PROF. DR. KUDUSI LAMA
doktor i shkencave ushtarake, gjeneral në rezervë
Quhem Kudusi Lama, i biri i Halitit dhe i Mihanes. Kam lindur në fshatin Gështenjë të Kalisit, në krahinën e Lumës, në rrethin e Kukësit, më 9.05.1951.
Më 1954 më ka vdekur babai duke më lënë jetim. Më ka rritur nëna. Kam një vëlla që trashëgon emrin e babait, pasi ka lindur tre muaj, pasi ka vdekur babai dhe një motër që është më e madhe se unë.
Jam rritur nën kujdesin e pandërprerë të nënës Mihane.
Shkollën fillore e kam kryer në fshatin e lindjes, më 1958 deri 1962, ndërsa shkollën 7-vjeçare e në Kalis, më 1962-1965; shkollën e mesme për “Agronomi” në Peshkopi prej 1965 deri 1969.
Në vitin 1969-1970 kam punuar si agronom në Kooperativë Bujqësore në Kalis e Ujmisht të rrethit Kukës.
Më 1970-1972 kam kryer shkollën e bashkuar të oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë, në Specialitetin Artileri Tokësore dhe jam titulluar oficer aktiv i ushtrisë më 30 korrik 1972.
Kështu karriera ime ushtarake filloi më 1972 dhe prej asaj kohe kam pasur këtë ecuri në detyra:
– 1972-1976 – shef i Zbulimit të Artilerisë së Brigadës së Këmbësorisë në Kavajë,– 1976-1983 – komandant i Grupit të Artilerisë në Brigadën e Këmbësorisë në Kukës,– 1983-1985 – kam vazhduar studimet në Akademinë Ushtarake në Tiranë (sot Akademia e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura),– 1985-1992 – specialist për artilerinë në shtabin e divizionit, në Divizionin e Këmbësorisë në Kukës,
– 1992-1997 – specialist i artilerisë në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura në Tiranë,
– 1997-1999 – komandant i Divizionit të Këmbësorisë në Kukës,
– 1999-2000 – komandant i Divizionit të Këmbësorisë në Tiranë,
– 2000-2006 – komandant i Komandës së Mbështetjes Logjistike të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në Tiranë.
Me dekret të presidentit të Republikës së Shqipërisë, më 21 qershor 2006, kam dorëzuar detyrën dhe kam dalë në rezervë.
Më 20 korrik 1996, kam mbrojtur disertacionin dhe kam marrë gradën doktor i shkencave ushtarake. Tema e disertacionit: “Disa dukuri të përdorimit luftarak të artilerisë dhe drejtimit të zjarrit të saj në kushtet e dimrit në terren malor” është lëvruar në këtë shkallë për herë të parë, si domosdoshmëri e kohës, për kushtet që u krijuan në teatrin shqiptar të përgatitjes për luftë.
Gradën e gjeneralit të brigadës e kam marrë më 12 mars 1997.
Gjatë jetës jam dekoruar me:
– dy medalje të shërbimit ushtarak,
– urdhër të shërbimit ushtarak të klasit të tretë,
– medalje të artë të shqiponjës,
– medalje të mirënjohjes,
– medalje të argjendtë nga Komiteti Kombëtar të Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare të Shqipërisë,
– urdhrin “Adem Jashari” nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës.
– Medalje për Shërbime Ushtarake,
– tre urdhra e medalje nga ministri i mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë,
– katër urdhra e medalje nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Jam vlerësuar dhe nderuar:
– Nga Komuna e Prizrenit me titullin “Qytetar Nderi i Qytetit të Prizrenit”;
– Nga Komiteti Kombëtar i Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, me titullin “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ”;
– Nga Komuna e Rahovecit me titullin “Qytetar nderi i Komunës së Rahovecit”;
– Nga Shoqata “BYTYÇI” me titullin “Trim mbi Trimat”;
– Nga Instituti Albanologjik i Prishtinës me titullin “Anëtar Nderi i Institutit Albanologjik”
– Nga shoqata “Atdheu” në Bad Ragaz, në Zvicër, “Anëtar Nderi i Shoqatës”;
– Nga Organizata e Veteranëve të Luftës Çlirimtare të Kosovës në Prizren me titullin “Gjeneral i Ushtrisë së Përjetshme”;
– Nga Familja Jashari në Prekaz me medaljonin “Adem Jashari”;
– Nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare Preshevë – Medvegjë – Bujanoc, me mirënjohje të posaçme;
– Nga komuna e Vushtrrisë me Mirënjohje;
– Po kështu me mirënjohje nga shumë struktura të tjera në Kosovë e Maqedoni.
