Sahit Shala

SAHIT SHALA

Lindi në fshatin Dubovik të komunës së Decanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, pastaj gjimnazin në Decan. Ka ndjekur studimet në Fakultetin e Filologjisë në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Angleze të Universitetit të Prishtinës. Ndërkohë ka vazhduar edhe në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në të njëjtin Fakultet.
Në vitin 1989 ka emigruar në Norvegji me familje, ku ka punuar si mësimdhënës i gjuhës shqipe dhjetë vjet rresht.
Ndërkohë ka studiuar edhe tre vjet të tjerë në drejtimin e pedagogjisë në UIA në Kristiansand.
Tani është mësimdhënës në gjuhën norvegjeze.

Ka botuar këto vepra:

Në vitin 2000 përmbledhjen poetike “Lahuta e Kosovës”
Më 2015 përmbledhjen me titull “Zëri i shtegtarit”.
Më 2016 përmbledhjen “Malli e brenga”.
Më 2017 ka botuar vëllimin “Valët e jetës”, “Kafazi i hapur”, “Engjëjt e bardhë”, “Dy pena me mendime te arta” (me Zymer Mehanin), si dhe vëllimin “Dy pena shumë mendime!” Dhe po atë vit vëllimin me titull “Me një fjalë”.
Më 2018 nxori romanin “Dashuri në kohë lufte”.

ZËRI I SHTEGTARIT

Cak e cuk përmbi çati
Një shtegtar që vjen përvjet,
Me plot ëndje e mjeshtëri
Po ndërtonte çerdhen vetë.

Me mjeshtëri e plot kujdes,
Kashtë e llaç i bënin bashkë,
Ciu e ciu si të kishin shpresë
Se një ditë shumë duhet dashtë!

Unë si fëmijë, mistrec i vogël
Nganjëherë hedhja ndonjë gur,
Fat i madh që s’i qëlloja
S’mund t’i hidhja përmbi mur!

Po ta dija për pak vite
Se dhe vetë do t’jem shtegtar,
Ika me tri dallëndyshe,
Larg n’veri këtu kam për t’ardhë.