Prof. dr. Nuhi Vinca

NUHI VINCA

Lindi në Veleshtë të Strugës në vitin 1932 (Maqedoni), është i njohur si pedagog, poet, studiues, përkthyes letrar etj.
Si pedagog ka punuar në arsimin fillor e që nga dita e parë e hapjes së Gjimnazit të Strugës (1.9.1960) si profesor i parë i atij gjimnazi gjer më 21 prill 1969, kur monizmi me ideologji komuniste me ligjet despotike, ia merr të drejtën e edukimit dhe të arsimimit të brezave të rinj, padrejtësi kjo që përsëritet edhe në vitin 1973 në Ferizaj të Kosovës. Bashkë me ndalimin apo rrëmbimin e ushtrimit të profesionit edukativo-arsimor, iu rrëmbye edhe liria e udhëtimit jashtë ish-Jugosllavisë për njëzet vjet që nga 1970 e deri më 1991 kur erdhi koha e pluralizmit politik nga Bota e Lirë e Perëndimit.
Ai njihet si poet i parë me vepër të botuar lirike për të rritur në gjithë trevën e Strugës me librin “Dallge Jugu”, i cili konsiderohet njëra nga veprat e para shqipe për të rritur në Maqedoni. Deri më tash ka botuar më shumë se 20 vepra me poezi për të rritur dhe për fëmijë. Disa nga këto poezi janë prezantuar nëpër antologji e të përkthyera në anglisht, maqedonisht, frëngjisht, turqisht, kroatisht. Në monizmin e njohur komunist ka pasur embargo për shumë vite edhe për botim, edhe për promovim.
A pranohet në punë në Institutin Albanologjik të Prishtinës si magjistër i shkencave filologjike më 1977 dhe punon pa ndërprerë deri në pensionim. Aty boton vepra diskursive dhe artikuj studimorë në revistën ”Gjurmime albanologjike”. Më vonë mbron doktoratën e disertacionit në Universitetin e Prishtinës me një vepër që kalon 400 faqe studimi monografik… Boton 12 vepra diskursive të veçanta, nga të cilat tri janë monografi shkencore e tri antologji që kapin mbi 2000 faqe studimi… Boton edhe ll2 artikuj shkencorë e eseistikë nëpër revista të ndryshme të botuara në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e në diasporë. Disa nga këta artikuj janë paraqitur nëpër sesione, seminare, simpoziume ballkanike, kongrese folklorike ndërkombëtare mbajtur në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, ish-Jugosllavi e diasporë.
Ka të përkthyera romane, poema e poezi, tregime nga letërsia kroate, serbe, polake, maqedonase etj., për lexuesit shqiptarë. Është anëtar i SHSHSH të Maqedonisë, i LSHK-së dhe kryetar i Klubit të shkrimtarëve që përfshin penat e shquara të komunës së Strugës, të komunës së Veleshtës, të komunës së Ohrit dhe të Dollogozhdës.
Krijimtaria e këtij shkrimtari dhe studiuesi ka qenë objekt shqyrtimi nga ana e penave të merituara e të afirmuara të letërsisë dhe të shkencës si: Akademik Rexhep Qosja, Esad Mekuli, prof. dr. Shefqet Pllana, prof. dr. Zihni Sako, dr. P. Janura etj. Pos tyre kanë shkruar për veprën poetike të tij edhe Hasan Mekuli, Vehap Shita, Ali Podrimja, Ali Aliu, Agim Deva, Odhise Grillo, dr. Lush Gjergji, Rifat Kukaj, Azem Shkreli, Perikli Jorgoni etj. Për veprat më të reja botuar nga viti 2000 e këndej kanë shkruar edhe prof. Iljaz Prokshi, dr. Izain Murtezani, dr. Petrit Fetahu, dr. Lutfi Turkeshi, Kujtime Kica, P. Muça, V. Nasufi, Din Muça etj.
Ka tri merita që s’mund t’i mohohen nga askush: është profesor i parë i gjimnazit të Strugës; është poeti i parë i trevës së Strugës (e ndër të parët në Maqedoni) me veprën poetike për të rritur “Dallgë Jugu”; është studiuesi i parë me monografinë shkencore për kulturën shpirtërore të rajonit të Strugës etj.

Vepra të veçanta

1965:“Këngë pune e pushimi” (poezi)

1967 “Dallgë jugu” (poezi)

1971: “Vrulle lirike” (poezi)

1972: “Një ylber për ty” (poezi)

1978: “Legjenda e peshkatarit” (poemë)

1979: “Kënga e lahutarit” (poemë)

1986: “Aty buzë liqenit” (poezi)

1989: “Sa gjuhë i di Danubi” (pozia)

1999: “Shihni si vijnë dallgët” (poezi)

2000: “Te guri i kufirit” (poezi)

2003: “Te deum laudamus” (kurorë sonetike dhe poemë për N. Terezen)

2003: “Trilogji lirike” (poezi)

2003: “Aty buzë liqenit” (poezi)

2009: “Aty buzë liqenit” (Houston, shqip dhe anglisht)

2009: “Vjersha e tregime” (prozë dhe poezi)

2011: “Çaste jetike në vargje josatanike” (poezi)

2012: “Arketipe…” (poezi)

2016: “Monologët e mërgimtarit prespan” (poezi) etj.

Vepra diskursive

1982: “Këngë të ndryshme popullore” (në pesë pjesë)

1989: “Lirika popullore shqiptare e dashurisë” (monografi)

1992: “Lirika popullore shqiptare në regjionin e Strugës” (monografi)

1996: “Mbi poetikën e folklorit shqiptar” (studime dhe artikuj)

2001: “Antologji e lirikës popullore shqiptare të dashurisë” (antologji)

2004: “Antologji e lirikës popullore shqiptare” (antologji)

2006: “Poetika e lirikës gojore strugane” (studim monografik)

2007: “Poetika e lirikës popullore shqiptare” (studim monografik)

2013: “Vështrime për krijimtarinë gojore e të shkruar” (vështrime shkencore) etj.