Jam veteran lufte i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Angazhimi im në Luftën Çlirimtare të Kosovës nis në fillim të majit 1997 dhe ka vijuar pa ndërprerë deri në përfundimin e saj. Gjatë luftës jam angazhuar me të gjitha veprimtaritë e mundshme në bashkëpunim me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së dhe me krerët e saj Xhavit Haliti, Azem Syla, Xheladin Gashi, Bislim Zyrapi, Agim Çeku, Ali Ahmeti, Jashar Salihu, Nasim Haradinaj, si dhe me anëtarë të tjerë të udhëheqjes, me komandantë të të gjitha niveleve dhe me kolektiva luftëtarësh në çaste të veçanta. Aktiviteti im shtrihet që në organizim, planëzim, trajnim, furnizim, akomodim e deri në vijat e frontit, ku kam pasur rastet e lumtura të jem në rolin e luftëtarit të thjeshtë të frontit.
Gjatë periudhës 1997–1999, kam qenë komandant i Divizionit të Këmbësorisë në Kukës. Për mua në atë periudhë ka qenë vërtet luftë dhe trupat që kam drejtuar e komanduar kanë marrë pjesë direkt në luftë, pasi divizioni i Këmbësorisë në Kukës ka zhvilluar një mori betejash me ushtrinë serbe, kuptohet jo për faj të tij, por për arsye të imponuara nga serbët. Megjithatë, këto beteja e ndeshje pavarësisht si vlerësohen kanë zgjatur nga tri orë deri në tri ditë secila dhe janë jo pak, por 39 të tilla, në një hapësirë kohore 22-mujore, aq sa ka zgjatur edhe Lufta Çlirimtare e Kosovës si luftë e hapur dhe e identifikuar si e tillë.
Në vitin 2002 kam kryer Kolegjin e Mbrojtjes në Tiranë.
Në vitin 2005 kam kryer Akademinë Diplomatike në Tiranë.
Jam i martuar dhe kam 5 fëmijë. Sot banoj në Marikaj, Tiranë.
Për zhvillimin e mendimit ushtarak shqiptar kam dhënë kontribute të vazhdueshme. Jam marrë në vijimësi me veprimtari studimore e shkencore, duke qenë pjesëmarrës në mjaft veprimtari në shkallë brigade, korpusi, divizioni dhe ushtrie.
Në sesionet shkencore të njësisë dhe ato në shkallë ushtrie, jam paraqitur me një bagazh të konsiderueshëm studimor, ku, nëpërmjet mjaft studimeve të paraqitura e shkrimeve në shtypin ushtarak, si dhe studimeve të posaçme kam trajtuar dhe argumentuar një sërë problemesh të përdorimit të trupave, prej të cilëve veçoj:
1.“Përdorimi i Grupit të gatshëm të obusëve në luftim”, në Kukës, me 1978, në përbërje të BrK Kukës (reparti ushtarak nr. 6600).
2. “Drejtimi i Zjarrit të grupit të gatshëm të obusëve në bashkëveprim me Skuadrat e Korrigjimit të Zjarrit të Artilerisë në çetat vullnetare” në Kukës, më 1979, në përbërje të BrK Kukës (reparti ushtarak nr. 6600).
3. “Drejtimi i Zjarrit të artilerisë së batalionit me metodat e thjeshta”, në Kukës, me 1987, në përbërje të DK Kukës (reparti ushtarak nr. 1244).
4. “Drejtimi i Zjarrit të artilerisë në terren malor në kushtet e dimrit”, në Kukës, me 1988, në përbërje të DK Kukës (reparti ushtarak nr. 1244) etj.
Në punën time studimore, kam kryer edhe një sërë eksperimentesh (stërvitje treguese, metodika etj.) me karakter tregues dhe eksperimental, siç janë ato për përdorimin luftarak të artilerisë e drejtimin e zjarrit të saj në kushte të ndryshme të terrenit e të motit.
Prej tyre duke mos i anashkaluar stërvitjet në kushtet e dimrit në divizionin e Kukësit në vitet 1988–1989 e shumë të tjera, nga stërvitjet e mëdha që kam planëzuar, organizuar, udhëhequr dhe realizuar, veçoj:
- Stërvitjen me trupa me qitje luftarake në Voskopojë në vitin 1995, ku trupat u vendosën plotësisht në kushte reale lufte, me përdorimin e të gjitha llojeve të armëve. Stërvitja ishte me temë: “Batalioni i këmbësorisë në mbrojtje me qitje luftarake me përdorimin e të gjitha llojeve të armëve” dhe mbështetjen me zjarrin e dy grupeve të artilerisë të kalibrit të rëndë, të tankeve, flakëhedhësve, artilerisë kundër ajrore etj., me përdorimin e metodave perëndimore të korrigjimit të zjarrit të artilerisë.
