Rabije Bytyçi

m’i vranë vargjet, por jo shpirtin!
                                   (Rabije Bytyqi)

Poetesha Rabije Bytyqi lindi në fshatin Radoste të Rahovecit, më 20.5.1965. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen në Rahovec. Gjatë shkollimit u mor edhe me aktivitete të lira kulturore, me shkrime, me recitime, vallëzim etj.
Prej vitit 2000 nisi të punojë në organizatën humanitare gjermane “Lahen Helferin” në kuadër të KFOR-it, në kontigjentin e CIMIC-ut gjerman në Prizren. Për punën e saj u nderua me shumë mirënjohje.
Me shkrime filloi të merrej qysh herët, që nga bankat e shkollës fillore, por fatkeqësisht, shumë shkrime të saj u zhdukën gjatë luftës. Për këtë fatkeqësi autorja shpesh thotë: “… m’i vranë vargjet, por jo shpirtin”. Edhe pse një thesar i krijimtarisë poetike të saj u zhduk, ajo nuk u dorëzua asnjëherë, por vazhdoi sërish të merret me shkrime, kryesisht me poezi. Vëllimin e parë poetik “Rrugë jete” e botoi më 2014, ShB “Era”, Prishtinë; po ashtu dhe vëllimin e dytë “Përmasa e eklipsit” në vitin 2015, “Fidani”, Prizren. Poetesha Rabije Bytyqi kudo që mori pjesë nëpër manifestime të ndryshme kulturore-letrare u mirëprit. Këtë më së miri e dëshmojnë shumë mirënjohje e çmime që i mori. Autorja ka publikuar punime edhe nëpër portale, gazeta, revista etj. brenda e jashtë vendit, si dhe në antologji të ndryshme.
Jeton dhe vepron në Prizren.