Refki Reshitaj

REFKI RESHITAJ

Lindi më 15 shkurt 1953, në Samadraxhë të komunës së Suharekës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen të muzikës në Prizren, ndërsa  fakultetin e filologjisë – dega letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Pak vite punoi mësimdhënës i edukatës muzikore dhe i gjuhës e i letërsisë shqipe, kurse pastaj gazetar në të përditshmen “Rilindja”, kurse disa vjet qe drejtor i Shtëpisë së Kulturës të Suharekës.
Para e pas luftës punoi në “Rilindje”, përkatësisht  në gazetën “Bujku”. Pas luftës, pos në “Rilindje”, ka punuar edhe në disa gazeta lokale të Prizrenit.
Në vjeshtën e vitit 1999, ka themeluar dhe ka udhëhequr në Suharekë mediumin e parë privat në Rajonin e Prizrenit – Radio-Therandën, ndërkohë ka  punuar edhe redaktor përgjegjës e kryeredaktor në TV Opinion dhe TV Prizreni.
Për punën shumëvjeçare në gazetari ka marrë disa mirënjohje e çmime.
Me shkrime letrare është marrë që nga shkolla fillore, duke i botuar nëpër gazetat dhe revistat periodike të kohës. Është edhe kompozues dhe autor i teksteve të disa këngëve, ca nga të cilat edhe i interpreton vetë.

Deri tash ka botuar veprat poetike:

Buzëqesh me mua”,  2019
Për ty, nënë”, 2023
Prush kujtimesh”, 2023

SHQIPËRI PËR JETË E MOT!

Jam kosovar dhe për këtë jam krenar,
Me gjak e shpirt jam Shqiptar !
Ndaj, dje kur isha te Valbona,
Ndjeva se isha n’trojet tona.

E gjithë Shqipëria është dhe jona!
Dikur kishim shumë më shumë,
Por, na i shkëputën tradhtisht me dhunë,
Se po të jetë siç ishte Shqipëria,
Do të dridhej dhe sot greku e Serbia.

Rrudhën e zvogëluan truallin tonë,
Na ndanë shekujve, por jo përgjithmonë!
Ndaj, prapë i falemi të madhit zot,
Që s’humbëm nga faqja e dheut dot!

Por, tash së fundi, dikush e tha:
O vëllezër, prapë duan me na nda?!
Çfarë do të marrin, e çka do të mbesë?
Për një pëllëmbë Atdhe, çdo kosovar vdes !

Mblidheni mendjen, ju pushtetarë,
Mjaft tokë na morën dhe na kanë ndarë.
Përse kështu ndodh vetëm me ne?
Jemi kaq t’padhimbshëm për tonin Atdhe?

Të bashkuar dhe unik të jemi sot,
Tokë e shqiptarëve të mos ndahet dot!
Sepse vjen koha, do t’pyesin fëmija:
Pse kaq e vogël ka mbetur Shqipëria?!

Një gjë përherë në mendja ta kemi.
Falë gjakut të derdhur, mbetëm kaq sa jemi.
Falë atyre që për liri flijohen
N’këto troje ninullat dhe sot shqip këndohen!

Ndonëse të ndarë, kurrë nuk u harruam,
Në shpirt e në mendje çdo herë u kujtuam,
Me shpresë se njëherë do të vijë ajo ditë,
Që brez pas brezi jemi duke e prit’.

 

Do t’vijë pra, do t’vijë se ndryshe s’ka,

Do të bashkohen vëllai me vëlla.

Ku flitet shqip në gjithë këtë tokë,

Shqipëri do të jetë për jetë e mot!