- Stërvitjen me trupa me qitje luftarake në Palavli, në Delvinë në vitin 1996, ku trupat u vendosën plotësisht në kushte reale lufte, me përdorimin e të gjitha llojeve të armëve. Stërvitja ishte me temë: “Batalioni i këmbësorisë në mësymje me qitje luftarake me përdorimin e të gjitha llojeve të armëve” dhe mbështetjen me zjarrin e dy grupeve të artilerisë të kalibrit të rëndë, të tankeve, flakëhedhësve, artilerisë kundër ajrore etj., me përdorimin e metodave perëndimore të korrigjimit të zjarrit të artilerisë.
Kam marrë pjesë, si bashkautor, në komisionet e hartimit të rregulloreve të luftimit të artilerisë, të teksteve mësimore për stërvitjen e ushtarëve të artilerisë, të leksioneve të ndryshme për artilerinë, përdorimin e trupave gjitharmëshe në operacion dhe përdorimin e logjistikës në kushtet e paqes, krizave dhe luftës, në hartimin e Doktrinës së Logjistikës, në hartimin e Politikës së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Strategjisë së Sigurimit dhe Strategjisë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë.
Kam marrë pjesë në një seri konferencash shkencore kombëtare e ndërkombëtare, ku jam paraqitur me kumtesa, që janë botuar edhe në revistat shkencore në Kosovë dhe në Maqedoni, për probleme të sigurisë, të gjeopolitikës, të zgjidhjes së konflikteve, të menaxhimit të emergjencave, të menaxhimit të personelit, për probleme historike etj.
Në fushën e botimeve, kam publikuar një sërë artikujsh përgjithësues dhe metodikë në shtypin ushtarak të kohës, kryesisht për problemet e përgatitjes speciale dhe të përdorimit me efektivitet të artilerisë në luftim, të luftimit e operacionit gjitharmësh, për logjistikën, për organizimin ushtarak etj.
Kam botuar dhe vazhdoj të botoj një mori artikujsh e analizash politike e historike në shtypin aktual në Tiranë dhe në Prishtinë.
Kam botuar veprat:
“Kosova dhe Ushtria Çlirimtare”, Tiranë, 2005.
“Ilir Shaqiri – Heroizëm dhe dashuri”, Prishtinë, LSHK, 2012.
“Hyrje në menaxhimin e emergjencave”, Prishtinë, 2012.
“Vlerat e Luftës Çlirimtare të Kosovës për mbrojtjen e çështjes kombëtare”, Prishtinë, 2012.
“Menaxhimi i emergjencave”, Prishtinë, 2013.
“Menaxhimi i planeve të emergjencave”, Prishtinë, 2014.
“Fjalor shpjegues i termave të menaxhimit të emergjencave” (bashkautor), Prishtinë, 2015.
“Analiza dhe vlerësimi i rreziqeve”, Prishtinë, 2016.
“Nëna ime Mihane Lama”, roman, Tiranë, 2018.
“Kërkimi dhe shpëtimi në situata emergjence”, Prishtinë, 2018.
Gjatë viteve 1987–1991, kam dhënë me rezultatin “shumë mirë e mirë” katër provimet pasuniversitare (filozofi e gjuhë ruse në Universitetin e Tiranës, arti ushtarak dhe arti i përdorimit të artilerisë në Akademinë Ushtarake), ndërkohë që përgatisja temën e disertacionit, të cilën e përfundova plotësisht më 1996 dhe më 20.07.1996 e mbrojta atë para komisionit të posaçëm të artit ushtarak, sipas vendimit të komisionit të kualifikimit shkencor të Republikës së Shqipërisë, pranë Këshillit të Ministrave.
Deri tani nuk aderoj në asnjë parti politike.
Në periudhën 2006–2009 – kam punuar si pedagog në universitetin “Ukshin Hoti” të Prizrenit – ku am ligjëruar lëndët:
– politika e sigurisë,
– diplomaci,
– gjeopolitike.
2008–2009 – pedagog në universitetin “Iliria” në Prishtinë – kam ligjëruar lëndët:
– politika e sigurisë,
– zgjidhja e konflikteve.
