Nazmi Rudari

Nazmi Rudari është shkrimtar, dramaturg dhe kritik letrar. Kreu studimet e letërsisë shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Nga vitet e shtatëdhjeta shkruan poezi, prozë, dramë dhe kritikë, që i botoi në shtypin dhe periodikun tonë.
Punoi si mësimdhënës në gjimnazin e Podujevës. Në vitet e tetëdhjeta në provat gjenerale që kishte trupa teatrore e Besianës (Podujevës) iu hoq nga skena “Letra vinte nga Ballkani”. Në konkursin e Radio-Prishtinës iu mor radiodrama “Kënga e maleve“ dhe nuk u realizua asnjëherë. Radiodrama si dhe veprat e tjera bënin thirrje për ruajtën e dinjitetit njerëzor dhe integritetit kombëtar. Ndjekja e njëmendët u forcua dhe e rrezikoi edhe fizikisht pas botimit të librit të poezive “Helm e gjak“, libër ky që u konfiskua.
Pas ndjekjeve të shumta dhe pasi u mor disa herë në polici, i akuzuar si shkrimtar, si mësimdhënës dhe si aktivist në luftën për pavarësi, si propagandues kundër pushtetit serb u detyrua të largohet nga atdheu. Ndjekjen dhe maltretimet që iu bënë autorit e dënuan publikisht Shoqata e Shkrimtarëve e Kosovës, kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova dhe institucione e organizata të tjera të Kosovës. Sot jeton dhe punon në Mainc të Gjermanisë.
“…si fëmijë e di se jam rritur në një fshat në veri të Kosovës dhe e mësova me lotët e mallin e gjyshërve se paraardhësit e mi kishin jetuar më mijëra vjet në Rudar, sot në Serbi. Pra, tokë e pastër shqiptare me territor e me popullsi deri në vitin 1870 kur nisi dhe përfundoi shpejt shpërngulja e shqiptarëve nga tokat e tyre, shtëpitë e tyre të cilat iu grabitën nga ushtuesit. E mbaj mend, kjo gjatë e thellë ka jetuar në shpirtin e mendjen e gjyshërve të mi…, prandaj lufta e fundit nuk ishte pos realizim i një skenari të dikurshëm kur ushtria dhe paramilitarët vranë, plaçkitën dhe i ndoqën te gjithë ata që nuk pranuan të serbizoheshin. Të mbeturit u dhunuan dhe përdhosën shumëfish… Unë i kam mësuar të gjitha këto në heshtje dhe i kam parë në shkëlqimin e lotit të gjyshërve të mi… im atë jetoi gjithnjë me frikën se kjo do të ndodhte edhe me ne… Në fillim instinkti e më vonë bindja se i vetmi shok e më i miri ishte libri, të cilit të vetmit edhe i besoja, sepse nuk mund të ndërronte sot për nesër dhe kjo më ndihmoi që të mos i ndahesha shkollimit. Kam udhëtuar jo një ditë, jo një javë, por disa vite mbi 25 km në ditë për të mbaruar shkollën e mesme dhe studimet… Për të gjitha ato që i bëra në jetë, fajtor jam vet. As nuk i detyrohem kujt, pos punës sime dhe vendit ku jetoj sot, Gjermanisë, që më ofroi strehim kur kisha mundur të mbetesha rrugës, e edhe këtu me punën time të palodhshme prej mësuesi siguroj kafshatën e bukës. Asnjëherë nuk i bie pishman pse kam jetuar si një intelektual i denjë dhe nuk jam nënshtruar asnjëherë as vesit, as epshit, as lakmisë dhe jam në gjendje cilitdo qoftë mik dhe qoftë armik t´ia shkel këmbën dhe ta shoh drejt në sy. Asnjëherë në jetë, ama asnjëherë, nuk kam keqpërdorur asnjë cent edhe pse kam pasur rast e mundësi sikur që kanë pasur pothuajse të gjithë njerëzit e kalibrit tim dhe të këtillë fatkeqësisht, më duhet ta them, ka pasur shumë pak. Kam qenë gjithnjë njerëzor dhe korrekt i hapur edhe me njeriun më të skajshëm të konopit. Jam munduar te secili njeri të gjej anën e mirë të tij dhe te mbi 97% kam arritur të gjej mirëkuptim dhe bashkëpunim dhe së paku për kohën që është shoqëruar me mua ka ndërprerë aktivitetin