Remzie Rexhbogaj

REMZIE REXHBOGAJ

Lindi më 31.03.1969 në Siqevë të Klinës. Shkollën fillore e ndoqi në Ujmir. Gjer në vitin 1998 ka jetuar në Kosovë, ku ka punuar në një firmë familjare. Në fund të vitit 1998, nga represioni serbo-sllav është detyruar të shpërngulet sikur shumë shqiptarë, duke kërkuar një jetë më të lirë. Fati e deshi që ajo të vendosej në Oslo të Norvegjisë. Duke e ditur se gjuha është çelësi i jetës, fillon kursin e gjuhës norvegjeze dhe e përfundon me sukses. Pastaj vazhdon punë të ndryshme pa ndërprerë derisa zë punë të përshtatshme që i përgjigjet afinitetit të saj në Kantin Leder në Oslo.
Duke pasur parasysh dashurinë për familjen, sjell në jetë dhe tre fëmijë: Ernën, Ertonin dhe Ernotin.
Në fushën e krijimtarisë letrare ka filluar të shkruajë pas “ikjes” së engjëllit të saj nga kjo jetë, Ernës. Duke ndier këtë atmosferë të vështirë, të rëndë, madje sikur pena sadopak ia lehtësonte dhembjen e shpirtit, mallin që kishte për Ernën, vazhdon të shkruajë.

Ka botuar këto vepra:

Në sytë e diellit të kam Erna, monografi, “Meshari”, 2020

Më gjej zgjuar Erna, “Meshari”, 2021

Të njoh mes yjesh Erna, “Meshari”, 2021

Mos hesht Erna, “Meshari”, 2022

LULJA IME

Erna – lule e bukur
Në kopshtin e vërtetë
Të përjetësisë

Me shpirtin tënd
Ngjyra të bukura
Parajsës i dhuron

Si drita e kandilit
Në botën e amshimit
Sytë e tu ndriçojnë

Në këtë jetë
Ka shumë ngjyra
Në këtë tokë
Pak njerëz e shumë fytyra

Për ty
Lulja ime e bukur
Që je në lartësi
Sa kam dhembje
Aq dhe krenari