Qazim Azemi

QAZIM M. AZEMI

Rrjedh nga familja e njohur atdhetare Çuka. Lindi më 1946, në Dumnicë të Poshtme të Vushtrrisë. Gjashtë muaj para lindjes i likuidon babain, gjyshin dhe axhën në mënyrë mizore administrata ushtarake serbo-sllave pa mbrojtje dhe pa gjyq. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Breznicë të Obiliqit. Shkollën e mesme e mori në Vushtrri, kurse fakultetin filozofik – gjuhë dhe letërsi shqipe e mbaroi në Universitetin e Prishtinës. Një kohë të gjatë punoi profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në shkollat e mesme të Vushtrrisë. Nga viti 1992-2001 ka qenë drejtor i SHMT “Marin Beçikemi” të Vushtrrisë. Gjatë kohës sa ka qenë drejtor është persekutuar dhe është dënuar me burg disa herë nga regjimi i egër serb. Trajtimi i tij shihet edhe nga një material që vjen nga Brukseli – UNESKO, Edukimi Internacional dhe nga OH për të Drejtat e Njeriut si presion kundër MA të Serbisë për ndërprerjen e dhunës së egër serbe që bëhej mbi shkollën shqipe, mbi nxënësit, profesorët dhe prindërit shqiptarë.
Pas luftës ka qenë drejtor i DKA-së në Vushtrri. Gjatë punës ka marrë falënderime e mirënjohje për punën në lëmin e arsimit.
Me shkrime është marrë herë pas here. Shkruan poezi, prozë dhe shkrime publicistike. Aktivitetin krijues e intensifikon pas luftës. Shkrimet publicistike i ka botuar në gazetat “Bujku”, “Zëri”, “Kosova sot”, “Bota sot” etj.
Jeton e vepron në Vushtrri.

Ka botuar këto vepra:

Halit Azem Çuka, simbol i qëndresës shqiptare, monografi, “Migros 2”, Vushtrri, 2022
Anekdota, me humoreska, etnografi, legjenda, lojëra populore, folklor dhe etnologji, “Migros 2”, Vushtrri, 2022
Udhët e bardha, poezi, “Lena grafik”, Prishtinë, 2023

USHTIMA E TOKËS

Jeho dhe ushto toka ime me shpirt,
me hov derisa të jesh gjallë,
lëshoju zë Mrizit të Zanave
bashkë me shqiponjat e maleve tona.

Sodit lart mbi shtatë palë qiej,
vështroni shtatë pashë nën dhe,
që mos të zënë më vend këtu
krrokamat e korbave të zinj.

Është vetë kjo toka ime me shpirt,
që ruan shtratin e lumit të jetës sonë,
të burojë e të rrjedhë lirshëm
në të katër anët e vendit tonë.

Ti moj e shtrenjta, toka ime me shpirt,
shpartalloje llavën e ujqërve të pangopur
shembi shpellat e fshehura të dhelprave,
digji flakë të gjitha lugjet e gjarpërinjve.