SADIK PËRVETICA

Lindi në fshatin Breznicë, rrethi i Prishtinës. Disa vjet punoi si mësues në vendlindje, kurse pas kryerjes së studimeve në Universitetin e Prishtinës, punoi si profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në një shkollë të mesme, për të vazhduar punën, më vonë, edhe si gazetar, lektor e redaktor në Radio-Prishtinë, në disa gazeta e revista të kohës dhe pas luftës – në Radio-Kosovë. Është fitues i disa çmimeve letrare për tregime, për poezi dhe për pjesë teatrale. Libri poetik: „Gjethet e kujtimeve“ është përkthyer në gjuhën rumune. Gjithashtu disa nga poezitë e tij janë përfshirë edhe në një antologji në gjuhën rumune. Disa nga esetë e tij janë botuar edhe në Kanada, në Gjermani etj. Shkruan prozë, poezi, drama, vështrime letrare, ese dhe publicistikë.
Jeton në Prishtinë.

Veprat letrare

  1. KAH E SHKEL KËMBA E PULËS, tregime humoristike për fëmijë, “Druckart”, Prishtinë, 1995, ribotim 2011
  2. NJOHJE, tregime, botim i autorit, 1996
  3. GËZIM DHE LUMTURI, pjesë teatrale për fëmijë, “Rilindja”, 2000, ribotim 2012
  4. SHIKIMI NË KORNIZË, roman për fëmijë, “Rilindja”, 2000, ribotim 2009
  5. DIELL DHE YLBER NË ZEMRA, tregime të zgjedhura për fëmijë, “Rozafa”,  2004
  6. E KUJT ËSHTË DHIA, humor, satira e kozeri, botim i autorit, 2004
  7. PIRAMIDALE, poezi, “Nositi”, Prishtinë, 2010
  8. TROJA, tregime, “Nositi”, Prishtinë, 2010
  9. Kur KASHTA  e ha VAKTIN, poezi satirike haiku, “Fahri Fazliu”, Kastriot, 2010, ribotim 2013
  10. FJALSHKURTA TË MOSHËS, KL “Fahri Fazliu”, Kastriot 2010, ribotim me plotësime, “Atunis”, Prishtinë 2013, 2017
  11. NËPËR FURTUNË, dramë, botim i autorit, 2011
  12. GJETHET E KUJTIMEVE, Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë, 2012 (rumanisht e shqip), Bukuresht e Prishtinë
  13. REFLEKSIONE LETRARE, vështrime kritike, analiza, ese, “Prishtina PRESS”, Prishtinë, 2013
  14. VALLJA E LIRISË, poezi e tregime për fëmijë, “Meshari”, Prishtinë, 2014
  15. SFIDA TË VJETRA E TË REJA, publicistikë, “Meshari”, Prishtinë, 2015
  16. PESHKU I MËRZITUR, roman për fëmijë, “Atunis”, Prishtinë, 2016
  17. LAPIDARËT E ATDHEUT, poezi, “Atunis”, Prishtinë, 2017
  18. BUBRRECI DEPUTET, tregime të zgjedhura satirike, LSHK, Prishtinë, 2018

