Sherife Thaçi – Berisha

Sherife Berisha – Thaçi është krijuese nga Suhareka. Punon dhe vepron në Gjykatën Themelore të Prizrenit – Dega në Suharekë.
Me krijimtari letrare ka filluar të merret që nga bankat e shkollës fillore. Punimet e para të krijimtarisë së saj kanë parë dritën që nga viti 1970, ku janë botuar në revistën letrare “Jehona” dhe në gazetën “Flaka e vëllazërimit”, të cilat aso kohe botoheshin në Shkup. Gjithashtu krijimet e saj kanë parë dritën edhe në të gjithë rrjetin mediatik dhe revista të tilla, si: “Rilindja”, “Bota e re”, “Zëri i rinisë”, “Fjala”, “Shkëndija”, “Pioneri” si dhe në revistën “Fidani”.
Ka botuar librin me poezi me titull “Ngjyra jete” dhe “Shtigjet e skuqura”, i cili është i përkthyer në dy gjuhë – angleze dhe italiane, ku janë shpalosur vlerat e universalitetit, botuar në Tiranë.
Punimet e saj janë botuar edhe në disa antologji në Tiranë dhe në Kosovë.
Vlen të theksohet se në gazetën “Bota sot” ka botuar materiale nga masakrat e Suharekës dhe për eksodin masiv të popullatës së Kosovës të kësaj ane.
Punime të krijimtarisë së saj – poezi dhe prozë, ka të botuar edhe në librin me titull “Brerore Lirie”, të cilin çdo vit e boton shoqata për kulturë dhe art “Elena Gjika” e Suharekës.
Gjithashtu është pjesë e shumë librave të antologjisë, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri.
Me cikël të poezisë është paraqitur në revistën “Alb-Planet – FloriPress, në gazetën “Nacional” – Tiranë, në gazetën “Muzgu” – Tiranë, në portale të ndryshme në Kosovë e Shqipëri.
Gjatë veprimtarisë së saj letrare, është nderuar me çmime disa herë në konkurse letrare.
Është anëtare e shoqatës për kulturë dhe art “Elena Gjika” në Suharekë, anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtare e lidhjes ndërkombëtare të shkrimtarëve dhe të artistëve shqiptarë “Pegasi – Albania“ – Tiranë.