Nuhi Bytyçi

NUHI BYTYÇI

Lindi më 17.08.1955, në Shkozë të Malishevës.
Shkollimi: master i gazetarisë dhe i komunikimit publik.
Bartës i disa mirënjohjeve dhe i çmimeve profesionale për dokumentarët televizivë. I dekoruar me “Medaljen presidenciale” me rastin e 10–vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
1975: Fillimi i punës si gazetar në Televizionin e Prishtinës
– 1975 – gazetar në “Rilindje”
– 1974 – 1975 Anëtar i redaksisë së gazetës së studentëve të UP-së, “Bota e re”
– 1973 – kryeredaktor i revistës së Gjimnazit të Prizrenit
– 1973 – kryetar i Klubit letrar të Gjimnazit të Prizrenit
– 1975–1990: Gazetar dhe redaktor i edicioneve të lajmeve në Televizionin e Prishtinës
 – 1990: Pas dëbimit nga TVP – në Zvicër: themelues dhe kryeredaktor i gazetës “Demokracia” në Zvicër
– 1991: Redaktor i edicionit të lajmeve në gjuhën shqipe në Radio-Kroaci në Zagreb (periudha e luftës në Kroaci)
 – 1992–1996: Raportimi për televizionin “Viktoria” në Nju-Jork, për Radio-Melburnin në Australi, për Offener Kanal në Berlin dhe Offener Kanal në Hamburg, Radio-Vill në Zvicër
 – 1995–1997: Autor i emisioneve televizive për Programin Satelitor të Kosovës në TVSH, emisione të realizuara në Kosovë dhe diasporë për funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës (emisione për financimin e institucioneve të Kosovës, për funksionimin e sistemit arsimor në Kosovë)
1997: Autor i dokumentarit “Brezi i sakrificës dhe i ardhmërisë”, kushtuar organizimit të Demonstratave studentore të 1 tetorit 1997, transmetuar më 30 shtator 1997 – realizuar bashkë me Qani Mehmedin për sensibilizimin e popullit për të mbështetur Lëvizjen Studentore
– 1998–1999: Reporter i luftës çlirimtare të Kosovës (raportimi nga zonat e luftës në Drenicë, Dukagjin, Llapushë, Anadrini, Llap, Shalë, autor i emisioneve televizive nga zonat e luftës, emisione për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, emisione për mbijetesën e popullatës civile
– Realizimi i paraqitjes së parë publike të zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, në qershor 1998, në Kleçkë, transmetimi i saj në RTSH dhe në mediat botërore; realizimi i paraqitjes së parë publike të Udhëheqësit politik të UÇK-se, Hashim Thaçi dhe e përfaqësuesit të përgjithshëm politik të UÇK-së, Adem Demaçi, në një emision special dokumentar për UÇK-në, transmetuar në RTSH, nëntor 1998.
Xhirimi i takimit të parë publik të përfaqësuesve politikë të SHP të UÇK-së me diplomatin amerikan, Kristofer Hill, më 6 nëntor 1998, në Dragobil dhe takimet e tjera me diplomatët amerikanë dhe evopianë deri në Konferencën e Rambujesë,  pas Konferencës së Rambujesë e para Konferencës së Parisit, në Tërstenik të Drenicës dhe realizimi i shumë emisioneve të tjera nga zonat e luftës për liri.
 – Prill – qershor 1999 (periudha e bombardimeve të NATO-s): Redaktor i lajmeve të Kosovës në Televizionin Shqiptar
 – Qershor 1999 – prill  2000: Pas çlirimit të Kosovës, korrespondent nga Kosova për RTSH-në
Prill 2000:  Rikthimi me konkurs publik në Televizionin e Kosovës (RTK)
– 2000–2002: Raportimi për RTK-në nga zonat e luftës në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni
 – 2004-2008: Raportimi nga proceset gjyqësore të rasteve “Limaj” dhe “Haradinaj” në Hagë
– 2000–2023: Autor i mbi 120 filmave dokumentarë për figurat kryesore të luftës dhe të dokumentarëve të tjerë që kanë të bëjnë me historinë më të re të popullit shqiptar. Duhet veçuar filmin dokumentar “Mbijetesa dhe shkolla”, i cili ka marrë 16 çmime ndërkombëtare nga juritë profesionale të festivaleve të filmave dokumentarë, filmi dokumentar “Mbijetesa”, ai kushtuar rektorit të Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Ejup Statovci, akademik Gazmend Zajmit dhe dokumentarë të tjerë.


Botimet?