2007 – e në vazhdim – pedagog në kolegjin “BIZNESI” në Prishtinë – ligjëroj lëndët:
– hyrje në menaxhimin e emergjencave (bachelor),
– menaxhimi i emergjencave (bachelor),
– kërkim – shpëtimi në emergjenca (bachelor),
– dinamika për mbrojtje nga fatkeqësitë (bachelor),
– hyrje në politikat e sigurisë (bachelor),
– partneriteti strategjik (bachelor),
– trajnimi për menaxhimin e sigurisë (bachelor),
– menaxhimi i rreziqeve (bachelor),
– menaxhimi i planeve të emergjencave (Master),
– planëzimi i operacioneve të emergjencave (Master),
– zhvillimi i operacioneve të emergjencave (Master),
– analiza dhe vlerësimi i rreziqeve, (Master),
– menaxhimi i emergjencave ndërkombëtare (Master).
2007–2009 – profesor – trajnues në institutin e statistikave “Ramil Nuhiu” në Prishtinë – ku janë mbajtur leksione dhe kurse për modulet:
– menaxhim i burimeve njerëzore,
– komunikim dhe administrim zyre,
– marrëdhënie ndërkombëtare dhe siguri,
– politikat e sigurisë etj.
2009 – ligjëruar një cikël leksionesh në struktura të policisë së Kosovës,
2010 dhe 2014 – ligjëruar nga një cikël leksionesh në Komandën e Doktrinave në Forcat e Sigurisë së Kosovës,
Në punën time studimore kam kryer edhe një sërë eksperimentesh me karakter tregues dhe eksperimental.
DITA E VERËS – GËZIMI I FËMIJËVE DHE PUNËT E NËNAVE
Dita e Verës mund të thuhet se në Kalis ishte një festë që i përshinte të gjithë, por kënaqësitë më të mëdha ishin të fëmijëve.
Prej datës 1 mars, sipas lagjeve, fëmijët grumbulloheshin bashkë dhe bënin plane, si do ta festonin këtë ditë. Të gjithë fëmijët e moshave prej pesë a gjashtë vjeç e deri katërmbëdhjetë a gjashtëmbëdhjetë vjeç dilnin nga shtëpitë pas mesnate. Ata dilnin nëpër kodra duke kënduar në kor këngë të ndryshme që i dinin. Kishte edhe këngë ngacmuese për ata që kishin mangësi. Thumboheshin dembelët për dembelizmin e tyre; talleshin ata që silleshin keq me fëmijët; nuset e reja që nuk e mbanin shtëpinë dhe oborrin e tyre pastër; prindërit e vajzave që u kishte kaluar koha e martesës; ata burra që nuk shkonin në mal për të prerë dru për zjarr, por dilnin e prisnin porenet e arave a zabelet pranë shtëpive; ata që i linin bagëtitë të ndoteshin me pleh në vathë dhe nuk kujdeseshin t’u krijonin atyre kushte, që të ishin në mjedis të ngrohtë; ata që nuk i ruanin mirë bagëtitë, por i linin pa ngrënë dhe i kishin të dobëta; ata që nuk kujdeseshin të mbillnin pemë në oborret e tyre, por i linin të papunuara si tokë e shkretë; gratë që nuk e bënin kopshtin e perimeve të bukur me lule rreth e rreth tij dhe që perimet u rriteshin të dobëta, pasi përtonin t’i plehëronin, t’i ujisnin e t’i prashisnin; ata burra që nuk i rregullonin mirë pajisjet e kuajve; ata që në vend se të mbanin kuaj në shtëpitë e tyre, mbanin gomarë; ata burra që në vend se të mbanin kuaj në familjet e tyre për punët e shtëpisë, shkonin e mbanin dru në shpinë në mal a vinin thesin në shpinë e shkonin të bluanin në mulli; ata burra që ishin grindavecë dhe që grindeshin kohë e pa kohë me të tjerët; ato gra që ishin llafazane e që merreshin me thashetheme për të tjerët; ata që kishin frikë nga errësira e nga shtazët e egra; ata fëmijë që nuk mësonin në shkollë; ata që rrinin të papastër; ata që nuk kullosnin bagëtitë, por i lëshonin e bënin dëme te arat a livadhet e të tjerëve etj.
Por më të vështirë ndër të gjithë e kishin nuset e reja, sidomos ato që kishin ardhur në fshatin tonë vitin e fundit. Te ato shtëpi ku nuset nuk ngriheshin me natë e të hapnin derën e shtëpisë, shkonin fëmijët dhe pasi grumbullonin një sasi të madhe gurësh, i bënin mur, duke e zënë plotësisht derën e shtëpisë. Kështu që kur të hapej dera nga brenda, do ta gjenin të mbyllur me mur guri nga jashtë. Me këtë veprim asaj nuseje i vihej shenjë si dembele dhe fëmijët këndonin këngë përçmuese për të. Në këtë periudhë nuset flinin me frikë, se mos nuk po zgjohen herët e të hapin derën, para se të kishin arritur fëmijët e të kishin zënë gjithë hapësirën e derës me gurë.
