Prof. dr. Sabile Keçmezi – Basha

Prof. dr. Sabile Keçmezi – Basha lindi më 1954, në Koretin të Dardanës (Kamenicë). Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Dardanë, më 1973. Studimet themelore i mbaroi në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, më 1977. Magjistroi në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Filozofik, Dega e Historisë, më 1980, kurse doktoroi më 1984. Botoi mbi 300 njësi bibliografike nga ato shkencore, publicistike, trajtesa, vështrime, shqyrtime e fejtone.
Që nga fëmijëria shkruan poezi për fëmijë dhe për të rritur. Ka botuar shumë tregime, drama, romane, ese etj. Ka botuar pesëmbëdhjetë vepra dhe ka marrë shumë mirënjohje e çmime letrare. Ka marrë pjesë në tubime të ndryshme shkencore e letrare në Kosovë dhe jashtë vendit.
Ishte redaktore përgjegjëse për hapësirën etnike shqiptare në territorin e ish-Jugosllavisë në revistën “Bota shqiptare”, që botohej në Tiranë (1991-1993); kryeredaktore e revistës për gra “Dëshira” (1990-1991); anëtare e redaksisë e revistës shkencore “Kosova”, Instituti i Historisë; redaktore e portalit “Zemra shqiptare” për rubrikën “Speciale”; anëtare e këshillit botues të revistës “Kosovarja” 1987-1991; anëtare e redaksisë e revistës shkencore “Studime historike”, Tiranë; mësimdhënëse e angazhuar në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës për lëndët: historia e shkencave, historia e demokracisë, integrimet evropiane, në Prishtinë dhe Gjilan (2004-2012); deputete e Parlamentit të Kosovës (legjislacioni i parë) 2001-2004; ambasadore e paqes që nga viti 2005 (Universal Peace Federation); anëtare e Akademisë në Academie Europeenne Des Arts, Luksemburg, 2011; anëtare e Këshillit të shkencës – Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë, 2012; shefe e Departamentit të Historisë Bashkëkohore; këshilltare shkencore, 2005 (profesor ordinar). Aktualisht merret me probleme të historisë bashkëkohore. Që nga viti 1978 punon në Institutin e Historisë.
Ka marrë shumë mirënjohje e shpërblime, nga të cilat: më 1987, në “Akordet e Kosovës”, u shpërblye me “Penën e artë” për tekstin më të mirë të Akordeve; Shoqata e të Burgosurve Politikë, për angazhimin shkencor në fushën e historisë më të re të shqiptarëve në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, 2008; Ministria e Shërbimeve Publike, për të arriturat në shkencë dhe për angazhimin e saj për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Kosovë e më gjerë; Kuvendi Komunal i Komunës së Gjilanit, 2009; Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve në Trojet e Tyre, 2010; Këshilli Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës, për kontributin e dhënë në çështjen e të zhdukurve të Kosovës, 27.04.2010, Prishtinë; nga Komuna e Pendikut – Stamboll (Turqi), 2011; Takimet e Dom Mikel Tarabulluzit, Stubëll, 1993; Parlamenti i Studentëve i Universitetit të Prishtinës, për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm gjatë periudhës maj 2010 – maj 2011, Prishtinë; Parlamenti studentor, për kontribut në aktivitete studentore gjatë periudhës 2011-2012; Kuvendi Komunal i Gjilanit, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, 2012; më 7 janar 2016, “Mirënjohja për ngritjen dhe fuqizimin e gruas në politikë”, nga Gruaja Demokratike; Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, 22 dhjetor 2016; Lugina e Preshevës, e Medvegjës dhe e Bujanocit, “Mirënjohje për kontributin në zbardhjen e figurave të rëndësishme kombëtare” (2014); Lëvizja Kombëtare Shqiptare, “Pajtimi i gjaqeve”, për veprimtari atdhetare dhe humanitare, Prishtinë (28 nëntor 2-14; Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, Komuna e Skënderajt, 13 maj 2014 etj. Shoqata e Historianëve të Kosovës -anëtare e Kryesisë; Shoqata e Politikologëve të Kosovës – anëtare e Kryesisë; Shoqata e Intelektualëve të Anamoravës – anëtare e Kryesisë; Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës -anëtare e Kryesisë; asociacioni i shkrimtarëve italian “Piu voci nel coro”, më 2009, Porto Recanati-Ancona.
Shkruan e flet rusisht (mirë), anglisht (pasive), serbisht e kroatisht (shkëlqyeshëm) dhe gjuhët e tjera sllave.

