Ramadan Rexhepi

Ramadan Rexhepi lindi më 6 tetor 1940, në Preshevë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje. Në Normalen e Prishtinës u regjistrua në vjeshtën e vitit 1954 dhe e mbaroi në qershor të vitit 1959. Qysh si normalist lexonte novelistët francezë Emil Zola, Dë Mopasan, Honore dë Balzak, Henri Stendal e Gustav Flober etj.
Në dimrin e vitit 1956 bëri provat e para në letërsi.
Në vjeshtën e vitit 1959 u punësua si arsimtar i frëngjishtes në Preshevë. Një vit më vonë filloi të shkruajë skica, rrëfime të shkurtra dhe  kapitujt e parë të romanit ”Udhëkryqi”, të cilët më vonë do t’] i ndryshojë shumë herë.
Pak javë punon si mësues në Caravajkë (Karadak) me shpresë se do gjente tema për tregimet e tij, por merr urdhër të kthehet në Preshevë dhe atje punon deri në fund të vitit shkollor.
Në pranverën e vitit 1961 mori pjesë me tregimet ”Konstandina” dhe ”Mal e kishte emrin” në konkursin për tregime të shkurtra, të cilin e kishin shpallur ”Rilindja” dhe ”Zëri i rinisë” në Prishtinë.
Në qershor të atij viti u shpërngul në Prishtinë, punoi pak kohë si gazetar në ”Rilindje”, ku u njoh me Esad Mekulin e shkrimtarë të tjerë të njohur.
Në nëntor të vitit 1963 niset për në Suedi. Qëndron gjatë kohë në Hamburg, ku u punësua si detar në një anije private që qarkullonte nëpër limanet e ndryshme të Evropës Perëndimore dhe të Skandinavisë.
Në korrik të vitit 1965 bëhet student i Universitetit të Stokholmit. Pas një qëndrimi të shkurtër në atë qytet, shpërngulet në Upsala dhe regjistron letërsinë, me drejtim të caktuar në atë ruse dhe angleze. Qysh në nëntor të vitit 1967 merr gradën ”kandidat filozofie”, por vazhdon të studiojë deri në fillim të vitit 1969, kur shpërngulet në Suedinë Veriore.
Aty fillon ta përkthejë tragjedinë e August Strindbergut ”Zonjusha Zhuli” dhe ta rishikojë e ta përshtasë romanin ”Udhëkryqi” në gjuhën letrare. Njëherësh mban shënime të cilat më vonë do t’i përfshijë në veprën ”Reflektime të paartikuluara të një ish-shkrimtari.”
Në vjeshtën e vitit 1973 ”zbret” në Malme dhe fillon të merret me organizimin “e punëtorëve të inkuadruar jashtë atdheut”. Aty takon edhe poetin Kosovë Rexhë Balaj, me të cilin e lidhte një miqësi e vjetër, dhe shtron planet për themelimin e shoqatave shqiptare në Suedinë Jugperëndimore.
Gjatë kësaj kohe ai mban shënime të rregullta me titull ”Qorrsokaku” dhe të cilat do t’ i botojë nëpër faqet elektronike me titullin ”Pulëbardha krahthyer”. As këto shënime, që janë autentike dhe pasqyrojnë jetën e mërgimtarëve shqiptarë, nuk janë botuar si libër. Janë përafërsisht 1100 faqe.
Në pranverën e vitit 1974, krejt me forca vetjake, përgatit një numër të revistës ”Dija”, por dorëzohet përpara vështirësive ekonomike, mungesës së bashkëpunëtorëve dhe frikës që mbretëronte në radhët “e punëtorëve të inkuadruar jashtë atdheut”. Skicat, tregimet dhe artikujt e shkruar gjatë kësaj kohe janë përmbledhur me titujt ”Përralla pa mbret”, ”Të regjura në llumin e kafes” dhe ”Të gërvishtura  në akull”. Shumica janë botuar nëpër faqet e ndryshme elektronike.
