më 1957.
Duke u gjendur në një mjedis specifik, por në një atmosferë kombëtare vazhdimisht me shumë xhelozi është marrë me gjuhën e letërsinë shqipe, por edhe botërore. Shkrimet e saj në poezi e prozë kryesisht i ka publikuar nëpërmjet mjeteve sociale, mirëpo kohëve të fundit ka botuar edhe disa libra ku shihet fryma e krijimeve kombëtare dhe malli i pashuar për Kosovën, të cilën e viziton vazhdimisht në periudha të ndryshme.
Pra, edhe pse larg Atdheut, lidhja me Prizrenin e bukur e Kosovën dhe malli i madh për familjen dhe rrethin e saj, artikulohen fuqishëm në vargjet plot emocion e dashuri, plot mall e përkushtim për ta mbajtur të gjallë fuqishëm jetën e kujtimet aq të shumta për njerëzit e saj dhe Atdheun.
Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Pos shkrimeve të publikuara në rrjetet sociale dhe në ndonjë gazetë e revistë, ka botuar edhe këto vepra:

 Mall i pashuar, poezi, 2019
Jam mësuar t’u jap jetë kujtimeve, poezi, 2019
Dhimbje e shkruar, poezi, 2019
Ëndërr që nuk shteron, poezi, 2020
Largësi e mall, poezi, 2020
Etje e shpirtit të trazuar, poezi, 2020
Copëza jete, poezi, 2020

PRITJE

Sa herë e sa shpesh ngela në pritje –
Prita diellin të shkëlqejë mbi supet e mia,
Prita hënën të ndërtojë siluetën time
Prita po çfarë nuk prita në këtë jetë?

Asnjëherë dielli s’i lëshoi rrezet mbi mua,
Që të shkëlqejë si ar jeta ime pastaj,
Asnjëherë hëna s’ma dalloi siluetën time,
Që të mos vrapoj pas hijeve të huaja.

Dhe ngela duke pritur rrezet e diellit
e ndriçimin e hënës në një jetë pritjeje!
Ah sa prita…!

 

SONTE U PËRMALLOVA NËNË

Sonte desha të vij te ti nënë
me yllin e parë që shkëlqen mbi qiell
se larg këtu malli më ka zënë
Ka mote që më djeg ai mall
e s’më nxeh as dielli
Përtej largësive përtej gjirit tënd
jeta zbehet e merr tjetër kuptim
Më mban një shpresë dhe një dashuri
e me to ushqej dhe këtë mallin tim
Me dorën tënde shpesh freskoj këtë mall
mbi ballë vendos kujtimet për ty
dhe këtu ku jam larg sa larg
Jetoj me hallin tënd që digjet në sytë e mi
Ti në qytetin e ëndrrave të mia
e unë larg përtej egos i numëroj yjet
që t’i sjellin përqafimet e mia
Ndaj çdo çast
të të kujtoj me dashuri
në këtë natë të mbushur plot yje
Dhe një ditë në përqafimin tënd do të vij
ngrykas të çmallemi të dyja