Ka botuar këto vepra:

a) Botime shkencore

Programet Politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, 1878-1990, Instituti i Historisë. Prishtinë, 2013, 429 f.
Veprimtaria atdhetare ilegale në Anamoravë 1945-1990, Pjesa e Parë, IH, Prishtinë, 2013, 409 f.
Të burgosurit politikë shqiptarë në Kosovë 1945-1990, Logos-A, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2010, 600 f.
Shtypi ilegal shqiptar në Kosovë (1945-1999) I, Prishtinë, 2009, 570 f.
Organizatat dhe grupet ilegale në Kosovë 1981-1989, Prishtinë, 2003, 346 f.
Lëvizja patriotike shqiptare në Kosovë 1945-1947 (ribotim), Balli Kombëtar, Shkodër, 1999, 132 f.
Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë 1945-1948, Prishtinë, 1998, 303 f.
Monografia Gjilani me rrethinë (bashkautore), Gjilan, 2012
Sulejman Krasniqi – Veprimtaria atdhetare, Shoqata e të Burgosurve Politikë, Prishtinë, 2012, 335 f.
Ekspozita Shtypi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (1945–1999), 26 nëntor 2012. Kuvendi Komunal – Gjilan
Kontributi atdhetar i Hyrije Hanës, Libri Shkollor, Prishtinë, 2011, 330 f.
Kosova në shtypin e mërgatës shqiptare (1945-1990) III (Qëndresa Shqiptare; Krahu i Shqiponjës; Kosovarja e Re), Libri Shkollor, Prishtinë 2011, 323 f.
Kosova në shtypin e mërgatës shqiptare (1945-1990) II (Lajmëtari i Lirisë; Përpjekja Kosovare), Libri Shkollor, Prishtinë 2011, 303 f.
Zhvillimi historik i PKJ-LKJ-së në Kosovë më 1945-1966 (nga viti 1945 deri te Plenumi i Brioneve), Instituti i Historisë, Prishtinë, 1987, 285 f.
Vlerësime politiko-historike, Brezi’81, Prishtinë, 2012, 319 f.
Kosova 1945-1990 (Vështrim politiko-historik), Instituti i Historisë, 2017, 577 f.
Formimi dhe veprimtaria e NDSH-së – Procesi gjyqësor i Prizrenit, 1946, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2018, 803 f.
Ngjarjet, dëshmitë dhe identiteti kombëtar, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2018, 601f.
Ballafaqim me dëshmitë historike, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2018, 587 f.
40-vjet veprimtari shkencore, Brezi 2018, 240

b) Botime letrare:

Këmisha e Atdheut, poezi, LSHK, Prishtinë, 2013
Metaforë iberike, poezi, LSHK, Prishtinë, 2011
Kujtesën e ka kapur skleroza, poezi, LSHK, Prishtinë, 2011
Nusja e gurtë, poezi, “Rilindja”, Prishtinë, 1989
Kohë epileptike, poezi, “Jeta e re”, Prishtinë, 1996
Dy lule ka mami, poezi, “Pionieri”, Prishtinë, 1993
Ëndrrat e trishta, poezi, “Rilindja”, Prishtinë, 2000
Hadi, dramë, SHSHK, Prishtinë, 2005
Nata pa kornizë, roman, LSHK, Prishtinë, 2008
Malli për Itakën, poezi, LSHK, Prishtinë, 2008
Anatomia Iubirii, poezi, Bukuresht, 2009
Kodi i pritjes, poezi, LSHK, Prishtinë, 2010
Në klasën e parë, poezi, “Era”, Prishtinë, 2016
Testament, poezi, LSHK, Prishtinë, 2018
Beni e qenushi, poezi, LSHK, Prishtinë, 2018
Çka do pritja pa mua, poezi, LSHK, Prishtinë, 2018

ËSHTË RRËZBITUR  HISTORIA

 

Ishte rrëzbitur

Historia mesjetare

Laura e kufirit kishte marrë

Trajtë të patrajtë

Barbarët kishin shaluar atdheun.

 

Edhe më i sertë

Ishte fati

E këmisha e zezë e historisë

Mbulonte dëshirat tona.

 

E ikin udhët

Të cilat nuk kthehen

Të cilat nuk shkojnë

Asgjëkund

Nga logu i mejdanit.