Në dhjetor të vitit 1978 doli me propozimin që shoqata ”Kosova” të  shkëputet nga Lidhja e Shoqatave Jugosllave dhe të mbetet vetëm shqiptare. Pas vendimit të anëtarësisë për të vazhduar si shoqatë jugosllave, jep dorëheqje dhe fillon t’i shkruajë kapitujt e parë të romanit me titullin ”Populli pa Zot”.
Në pranverën e vitit 1979 shkon në Greqi dhe, pas një qëndrimi të shkurtër në Argolis, shkruan artikullin e gjatë me titull ”Arbëreshët e Kranjidhit”. Qyteti për të cilin bëhet fjalë gjendet përballë ishujve historikë Hidra dhe Specia.
Në prill të vitit 1981 shpërthejnë Demonstratat e Kosovës. Ramadani i përshëndet kërkesat e popullit për një republikë të pavarur dhe kthehet në Shoqatën që e kishte themeluar shtatë vjet më parë. Si kryetar i saj, merr pjesë aktive në shfaqjet dhe demonstratat që organizoheshin në Suedi e gjetiu, harton trakte, bashkëpunon me ”Zërin e Kosovës” dhe, si kryetar i shoqatës ”Kosova” informon shtypin suedez për shtypjen që ushtrohej në Kosovë dhe viset e shkëputura prej saj.
Gjatë periudhës 1985–1990 me forcat e veta e mbajti gjallë emisionin ”Radio-Zëri i Kosovës”. Ai përkrahu me gjithë shpirt forcat që punonin për çlirimin e popullit shqiptar nga robëria sllave dhe ishte dëshpërimisht i pikëlluar kundër ndjekjes që e majta ushtronte kundër intelektualëve dhe veprimtarëve shqiptarë. Atë pikëllim e ka paraqitur në romanin e tij ”Dilemat e Emrush Dokos” (1991) dhe në shumë rrëfime të tjera.
Në agun e vitit 1990, kur themelohet dega e LDK-së në Suedi, Ramadan Rexhepi zgjidhet sekretar i saj. Në këtë kohë ishte kryeredaktor i revistës ”Qëndresa” dhe kryetar Bashkimit të Shoqatave Shqiptare dhe ishte në kontakt me Ibrahim Rugovën, Rexhep Qosjen, Dritëro Agollin, Xhafer Shatrin, Sabri Maxhunin e shumë veprimtarë të tjerë.
Në vjeshtën e vitit 1995 ai u tërhoq nga veprimtaria politike dhe, bashkë me Zeqir Ramën filloi ta drejtojë emisionin ”Radio-ABC”, të cilin e mbajti deri në fund të vitit 2001. Artikujt e shkruar gjatë kësaj kohe i mblodhi në titullin ”Abetare për të rriturit”.
Në dhjetor të vitit 2010 ”Udhëkryqi” botohet  me titullin ”Stina e emrave të bukur.”
Në versionin e tyre të plotë ”Reflektimet e pa artikuluara të një ish-shkrimtari” u botuan gjatë vitit 2017 nëpër faqet elektronike, por jo si libër.
Autori ka dhe një varg dorëshkrimesh të tjera.
Gjatë verës së vitit 1997, bashkë me Riza Sheqirin, Ulmar Qvikun e Shefki Osekun përgatitën një libër leximi për fëmijët shqiptarë. ”Urat tona”, vëllimet një dhe dy, janë botuar me porosinë e Ministrisë së Arsimit të Suedisë dhe gjithnjë përdoren si tekste mësimore.
Tani e ka përfunduar novelën e gjatë ”Shin d’Abati nga Fajaka”.  Disa kapituj të novelës ”Lezetqendra e Sali Babës”, si dhe shumë fragmente të ”Shin d’Abatit” janë botuar nëpër faqet elektronike.
Ramadan Rexhepi, siç thotë vetë, tërë jetën ka qenë, është, dhe mbetet kosovar e evropian.