Rizah Sheqiri lindi më 1961 në Brainë, komuna e Besianës. Shkollën fillore e kreu në Brainë, të mesmen e mjekësisë në Prishtinë, kurse Fakultetin e Filologjisë – Dega e Letërsisë dhe e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Që në shkollën e mesme nisi të bashkëpunojë me revistat dhe gazetat në gjuhën shqipe në Kosovë dhe më gjerë. Një kohë bashkëpunoi edhe me programin arsimor të Radio-Prishtinës dhe më pas, më 15 qershor 1983, u pranua gazetar i rregullt. Në Radio-Prishtinë realizoi një varg emisionesh kulturore, artistike, arsimore dhe për fëmijë. Në radio iu realizuan edhe një varg radioskenash. Shkroi mbi dyzet tekste të këngëve për fëmijë, të zhanrit popullor dhe argëtues.
Shkruan prozë dhe poezi për të rritur dhe për fëmijë. Pos me gazetën “Rilindja”, bashkëpunoi edhe me revistat për fëmijë “Gazeta e Pionierëve”, “Pionieri” pastaj me “Gëzimin” dhe “Fatosin” e Shkupit etj. Ka botuar shumë krijime letrare të të gjitha gjinive dhe ka fituar disa shpërblime në konkurset letrare. Në Radio-Prishtinë është shpallur gazetari më i mirë i Programit Kulturor.
Rizah Sheqiri shkruan edhe recensione e shkrime publicistike. Ka shkruar për letërsinë për fëmijë dhe për të arriturat e krijuesve letrarë e figurativë në Suedi.
Nga dhjetori 1991 jeton dhe krijon në Suedi, ku bashkëpunon me të gjitha gazetat dhe revistat që dalin aty. Është redaktor i revistës “Besa” dhe bashkëpunëtor i disa revistave të tjera. Është angazhuar në disa projekte që për qëllim kanë pasur të bëjnë të njohura vlerat tona kulturore e kombëtare dhe të vërtetën për shqiptarët në Suedi. Vlen të përmendet projekti “Shqiptarët e Kosovës duan Liri”, që për moto kishte ”Dejtoni – po, po ku mbeti çështja e shqiptarëve?” etj. Angazhimi i tij nuk ka munguar asnjëherë duke shkruar artikuj, debatues e informativ, me qëllim që të marrë në mbrojtje çështjen e drejtë shqiptare, luftën e drejtë të tyre për liri e pavarësi.
Punon si mësues i gjuhës amtare dhe shquhet për organizimin e dhjetëra manifestimeve kulturore e letrare. Bashkëpunon me Entin Shtetëror për Shkolla të Suedisë dhe është koautor i tre librave shkollorë për nxënësit shqiptarë: “Urat tona 1” (1997), ”Urat tona 2” 1999 dhe së shpejti do të shohë dritën e botimit libër leximi për nxënësit shqiptarë në ciklin e ulët të fillores.

Deri tash ka botuar këta libra për fëmijë:

“Hëna e di lojën” (poezi), Enti i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore – Prishtinë, 1990; ribotuar më 1995, ShB “Besa”, Suedi
“Zemër krejt dashuri” (poezi), Forumi i Krijuesve të Artit, Prishtinë, 1990
“Çerdhja e gëzimit” (poezi), botim i autorit, Suedi, 1992
“Mos na e ndalni rritën” (dramë), Klubi letrar “Jusuf Gërvalla”, Malme, Suedi
“Shëngjergjat e mi” (poezi), Bashkësia e Shoqatave Shqiptare në Suedi, 1993
“Peshq të vegjël” (novelë), LASH “N. Frashëri”, Suedi 1993
“Bashkë shkojnë e vijnë ndërrojnë mote e stinë” (poezi), ShB “Besa”, Suedi, 1996
”Kujt i buzëqeshin lulet” (poezi), SHB ”Toena”, Tiranë,1998
”Dashuri mbi dashuritë” ( poezi ), botim i autorit, Suedi, 1998
”Shëtitja” (novelë), SHB ”Lilo”, Tiranë, 1998
”Kur bishti e harron kokën” (fabula), SHB ”Lilo”, Tiranë, 1998
”Në shoqëri me të adhuruarit e mi” (poezi), ”Toena”, Tiranë & NBV- Blekinge, Suedi, 1998
”Pranverë pa pranverë” (poezi), ”Toena”, Tiranë, 1999
“Shoferi i lojës (tregime për fëmijë), “Doruntina”, Gjermani, 2000
”Pak më ndryshe” (tregime dhe përralla për fëmijë), “Doruntina”, Gjermani, 2000
“Përqafim në ëndërr” (tregime për fëmijë), Malme – Suedi, 2000
“Utan hem var ska man bo?” – ”Ku të banosh kur s’ke shtëpi?” (një novelë dhe disa poezi suedisht), Suedi, 2002
”Pranvera do të vijë” (Pjesë teatrale), “Doruntina”, Gjermani, 2002
”Zemër krejt dashuri” (shqip e suedisht), ”Ardhmëria”, Karlskrona, Suedi, 2003

Për të rritur ka botuar vëllimet poetike:

“Merimanga e dritës”, “Dielli”, Prishtinë, 1991
“Shkurt e shqip”, ShB “Lilo”, Tiranë, 1994
“Flutura në erë”, ShB “Lilo”, Tiranë, 1995
”Flutura në natë”, ShB ”Toena” , Tiranë, 1998
“Nëse patjetër të duhet e vërteta”, ShB ”Rosengård”, Malme (shqip e suedisht), 2000
“Nëse patjetër të duhet e vërteta”, ShB ”Botimpex”, Tiranë (shqip e gjermanisht), 2000
“Degëz e këputur” (përzgjedhje), ShB “Toena”, Tiranë, 2002
“Nëse patjetër të duhet e vërteta” (ribotim shqip e suedisht), Suedi, 2003
“Nëse patjetër të duhet e vërteta”, (botim shqip e anglisht) Suedi, 2003
“Rruga drejt vendlindjes” (tregime), ShB “Lilo” – Tiranë, 1997.
“Shprishje” (recensa, shënime kritike e studime për letërsinë për fëmijë), ShB “Toena”, Tiranë, 2002

Disa nga punimet e tij janë përkthyer në gjuhën gjermane, italiane, turke, angleze e në atë suedeze. Poezitë e tij janë përfshirë në disa antologji të poezisë në gjuhën shqipe, si dhe në antologjinë e krijuesve shqiptarë në Suedi me titull “Diell në dritare” e botuar nga SHB “Rosengård” në Malme, më 2000.
Ai merret edhe me përkthime nga suedishtja në gjuhën shqipe. Ka përkthyer disa libra për fëmijë të shkrimtarëve të njohur suedezë Per Nilsson dhe Ulf Nilsson, pastaj përmbledhjen e poezive “Ora” të Anders Johanssonit etj. Ai e ka përkthyer edhe librin për fëmijë Rruga e gjatë, shumë e gjatë” të shkrimtares Rose Lagerkrantz dhe Ilon Wikland.
Është anëtar i disa rretheve letrare e shoqatave kulturore në Suedi, ndërsa që nga fillimet e vitit 1994 është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Suedisë. Për vitin 2000 kjo Shoqatë i dha bursën vjetore për krijimtari letrare, ndërsa Kuvendi Komunal i Karlskronës ia dha Çmimin për Kulturë për vitin 2002.