MONSTRUMI

Tregim

Varianti i Zanës

 I lodhur nga mosha, Profesori plak ecte i kalamendur, duke u mbajtur në një shkop, i cili, kohëve të fundit iu kishte bërë shok i pandashëm i jetës. Tek po ngjitej, me aq mundim, shkallëve të hyrjes për në banesë, në njërën dorë shkopin, kurse në tjetrën ca gjëra të tjera, Zana e pa, iu afrua, zgjati duart dhe i tha: “Profesor! A mund t’ju ndihmoj pak?”
“Faleminderit”! – ia ktheu Profesori dhe ia lëshoi në duar qesen e najlonit me gjërat e vogla që kishte marrë në dyqanin para banesës.
 Tek po ngjiteshin shkallëve, Profesori iu drejtua Zanës: “Faleminderit për ndihmën, moj bijë, por…A po njihemi unë e ti prej dikah?!”
“Unë po ju njoh juve, Profesor. Ani pse ne nuk jemi takuar asnjëherë më parë. Megjithatë, meqë isha duke u ngjitur deri te një shoqe, ju pashë juve dhe desha t’ju ndihmoj sadopak”- ia ktheu Zana.
“Faleminderit shumë! Po ju… punoni dikund, apo, ndoshta, studioni?” – pyeti tjetri.
“Unë jam në përfundim të studimeve. Dhe tani kam marrë për ta punuar edhe temën e diplomës” – ia ktheu me një buzëqeshje dhe pakëz me krenari Zana
“Aaaa! Shumë mirë. E në cilin fakultet?”-pyeti prapë Profesori.
Pasi ia dha përgjigjen, pak para se të arrinin te dera e banesës së Profesorit, Zanës i shkrepi në mendje diçka… Ndaj, pasi u mendua pak, iu drejtuas: “Profesor, desha t’ju pyes diçka?”
“Vetëm urdhro” – ia ktheu Profesori.
 “Meqë u njohëm kështu dhe meqë unë e di se Ju jeni një profesor i njohur, desha t’ju pyes nëse keni mundësi që, posa ta përfundoj punimin tim të diplomës: të ma lexoni ju, i pari? Kjo do të më jepte shumë siguri në punën time. Ndaj, po qe se nuk përtoni dhe po qe se rezervoni pak kohë për mua, unë do t’jua dija shumë për nder. Dhe, për punën që do bëni ju për mua, kuptohet: unë edhe do ju shpërbleja:  pa kurrëfarë ngurrimi”.
“Kjo që po kërkoni ju prej meje, është një nder i veçantë për mua. Ndaj, posa ta përfundoni punimin, silleni tek unë. Pastaj, unë do ta lexoj dhe do jap mendimin tim për të.” – ia ktheu Profesori.
Nuk kaloi shumë kohë dhe Zana ia dorëzoi punimin e diplomës Profesorit. Gjithashtu, edhe ky i fundit, në një afat shumë të shkurtër, posa lexoi punimin e saj, thirri Zanën në telefon dhe i tha: “Punimin tënd e lexova me vëmendje. Bile, shkrova edhe pak fjalë për punën që keni bërë. Ndaj, po të duash, eja dhe merre nesër”.
Në ato çaste, Zana sa s’fluturoi nga gëzimi. Me padurim priti orën që ia caktoi Profesori. Ndaj, të nesërmen, u vesh, u mbath, u përgatit siç iu duk më së miri dhe u nis.
Pas pak minutash, trokiti në derën e Profesorit.
Profesori hapi derën ngadalë dhe, me një buzëqeshje të veçantë, ia zgjati dorën Zanës duke e ftuar të hynte brenda. Sjellja aq e përzemërt e Profesorit, studentes së re ia shtoi shpresat se ky i fundit ishte shumë i kënaqur me nivelin profesional dhe gjithëpërfshirës të punimit të saj.
Posa hynë brenda, Profesori i dha shenjë që të ulej në fotelen përballë, duke e pyetur, çfarë lëngu donte të pinte.
“Jo, jo! Ju lutem, mos u mundoni. Unë nuk dua t’jua marr kohën, por… Vetëm desha ta di mendimin Tuaj për nivelin e punimit dhe të punës që kam bërë?” – e luti Zana.
“Përmbajtja dhe…punimi juaj, m’u duk se ishte në nivelin e duhur. Megjithatë, në fund të punimit, unë kam dhënë ca këshilla të vogla për ca ndryshime dhe plotësime. Në shikim të parë, ato gjëra, për të cilat kam shkruar, ndoshta, duken si vogëlsira, Megjithatë, gjëra të tilla çojnë peshë dhe i japin sharm të veçantë secilit punim diplome”- tha Profesori.
Pas këtyre fjalëve, të dy bashkë, faqe për faqe: shfletuan punimin. Dhe në fund, Zana e pyeti: “Profesor! Tani më tregoni, ju lutem, sa ju kam borxh për punën që keni bërë për mua?
“Borxh…! Ah, jo, jo… Asgjë, asgjë!” – u përgjigj me disa ndërprerje mendimesh: disi dyzuese Profesori.
Vonesën  në përgjigje dhe në zhagitjen e fjalëve të tij, studentja e re i kuptoi sikur tjetri nuk po dinte si e sa të kërkonte. Ndaj, i tha:  “Profesor! Të lutem, mos ngurro, por më thuaj lirisht: sa ju kam borxh”.
Profesori plak, pasi u mendua pak, ia ktheu:
“Para nga ti?! Ah, jo, jo… Para nuk dua, kurrsesi. Por ti, meqë po insiston kaq shumë, nëse do, mund edhe të më shpërblesh me… Me  ndonjë gjë, apo me diçka që…” – uli kokën dhe foli, si me vete, me një buzagaz të shpifur, Profesori plak.
“Unë nuk po kuptoj se me çka tjetër mund t’ju shpërblej, përveç me ndonjë lekë” – ia ktheu, pakëz e shqetësuar Zana, pa e kuptuar qartësisht se ç’po kërkonte tjetri prej saj.
Profesori plak ktheu shikimin kah dritarja, pastaj, me njëfarë buzëqeshjeje të shpifur, e duke hapur duart para vetes, iu drejtua Zanës:  “Paj… Nëse ju doni, atëherë, këtë punë që bëra për juve, ju mund të ma shpërbleni me… Me ndonjë gjë tjetër… Siç po shihni, unë tani edhe kam filluar të plakem, ndaj… Mbase, mua më ka mbetur vetëm edhe pak kohë jete, sa për t’u argëtuar e lumturuar sadopak, dhe…, pse jo: edhe për të bërë edhe ndonjë qejf dhe ndonjë kënaqësi të vogël të rastit me dikend si ju…”
Pas këtyre fjalëve, Profesori plak uli kokën dhe priti në heshtje përgjigjen e Zanës, me shpresë se studentja e re dhe shumë ambicioze, do t’ia plotësonte, pa ndonjë ngurrim të madh: dëshirën e tij…, në mënyrë që sindroma e përjetshme, sindroma e sëmurë mashkullore, edhe në këto çaste dramatike pleqërie të tij, të përmbushej sadopak.
Kur iu bë e qartë se ç’kërkonte Profesori plak prej saj, Zanës iu errësuan sytë; i humbi vetëdija dhe… iu mbushën sytë me lot. Duke mbuluar fytyrën me të dyja duart: një duf i madh në formë ankthi…, një shtërngim kraharori, i panjohur kurrë më parë, iu ngjit dhembshëm ; e kapi për gabzherri dhe e shtërngoi fort, sikur donte t’ia nxirrte shpirtin! Iu duk se në vend të njeriut që ishte ulur përballë saj, i doli një … një monstrum, apo një përbindësh, i cili… donte ta gllabëronte ose ta fuste të gjallë në dhe…!
Derisa, Profesori plak (edhe ai në një ankth të madh) po pritte përgjigjjen e tjetrës, Zana: kokulur dhe, tepër e mërzitur, duke lëshuar një ofshamë të thellë nga fundi i barkut, u ngrit shpejt nga vendi, la punimin e diplomës dhe doli me shpejtësi, duke përplasur derës pas.
“Zana! Zana! Merre punimin! – thirri Profesori nga dera e hapur.
Pa thënë asnjë fjalë, por zemërthyer dhe tepër e befasuar dhe e  mërzitur: Zana zbriti shkallët me një hap të shpejtë, si ta ndiqnin ujqit. E, gjatë rrugës, filloi të meditonte me vete: “Gjatë gjithë kohës së studimeve të mia, unë mësova për shumë gjëra: profesionale dhe joprofesionale. Megjithatë, në mënyrën më çnjerëzore, sot jeta ma mësoi edhe një dimension tjetër të saj! Një dimension shumë jonjerëzor, për të cilin, po të mos e kisha provuar vetë: kurrë nuk do ta kisha besuar! Ky, pra, qenka dimensioni më shtazarak i… i një intelektuali të rrjedhur?! I… i një monstrumi, mbase: edhe të sëmurë mentalisht! Me këto mendime në kokë, Zana ecte drejt shtëpisë, duke mbajtur kokën me duar dhe duke mos u besuar as veshëve, as syve të vet.
Ky ishte varianti i rrëfimit autentik të Zanës.