Ishte kjo një periudhë kohe, kur secili merrte vesh nga këngët e fëmijëve, të cilat i improvizonin vetë, se cili ishte opinioni i fshatarëve të tjerë për të. Kjo për faktin se fëmijët në këngët e tyre të Ditës së Verës tregonin gjithçka që kishin dëgjuar gjatë vitit prej të rriturve për njëri tjetrin.
Kishte raste kur fëmijët edhe sulmoheshin, prej dikujt nga ata që përçmoheshin me këngët e tyre, por errësira i mbronte ata dhe njëkohësisht fëmijët nuk shkonin pranë shtëpive të atyre që i thumbonin me këngë, por dilnin nëpër kodra larg shtëpive, që kënga e tyre të dëgjohej sa më qartë dhe sa më larg. Kështu që megjithëse sulmoheshin a kërcënoheshin, ata ishin gjithnjë të mbrojtur dhe nuk ndodhte që të kapeshin prej sulmuesve. Kur ndodhte që sulmuesit ishin këmbëngulës për t’i kapur, fëmijët shpërndaheshin e fshiheshin menjëherë ose ktheheshin në shtëpi, duke u marrë vesh, që të ktheheshin përsëri, në një vend të caktuar më parë.
Kishte raste që lindnin konflikte edhe midis vetë fëmijëve, kur nëpërmjet këngës viheshin në dukje mangësi, dobësi a vese të prindërve, vëllezërve a motrave dhe familjarëve të tjerë të tyre, por në këto raste hynin në mes më të rriturit, i sqaronin që këto ishin thjesht lojëra dhe i pajtonin menjëherë e fillonte prapë kënga duke e larguar vëmendjen diku tjetër. Por për këtë edhe bëhej kujdes. Fëmijët nuk grupoheshin të gjithë si fshat, por me lagje a fise. Kështu që ata ishin grupe të veçanta dhe përgjithësisht fëmijët e një lagjeje këngët e tyre i këndonin për lagjen fqinje, kështu që konflikti midis fëmijëve të një lagjeje ishe përgjithësisht i shmangur. Por ndodhte ndonjëherë që fëmijët e dy lagjeve, kur rastësisht i afroheshin njëri-tjetrit, mund të konfliktoheshin. Por përgjithësisht më të rriturit prapë vendosnin paqe, pasi edhe porositë nga prindërit jepeshin që sido të jenë këngët, të mos ndizej ndonjë grindje a sherr. Në raste të rralla mund të kishte konflikte, që i paqësonin të rriturit me ndërhyrjen e tyre, kur dëgjonin ose informoheshin se ishte ndezur një grindje midis fëmijëve.
Ndërsa pas dite, rreth 10 ditë para Ditës së Verës që binte më 14 mars, fëmijët do të shkonin në mal e për çdo fëmijë të familjes do të prisnin nga një dru që kishte formën e bigaçes. Ajo degë druri duhej të ishte në përmasa të tilla që t’i përshtatej moshës së fëmijës që do ta përdorte, pasi ajo pasi lidhej bigaçja në formë furke, mbushej me mbeturina bari të thatë që mblidhej nëpër djerrina. Ndërkohë mblidheshin mbeturina nëpër ara e livadhe, nëpër djerrina e zabele dhe grumbulloheshin në krye të arës më pranë shtëpisë. Këto ndizeshin nga fëmijët pasi perëndonte dielli dhe ato bigaçet që kishin fëmijët secili nga një, ndizeshin në atë zjarr dhe i mbanin fëmijët në dorë, e sipas moshës i tundnin, i rrotullonin etj., që të bënin sa më shumë flakë. Ambicia ishte kush do ta bënte zjarrin më të madh, kush do t’i kishte ato bigaçet (i quanim lëpardha) më të mëdha dhe si mund të dukej zjarri e lëpardhat sa më larg. Këto vërtet ishin lojëra fëmijësh, por në fakt ishin shumë të vlefshme, pasi duke mbledhur mbeturinat për të bërë zjarret e lëpardhat, fëmijët bënin një pastrim shembullor të shtëpisë, lagjes e gjithë fshatit, që pas datës 14 mars edhe po të kishe dëshirë, që për nevojë të grumbulloje mbeturina, nuk mund të gjeje, sepse gjithë hapësira ishte e pastruar.