Nezir Prokshi lindi në Fortesë (ish-Vërbofc) të Drenicës, komuna e Drenasit, më 15.10.1945. Shkollën fillore (deri në klasën e gjashtë) e kreu në vendlindje, ndërsa të shtatën dhe të tetën në SHF, tani “Elena Gjika”, në Prishtinë, ku e kreu edhe të mesmen ekonomike në Prishtinë. Studioi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës pa shkëputje nga puna.
Shkruan poezi e prozë. Merret edhe me publicistikë dhe me mbledhjen e folklorit burimor në Drenicë dhe vise të tjera të Kosovës. Botoi në të gjitha revistat e Kosovës dhe ato shqipe në Maqedoni. Poezitë e para i botoi në “Zanin e rinisë“ në vitin 1964 dhe në revistën “Jeta e re”. Që nga viti 1967, kur u punësua si nëpunës i administratës në organet e KK të Drenasit, ishte edhe korrespondent i “Rilindjes”, i Radio-Prishtinës dhe që nga themelimi edhe i Televizionit të Prishtinës.
Në vitin 1981, pas demonstratave masive në Kosovë e Drenas, me vendimin e Komitetit të Mbrojtjes, u mor vendimi që të largohet nga puna për shkak të përkrahjes së demonstratave studentore dhe gjithëpopullore në Kosovë. Vendimi nuk u nënshkrua dhe mbeti pa u zbatuar… Që nga nëntori i vitit 199l, kur u instaluan organet e dhunshme në komunë e deri në përfundimin e luftës, ishte i papunë.
Pas Luftës, derisa u punësua në Ministrinë e Punës e të Mirëqenies Sociale në Republikën e Kosovës, u angazhua ne shoqatën bamirëse “NËNË TEREZA” në furnizimin me gjëra ushqimore e veshmbathje për popullatën e mbetur pa strehë mbi kokë.
Në shërbim të Luftës së UÇK-së ua dha gjithë pasurinë që kishte në fshatin e lindjes, në Vërboc. Shtëpia dhe e tërë infrastruktura përcjellëse që shërbyen si ambulancë e spital i UÇK-së, u bë shkrumb e hi në ofensivën e parë të shtatorit 1998.

Ka botuar këto vepra letrare:

1.Kohë idhnake, “Rilindja”, Prishtinë, 1987
2.Shi me diell, “Rilindja”, Prishtinë, 1997
3.Mbijetesa e njerëzve të Drenicës në rrethim, ditar lufte (2000), fejton, gazeta “Rilindja”, Prishtinë
4.Ditar lufte, botim i SHB Radio-Kosova e Lirë, 2007
5.Sheshi i Shpëtimit, Radio-Kosova e Lirë, 2007
6.Lulet e Kosovës, SHB “Faik Konica”, Prishtinë, 2009
7.Qiejt ilirianë, LSHK, Prishtinë, 2011
8.Me flamur në zemër, poezi për fëmijë, 2011
9.Gjysh – Dielli a ka sy?, poezi për fëmijë
10.Mbretëria e ëndrrave”, poezi, Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve në Rumani, Bukuresht, 2012
11.Daja Dinë dritë e shtigjeve të djemve të lirisë, monografi, SHBPK, Prishtinë, 2013
12.Teshtima, poezi, “Meshari”, Prishtinë, 2016
13.Vau i Shpresës, tregime me motive nga lufta, “Meshari”, Prishtinë, 2016
14.Magjia e gurit, “Meshari”, Prishtinë, 2016
15.Shtatë mollëkuqe bëhen nuse, poezi për fëmijë, “Meshari”, Prishtinë, 2016
18.Alo, alo, vjersha për fëmijë, “Meshari”, Prishtinë, 2017
19.Syjeshilta, “Meshari”, Prishtinë, 2017
20.Antologjia poetike Ditët naimian (zgjodhi dhe përgatiti), SHB “Meshari”, 2015

Është përzgjedhur në shumë antologji që janë botuar në Kosovë, Shqipëri e Rumani.
Për krijimtarinë e tij letrare kanë shkruar kritikë e studiues të ndryshëm.
Ka përgatitur kompletin e shkrimtarit dhe studiusit për fëmijë, Ymer Elshani, i cili u vra e u masakrua nga serbët në prill të vitit 1999. Kompleti “Veprimtaria letrare e Ymer Elshanit” është përgatitur në dhjetë vëllime.
Është editor i SHB “Meshari” të Prishtinës.
Jeton e vepron në Drenas e Prishtinë.

MBRETËRIA MAGJIKE E HIJES

Kur vjen nata
Poema e hapur në tryezë
Grindet me metafora
Mbi mua kalërojnë
Shkëmbinjtë të mbërthyer

Majave të thepisura
Zbehen bardhësitë
Luadhet me këmisha të përhitura
Lakuriqët që duan t’ia ndalin
Bubullimën qiellit
Ofshame te bezdisura
Labirinteve përrallore
Shenja të orëve të liga
Po ikin
Thanë po i përpin errësira
Ka rënë një sëmundje e keqe
Në një lugajë që ka marrë zjarr
Trishtimi do të përvidhet
Në mbretërinë magjike të hijes
Fatziu unë që nuk nuk u takuam
Në stinën e përtëritjes
Imazhe rastësore përshkonin qiellin
Ngadalë në duart e Lirisë