Ilirida Ismaili

Ilirida Ismaili lindi më 15.5.1955, në Tearce të Tetovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Prishtinë, kurse studimet i vazhdoi në Fakultetin Juridik të Universiteti të Prishtinës.
Nga mosha e re filloi të merret me aktivitete kulturore e veprimtari kombëtare. Prandaj, puna e saj ra në sy të pushtuesve dhe u ndoq e u maltretua nga shovinistët sllavomaqedonas për shkak të kësaj veprimtarie. Aktiviteti i saj qe i vazhdueshëm, nuk u ndal deri në vitin 1998, kur filloi edhe të bashkëpunojë me ilegalen për Kosovën Republikë, duke u kyçur kështu në vitin 1999 edhe në luftën e UÇK-së, ushtare e logjistikës në rajonin e Prishtinës deri në çlirimin e Kosovës.
Pas mbarimit të luftës bëhet ushtare e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, duke vazhduar edhe me veprimtari kulturore-artistike, me deklamime të shumta për dëshmorët e kombit e të atdheut. Recitimet i kishte pasion nga shkolla fillore, nga bankat shkollore, prandaj qenë të shumta pjesëmarrjet sidomos në akademitë e organizuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës për dëshmorët e kombit dhe të festave të ndryshme kombëtare.
Ka botuar punime poetike nëpër revista e gazeta të ndryshme.
Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe e disa asociacioneve të tjera letrare brenda e jashtë vendit. Pos këtyre aktiviteteve, shpeshherë angazhohet edhe në shfaqje të ndryshme teatrore duke luajtur sidomos rolet e nënës, të mësues etj.
Është nderuar me shumë mirënjohje nga fusha e artit dhe e kulturës, si dhe për veprimtari të tjera shoqërore e atdhetare, si: “Medalja e artë” e TMK-së, mirënjohja për kontributin gjatë kohës së luftës së UÇK-së,  veterane e luftës së UÇK-së etj.; dhe mirënjohje, certifikata, medalje, dekorata etj.
Jeton e vepron në Prishtinë.

Ka botuar këto vepra:

“Kodra e lidhur me pranga”, poezi, “Zef Serembe”, Prishtinë, 2008

“Kosova e lagur nga gjaku”, poezi, “Zef Serembe”, Prishtinë, 2011

“Malet me uniformë”, poezi,  “Zef Serembe”, Prishtinë, 2012

“Pushkët e lirisë”, poezi, KL “Arif Shala”, Prishtinë, 2017