Neki Lulaj lindi në fshatin Broliq të Deçanit, më 13 janar 1955. Shkollën fillore e nisi në Prapaqan të Deçanit, kurse semimaturën e përfundoi në shkollën fillore “Fan Noli“ të Kryshecit të Pejës.
Gjimnazin „Vëllezërit Frashëri“ e mbaroi në Deçan, ku me pas u regjistrua në shkollën e lartë pedagogjike “Bajram Curri“  në Gjakovë, në Degën Letërsi dhe Gjuhë Shqipe dhe më pas u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Kosovës në Prishtinë, Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Pas mbarimit të fakultetit, punoi mësimdhënës i gjuhës shqipe në shkollën fillore “Boris Kidriç“ në Vushtrri.
Nga fillorja dhe gjimnazi, ai filloi të merret me shkrime, poezi e krijimet të tjera dhe i publikoi nëpër shtypin e kohës, si në revistën „Pionieri“, në gazetën „Rilindja“ e në revistën “Zëri i rinisë“,  „BAT“, „Shëndeti“ etj. Më pas boti edhe në gazeta e revista të tjera.
Rrethanat e egra të regjimit dhe torturat serbosllave bënë që si shumë të tjerë edhe ai të marrë rrugën e mërgimit, ku vendoset në Gjermani. Aty zhvillon dhe veprimtari politike.
Në Gjermani vazhdon fakultetin për kualifikimin përkatës social dhe tani punon si pedagog në procesin edukativo-arsimor në një gjimnaz gjerman… Njëherësh qe 18 vjet udhëheq mësimin plotësues në gjuhën shqipe me nxënësit shqiptarë.

Deri tani ka botuar këta libra:

Trinomi i lirisë, poezi, (bashkautor) “Jeta e re”, Prishtinë, 2012.

Dardania ime, poezi, “Albanezul”, Bukuresht, 2013.

Balada e heshtjes, poezi,  “Amanda Edit”, Bukuresht, 2013.

Zjarri i shpirtit, poezi, “Amanda Edit”, Bukuresht, 2014.

Në kështjellën e përjetësisë, poezi, “Amanda Edit”, Bukuresht, 2014.

Bukuri e Bekuar, poezi, “Vllamasi”, Tiranë, 2014.

Vesa mbi gurë, poezi, “Jeta e re”, Prishtinë, 2015.

Kodi i Tokës, poezi, “Vllamasi”, Tiranë,  2016.

Disa  nga librat e tij janë përkthyer në gjuhën gjermane, angleze dhe në atë rumune.
Është nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani; anëtar nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë në Bukuresht që nga viti 2015.
Nga Kuvendi i Lidhjes Shqiptare në Botë, në qershor 2017 është zgjedhur kryetar i Lidhjes Shqiptare në Botë për pesë lande gjermane.
Është përfshirë në dhjetëra antologji të botuara në Kosovë, Shqipëri, Gjermani, Rumani, Nju-Jork dhe në Iliridë.
Bashkëpunon me një varg gazetash e revistash shqiptare dhe të diasporës.
Është fitues i çmimeve të ndryshme letrare. Është nderuar edhe me disa mirënjohje.

BETEJË E FITUAR

 

(Bisedë me shkrimtarin…!)

 

Nga Rugova, zbret heshtja e madhe e pllakosur si terri

Rrugës së shkronjave poezia lë rreze si dritë ujëvare

Trotuaret e mendjes së praruar me vargje nga Bacë Azemi

Në zallishtat e ndritura mes lahutash shpërthen ndër male.

 

Metafora jote moderne theu shkrepëtimë në heshtje.

Nëpër mësonjëtore kurrë s’do t’digjet shkrumbi.

Mbi dhogëzat e teatrit vezullojnë dritat me rreze

Na vjen plisbardhi, me fjalë të mençura burri.

 

Ç’do t’ndodhte mes nesh po të mos ishit Ju, or mik?

Me çfarë do ta kishim ushqyer shpirtin e ftohtë të erës?

Me çfarë do të pasuronim ne fjalorin e nënës së mirë?

Mbete unazë poetike që ndriçon në oazën e madhe të zemrës.

 

Si ta ngre urën për ta kaluar heshtjen e gjatë?

E të vijmë në kurrizin e shpirtit të plasaritur kallkan?

Buzëqeshjen e trishtë të mungesës mos ma thaj

O Mik i fjalës së mençur, o mik i vargut naimian.

 

Ti linde ditëve të egra të Kosovës me bubullimë

Koha t’i forcoi rrënjët e ashtin e burrit të Rugovës

S´të ndali as dimri e as mot i ftohtë që sillte stuhinë

Lëndinave mbolle mjaltin e lules së gurit të Kosovës.

 

Mbi rrasat e zemrës të poezisë moderne ishe shkrepëtimë

Ishe dhe do t’mbetesh lule qershori nëpër breza…

Këngë majekrahu që kurrë s`do të ketë shterim,

Filizi i poezisë moderne që gatoi për Kosovën lirinë.