Shefqet Rexhepi

Shefqet Rexhepi, shkrimtar, gazetar, kritik letrar e teatror, lindi më 1951 në Mogillë të Vitisë. Shkollimin fillor e atë të mesëm i kreu në Viti dhe në Ferizaj, ndërsa studimet e larta në Degën e Dramaturgjisë të SHLP-së dhe në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë të Fakultetit të Filologjisë të Universiteti të Prishtinës. Sa ishte nxënës i Normales së Ferizajt ka marrë pjesë në veprimtari teatrore, në të cilat ka interpretuar role të ndryshme. Pas një pune trevjeçare si  mësimdhënës i gjuhës dhe i letërsisë, kryesisht në Gjimnazin e Ferizajt, nga 10 korriku i vitit 1978, fillon punën si gazetar në të përditshmen “Rilindja” të Prishtinës. Qysh në fillim të punës, interesohet posaçërisht për trajtimin e proble­­meve të arsimit universitar.  Këtë sektor do ta ndjekë deri në fillim të viteve ’90 (shek. XX), kur fillon të merret  edhe me tema të kulturës, duke u përqendruar sidomos në  lëmin e teatrit, ndërsa kohë  pas kohe edhe me tema të tjera nga fusha e letërsisë. Në “Rilindje” ka punuar gazetar e redaktor deri nga  fundi i vitit 2001. Një kohë punoi edhe  në gazetën “Kosova sot”, kurse disa vjet ka qenë edhe bashkëpunëtor i rubrikës “Bisedë gjuhe” në Radio-Prishtinë. Ka kultivuar disa zhanre gazetare – lajmin, raportin, artikullin, recensionin, komentin dhe analizën  nga ngjarje, probleme e dukuri nga më të ndryshmet shoqërore e kulturore.

Në fushën e krijimtarisë letrare, ai merret kryesisht me poezi. Deri tash ka botuar veprat poetike: Si e mëson Luli historinë (2005), Princesha bëhet flutur (2010), “Gjethe ëndërrimtare”(2010), “Trekëndëshi artistik” (shkrime për teatrin-2008) dhe Frymë e etur kohe (intervista me krijues dhe studiues, 2017).

Jeton në Prishtinë, ndërsa udhëheq shtëpinë botuese “Andena”.

Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.