e lig apo të dëmshëm. Ka shumë që nuk iu kanë kthyer kurrë… shpeshherë me vite të tëra e kam përtypur dëmin që më ka bërë A-ja apo B-ja dhe jam shtirë sikur nuk po ndodh asgjë… Kam pasur fat dhe u kam shpëtuar krejt rastësisht atentateve të kryera në mënyrë të përkryer të përgatitura të dy rastet nga sigurimet e fshehta. –Pasha zotin nëse vazhdon kështu, kanë me të vra! Ka qenë disa herë betimi i njerëzve të ndryshëm, bile disa herë janë betuar edhe punëtorë sigurimi e UDB-e. Unë e di se i çmendja me deklarime të hapura, nuk dija ndryshe… U detyrova të punoja pse pata kushte jo të mira materiale shumë herët dhe prej vitit 1972, kur rroka ditarin si arsimtar, punova pa ndërprerë, e edhe i kërcënuar disa herë edhe me jetë, sepse isha konsekuent, njerëzor dhe i durueshëm dhe i qëndrueshëm në parim e drejtësi. Gjithë jetën jam munduar t’i shërbej atdheut tim dhe jam munduar t’i shërbej sa më mirë. Kush i shërben atdheut njëmendësisht e ka një dhuratë të sigurt, vdes në varfëri të thellë. Kjo më ka mbërthyer disa herë dhe asnjëherë me fajin tim…
Me krijimtari jam marrë, jo pse kam dashur të jem krijues, jo pse kam dashur të jem njeri publik, jo pse kam dashur të jem i famshëm, por pse nuk kam mundur të pushoj e të qetësoj shpirtin dhe mendjen krijuese…, por se kam dashur edhe më trup, edhe me shpirt të jem në shërbim të popullit tim… Krijimtaria ime është e lidhur shumë me jetën e gjallë dhe është një sintezë e përvojës, e virtytit, e vuajtjes dhe e angazhimit, e luftës dhe e ngritjes, e veprimit dhe e ekzistencës, e rezistencës, e pathyeshmërisë, e këmbënguljes dhe e guximit, por shkurt e përmbledhur – e jetës, e flijimit dhe e imagjinatës krijuese. Ajo që e kam shkruar unë, ose ka ndodhur, ose do t. Ndodh. pak vjet më vonë. Kjo më ka habitur edhe mua, por kështu është ky fakt, por kështu është… edhe kur krijoj sot… sot krijoj dhe punoj në Gjermani, puna më gjallëron dhe vazhdimisht jam në kërkim dhe studim të asaj që bëj, prandaj kam filluar të botoj edhe librin shkollor. Unë kam qenë dhe kam mbetur i brezit të flijuar për atdhe, u takoj atyre që kanë dhënë djersë, pasuri dhe gjak për atdhe… më vjen të vjell kur shoh se si pasurohen bandat dhe kriminelët në kurriz të atdheut… ruaje zot atdheun tonë nga grabitqarët që po duan ta vrasin ende pa u zhvilluar. Atdhe është secili qytetar e jo vetëm një shtresë. Atdhetar i mirë nuk është ai që shëtit me çark në krah, por as ai që shëtit më çyrk në krah dhe grabit… e maltreton vendësit dhe popullin e vet, por ai që me përkushtim e përfill ligjshmërinë dhe rregullin e kushtetutën… ruaje Zot Shqipërinë e Kosovën nga halldupët e dallkaukët, derbederët, dilinxhinjtë e mercenarët e bejlerët e kuq e të shitur, aspak nuk po na vjen lehtë …ruana zot nga imitimet e qitna në të qenit e vërtetë e të njëmendtë…”

Veprat letrare

„Ag e muzg”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë, 1990
“Helm e gjak”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë, 1992
“Këngët e ditës”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë, 1996
“Kujtimet nuk vriten”, poezi, “Faik Konica”, Prishtinë, 1999
“Letra vinte nga Ballkani”, dramë, “Jeta e re”, Prishtinë,
“Letra e bardhë”, dramë, “Jeta e re”, Prishtinë
“Kanga e maleve “, radiodramë, Radio-Prishtina
“Drita e Diturisë”, “Zahir Pajaziti”, Besianë, 2013
“Drita e Diturisë”, Gießen, “Weyel Verlag”, 2014
“Ah, kjo ketë”, “Faik Konica”, Prishtinë, 2015
“Portrete Reale”, prozë, 2016