Shaip Bllaca lindi më 5.5.1954 në fshatin Cërnicë të komunës së Gjilanit. Rrjedh nga një familje arsimdashëse. Shkollimin fillor e ka kryer në vendlindje, pastaj ka vazhduar për një zanat, por pas afro një viti lëndohet rëndë duke punuar… Jeta pas lëndimit i kalon me dhembje, vuajtje… Pas një viti pushim, shkollimin e mesëm e kryen në Gjilan, e shkollimin superior për edukator në Shkup, ndërsa më pas punësohet në një shkollë fillore, ku punon afro një dekadë. Meqë atëbotë ishte e lehtë të mbetesh pa punë; kjo i ndodh edhe atij për një vit, e më pas gjen punë në “Rilindje”, ku punon afro një dekadë tjetër. Edhe këtu futen masat e dhunshme, ku sërish mbetet pa punë. Në këto vite të vështira për vendin, okupatori serb mbylli dyert e shkollave për nxënësit shqiptarë dhe e ndaloi financimin për të gjithë punëtorët arsimorë. Atëherë formohet këshilli republikan i financimit në Prishtinë, me seli edhe në Gjilan, e ai punoi aty deri në fillimin e bombardimeve të NATO-s. Pas çlirimit, nga viti 2001 punësohet në KK të Gjilanit, ku punon edhe afër një dekadë dhe sërish pushteti e lë pa punë…
Që nga fëmijëria e kishte pasion leximin. Nga fillorja nisi të shkruajë vjersha për fëmijë, meqë kishte talent dhe ishte i pranishëm me vjersha nëpër programet e ndryshme shkollore, revistat letrare për fëmijë e të rritur, që botoheshin në Kosovë. Ka marrë pjesë nëpër shumë manifestime poetike në Kosovë e Shqipëri, duke u shpërblyer edhe me mirënjohje të shumta. Është përfshirë në antologji e libra nga grup autorësh brenda e jashtë vendit me poezitë e tij.
Jeton e punon në vendlindje.

Deri më tani ka botuar këto vëllime poetike:

Jeta ime, poezi, “Atunis”, Prishtinë, 2015
Edhe mua më thonë i vogël, poezi për fëmijë, “Atunis”, Prishtinë, 2015
Mirëmengjes jeta ime, poezi, “Atunis”, Prishtinë, 2015
Një pikë loti në vargjet e mia, poezi, “Atunis”, Prishtinë, 2016
Biseda me shpirtin, poezi, “Atunis”, Prishtinë, 2016
Lotët e bilbilit, poezi, “Atunis”, Prishtinë, 2016
Jeta është e bukur dua të jetoj, poezi, “Atunis”, Prishtinë, 2017
Lulet e jetës, poezi për fëmijë, “Ajet Shala”, Prishtinë, 2017
Pena ime, poezi, “Atunis”, Prishtinë, 2018