Por rrëfimi i Profesorit plak ishte krejtësisht ndryshe:

Varianti i Profesorit: “ Përveç shkencës, gjatë tërë jetës, unë kam qenë i sukseshëm edhe me femra. Shumica prej tyre, bile, më janë paraqitur vetë. E, prej tyre, ka edhe sot që më paraqiten. Kështu, kohëve të fundit, m’u paraqit edhe një studente e re dhe shumë e bukur. (emrin e së cilës nuk po e përmend). Studentja në fjalë më luti që t’ia kontrolloja një punim diplome. Dhe, në fund, kur më pyeti për kompensimin e punës që kisha bërë në rregullimin e punimit të saj, unë i thashë prerë se nuk doja para. “Atëherë, më thuani, ju lutem: me çka mund t’jua shpërblej punën dhe mundin tuaj?” – më pyeti ajo. Bile, edhe m’u lut shumë që: me çdo kusht, të më shpërblente me … Me çkado që kisha dëshirë unë! Ndaj … Duke shikuar punimin, tepër e ekzaltuar për punën që kisha bërë, në një çast, ajo më tha edhe këtë: “ Ju lutem shumë, ju vetëm më tregoni se me çka mund t’jua shpërblej, sadopak, punën që keni bërë për mua”. Derisa unë, meqë ajo më luste dhe ngulte këmbë aq shumë që të më shpërblente me diçka, në fund, i thashë: “Tani, në këtë moshë dhe në gjithë këto gjëra që kam arritur, mua më mjafton vetëm edhe ndonjë çast sado i shkurtër lumturie dhe… aq! E, ajo tjetra, duke nënkuptuar se ç’dëshiroja, pa ia thënë me fjalë: u shtri në krevat: e buzëqeshur dhe…”
Dhe këtu e kështu përfundonte rrëfimin, apo, më mirë të themi: variantin e rrëfimit Profesori plak për Zanën. E ju, lexues të nderuar: merreni për të vërtetë: cilin variant të doni.