Prof. dr. Xhemil Bytyçi

Prof. dr. Xhemil Bytyçi lindi në Billushë të Prizrenit, në vitin 1941. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Prizren, ndërsa fakultetin e mjekësisë e kreu në Universitetin e Beogradit në vitin 1968. Krahas me të absolvoi edhe në degën e stomatologjisë të po këtij universiteti. Ka filluar të merret me shkrime letrare kur ishte gjimnazist. Qysh atëherë kishte filluar të shkruante vjersha, tregime dhe drama. Gjatë studimeve ishte aktiv në grupin letrar dhe muzikor të shoqatës së njohur të studentëve shqiptarë të Universitetit të Beogradit me emrin “Përpjekja”. Pas kryerjes së fakultetit filloi të japë mësim në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Prizren. Në vitin 1973 nis punën në Klinikën e Urologjisë të Universitetit të Prishtinës. Specializimin e urologjisë e kreu në spitalin “Rebro” të Zagrebit. Më 1986 mbron tezën e doktoratës në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës me titull “Kontributi në etiologjinë e nefrolitiazës – studim kliniko-epidemiologjik në rajonin e Kosovës” dhe merr gradën doktor i shkencave mjekësore.
Ishte për shumë vjet pedagog i rregullt i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës me gradën profesor ordinar. Në fushën e mjelësisë është njëri ndër urologët më të njohur të Kosovës. Është i frytshëm në punën pedagogjike, shkencore e klinike. Ka marrë pjesë në shumë kongrese, seminare e simpoziume shkencore të karakterit kombëtar e ndërkombëtar. Ka të botuar mbi 110 artikuj, studime e punime në revistat e specializuara profesionale nga fusha e urologjisë dhe e kirurgjisë. Në këtë institucion mjekësor dhe arsimor punoi deri në kohën e pensionimit të vitit 2006.
Si specialist edhe pas pensionimit vazhdoi ta kryejë me kompetencë të plotë etike-profesionale punën e mjekut specialist – urolog në klinikën private “Uropriz” të Prizrenit dhe tani punon si profesor i urologjisë në spitalin privat “Aloka”, si dhe në spitalin special urologjik “Vita – Hospital” në Prishtinë.

Deri tash ka publikuar këta libra:

Dëgjoj shushurimën, poezi, “Piramida”, Prishtinë, 2007
Zjarr i lënë në harresë, poezi, “Dija”, Prishtinë, 2008
Fijet e fjalëve, poezi,”Piramida“, Prishtinë, 2009
Rreze yjesh, poezi, “Piramida”, Prishtinë, 2010
Martesa, dramë pesaktëshe,”Koha”, Prishtinë, 2011
Në brendinë e fjalës, poezi, Printed in USA – ”LULU”, 2012
777 haiku – Shtigjeve të shpirtit, poezi haiku, “Ars Albanika”, Prishtinë, 2014
Tri drama (Gjurmët e shpirtit të heshtur, Kontejnerët e qytetit tim, Sokrati i vuajtur), drama,“Bogdani “, Bruksel, 2015
Vallëzim yjesh, poezi tanka, “Bogdani”, Bruksel, 2016
Shkëndijat magjepse të shpirtit, poezi haiku, “Bogdani”, Bruksel, 2016
Farfurimë yllësie, poezi haiku, “Bogdani”, Bruksel, 2017
Lotët e liqenit, poezi të përzgjedhura, “Amanda Edit verlag”, Bukuresht, 2017

Në shtator të vitit 2017 merr pjesë në festivalin ndërkombëtar të poezisë “Mihai Eminesku” në Craiova të Rumanisë dhe fiton çmimin e artë për poezi. Në tetor të vitit 2017, nga iniciativa e Shoqatës së Shqiptarëve të Rumanisë botohet në Bukuresht libri me poezi të përzgjedhura me titull “Lotët e liqenit”, libri i dymbëdhjetë i radhës. Është përfshirë edhe në disa antologji të ndryshme botërore.