Qazim Berisha

QAZIM H. BERISHA 

Lindi më 14 dhjetor 1953 në lagjen Xhafolli, të fshatit Drenoc – Barilevë të Prishtinës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, normalen e filloi në Prishtinë, kurse e përfundoi në normalen “Hasan Prishtina” të Mitrovicës. Në Universitetin e Prishtinës kreu Fakultetin e Filologjisë – Dega e Letërsisë dhe e Gjuhës Shqipe. Punoi mbi 44 vjet në arsim si mësues i letërsisë dhe i gjuhës shqipe.
Me krijimtari letrare filloi të merret qysh në bankat e shkollës fillore.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Jeton dhe vepron në Prishtinë.

Ka botuar këto vepra:

Lot gjaku, poezi, Prishtinë, 1995 (është libri i parë i botuar në Kosovë që u kushtohet 105 martirëve dhe dëshmorëve të rënë në vitet 1981-1991)
Në zemrën time banon dhembja, poezi, Prishtinë, 2005.
Nënëlokja, monografi, Prishtinë, 2011.
Kronikë pas lufte, publicistikë, Prishtinë, 2013
Aglirie, poezi, Prishtinë, 2014.
Fanar drite poezi, Prishtinë, 2017.
555 aforizma ndritin rrugën, aforizma aktual, Prishtinë, 2018.
Oksigjeni i gjyshit, përmbledhje tregimesh për fëmijë, Prishtinë, 2018.
Kur vitet ikin, poezi, Prishtinë, 2018.
Nuk ta fal dhembjen, poezi, Prishtinë, 2018.
Rrugës së përjetësisë, roman, Prishtinë, 2020.
Ushtarët shqiptarë të vrarë në armatën jugosllave 1951-1993, monografi, Prishtinë, 2021.

RRUGA E LIRISË

ishte tepër e gjatë

aq sa ishin të gjata

vuajtjet tona

aq sa ishin të pandërprera

sakrificat tona nëpër shekuj

por mbi të gjitha ishte

gjakimi ynë i vazhdueshëm

drejt synimeve tona

që më në fund

u kurorëzua me fitore të madhe

me LIRINË e shumëpritur

fal trimave të maleve

fal gjakut të dëshmorëve

që e ujitën me gjak

çdo pëllëmbë toke

Liria është diell

që rrezon çdo cep

të ATDHEUT tonë