TELEVIZIONI SI TRIBUNË E UDHËRRËFIM I POPULLIT

Në një medium shumë mirë të kontrolluar nga politika, në vitet 1987, 1988, 1989 e 1990, Televizioni i Prishtinës u bë një medium shumë i shikueshëm dhe i besueshëm. Kjo u arrit falë përkushtimit dhe guximit profesional të gazetarëve, redaktorëve dhe disa shefave të programeve, por edhe mbështetjes nga drejtorët Qemajl Hasani e Agim Mala. Duke e parë se udhëheqja politike e Kosovës filloi t’i kundërshtojë fuqishëm tendencat e Beogradit për centralizimin e të gjitha kompetencave të institucioneve në Kosovë, madje edhe në nivel komunal, edhe ne gazetarët filluam t’i demaskojmë publikisht dukuritë e tilla. Vazhdimisht në ekranin e TVP-së trajtonim tema të tilla, ku argument kryesor kishim Kushtetutën dhe ligjet, të cilat ende ishin në fuqi dhe rregullonin në mënyrë të qartë çështjet që kishin të bënin me kompetencat e organeve dhe institucioneve të Kosovës dhe të atyre komunale në të gjitha fushat e jetës. Beogradi synonte që shqiptarët t’i zhvishte nga kompetenca vendimmarrëse dhe çdo gjë ta kontrollonte dhe merrte vendime vetë. Kështu, Televizioni i Prishtinës shumë shpejt u bë medium jo vetëm i shikueshëm, por edhe tribunë e vërtetë dhe e hapur, ku trajtoheshin, në mënyrë profesionale, të gjitha temat, të gjitha problemet e qytetarëve të Kosovës. TVP-ja u bë udhërrëfyes i mirëfilltë për qytetarët, të cilët, duke parë guximin e gazetarëve të TVP-së, aktualizonin problemet me të cilat ballafaqoheshin në organet qendrore dhe në ato komunale. Në redaksi na vinin shumë informata lidhur me problemet e tilla, pastaj në ditët në vijim i dërgonim në terren ekipet televizive për t’i trajtuar dhe informuar opinionin lidhur me to. Në ditarin qendror të orës 19:30 transmetonim edhe komente konkrete, me të cilat demaskonim politikën e Serbisë ndaj Kosovës.

Si e sfidova policinë serbe më 2 korrik 1990

Lajmet qendrore të TVP-së përgatiteshin në mënyrë profesionale dhe ishin bërë të besueshme edhe për opinionin e gjerë mbarëshqiptar, dëshmon fakti se një periudhë, sidomos gjatë tubimeve protestuese në Prishtinë dhe grevës së minatorëve, Televizioni Shqiptar i Tiranës në orën 19:30 lidhej drejtpërdrejt dhe transmetonte ditarin e TVP-së.
Pas kryerjes së mbledhjes historike të Kuvendit të Kosovës, pa planifikuar, në redaksi, me vetiniciativë, e mora kameramanin Leonard Mulliqi dhe dolëm në qendër të qytetit, para ish-hotelit “Bozhur” – “Iliria” (sot “Swiss Diamond”) dhe filluam të xhironim disa mendime të qytetarëve se si e kanë pritur miratimin e Deklaratës kushtetuese të Kuvendit të Kosovës. E ndala një qytetar që ishte duke ecur, një veteran të arsimit në Prishtinë, Hamëz Gashin nga Çabiqi i Klinës, të cilin fillova ta pyetja: “Si e vlerësoni miratimin e Deklaratës kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës nga Kuvendi i Kosovës?” Mirëpo, komandanti i njësive speciale serbe, Marko, i cili kishte arritur nga Serbia (Kraleva), vazhdimisht më kishte përcjellë. Ai ndërhyri dhe bashkëbiseduesi im nuk pati guxim të përgjigjej, sepse policia serbe kërcënohej se do të shtinte me automatikë në drejtim të tij, timin dhe të kameramanit. Megjithëkëtë, nuk u zmbrapsa dhe insistova që Hamëz Gashi të përgjigjej, por kur ai e pa komandantin e policisë serbe që kërkonte të ndërpritej xhirimi, u ndal. I kërkova mirëkuptim komandantit të policisë ta kryejmë këtë bisedë, por ai nuk lejoi, duke dhënë urdhër: “Ndërprite xhirimin!” Komandanti dhunshëm e ndërpreu xhirimin e bisedës në prani të shumë qytetarëve, të cilët ndiqnin me interesim të jashtëzakonshëm punën e ekipit të TVP-së.

Ngjarja historike pati jehonë të madhe në publik

Unë i kisha në dorë dy ekzemplarë të Deklaratës kushtetuese të Pavarësisë. Kur m’i pa, komandanti më kërkoi t’i jepja njërin. Me qëllim nuk ia dhashë deklaratën, por i thashë: “Deklarata kushtetuese është për mua që ma kanë dhënë delegatët e Kuvendit. Nuk jam i autorizuar t’jua jap juve!” Nuk doja që me dorën time t’i shërbeja atij, prandaj i thashë: “Shko kërkoje te delegatët e Kuvendit të Kosovës, sepse vetëm ata janë kompetentë për këtë!” Komandanti nuk ma mori dhunshëm Deklaratën kushtetuese dhe unë vazhdova t’i merrja opinionet e qytetarëve në një vend tjetër më të sigurt, ku nuk kishte milicë. Me gjithë pengesat e mëdha nga milicia serbe, e xhirova bisedën me Hamëz Gashin, kurse kolegët e tjerë bisedat me qytetarët e tjerë lidhur me Deklaratën kushtetuese dhe kronikën speciale i transmetuam në ditarin qendror të TVP-së, në orën 19:30, më 2 korrik 1990. Raportimi i të gjithë gazetarëve të TVP-së nga kjo ngjarje historike ishte në nivel të lartë profesional dhe pati jehonë të madhe në publik.

                                                                                            Nga “Libri i luftës”, 2019