Sadik Bicaj

SADIK BICAJ

Lindi në Vrellë të Istogut, më 21.10.1958. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Pejë, SHLP-në në Gjakovë, ndërsa Fakultetin e Filologjisë, Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe, në Universitetin e Prishtinës.
Është anëtar i Shoqatës së Gjuhës Shqipe të Kosovës, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe kryetar i klubit letrar “Podguri” të Istogut.
Merret me poezi, gjuhësi, kritikë letrare dhe publicistikë. Një kohë të gjatë, para luftës së UÇK-së, punoi në shkollën fillore “Fazli Graiçevci” të Hades së Obiliqit, pastaj në shkollën fillore “Hysni Zajmi” të Vrellës, ndërsa pas luftës disa vjet në gjimnazin “Haxhi Zeka” të Istogut, ndërsa nga vitit 2010 është drejtor në SHFMU “Hysni Zajmi” të Vrellës.
Krahas punës në arsim, dhjetë vjet paslufte, ishte edhe korrespondent i rregullt i gazetës “Koha Ditore” nga Istogu, ndërsa krahas kësaj një kohë ishte edhe përgjegjës për kulturës në Drejtorinë e Arsimit dhe drejtor në Shtëpinë e Kulturës “ Adem Jashari” të Istogut.

Deri tash ka botuar këto vepra:

“Plaga e kurbetit”, dramë, 1992

“Zëri i pikëllimit”, poezi, 1994

“Artikuj gjuhësorë praktikë”, 1996

“Historiku i shkollave fillore të komunës së Istogut”, monografi, 1997

“Vështrime letrare”, 2000

“Rrugët drejt lirisë”, ditar nga lufta, 2002

“Sylë Vrella, mjek i njohur popullor”, monografi, 2006

“Teste nga Gjuha Shqipe e Letërsia”, 2008

“Fadil Ferati, veprimtar i denjë i lirisë dhe pavarësisë” (monografi), 2014

“Vështrime gjuhësore e letrare”, 2019

“ Këndvështrime gjuhësore në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”

Vëllimi poetik i tij “Zëri i pikëllimit”, 1994, i është përkthyer në gjuhën suedeze, 2020,

nga Shoqata” Dora e artë” në Malmo.

Sadik Bicaj është përfshirë në “Leksikonin e shkrimtarëve” të Hasan Hasanit, në

“Leksikonin enciklopedik” të Akademisë Shqiptare Amerikane, 2020, të autorit Flori Bruqi, në “Antologjinë e poezisë moderne shqipe” të autorit Adem Zaplluzha etj.

Jeton dhe vepron në vendlindje.

 

FJALË NË GUR

 

Hap pas hapi

Të gjitha i zë

Kap rrënjët e fjalës

Në rrasë të purpurtë

Në shkallë të rrezuara të jetës

Çaj ankthin në Grykë të Lugetërve

Dhe më besoni

Nga Skila në Grykë

Në sytë e natës skëterrë

Fytyra djajsh shoh në përftim

Tek ndiej fjalë në gur

Njerëzit po vijnë

Njerëzit po shkojnë

Tani sikur u zhdukën largësitë

Të bëhen legjendë