Naxhije Doçi

Naxhije Doçi lindi në Therandë (Suharekë) në familjen Bajraktari. Kjo familje më se dy shekuj ishte prijatare në luftërat për liri të tokave shqiptare, ndërsa në gjysmën e dytë të shekullit njëzet ishte e përndjekur dhe e burgosur pse vepronte me përkushtim për t’u çliruar nga pushtuesi serb në Kosovë. Babai i saj, Destan Bajraktari, profesor, ishte i anatemuar nga pushtuesi serb, i burgosur politik, folklorist dhe autor i më se 40 veprave poetike e folklorike.

Naxhije Doçi shkollën fillore e kreu në vendlindje, në Therandë, të mesmen, normalen në Prizren, Fakultetin e Filologjisë – Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Prishtinë.

Mbi 30 vjet ka punuar profesoreshë në shkolla fillore dhe të mesme te Prishtinës. Nga viti 2000 shefe në Drejtorinë për Arsim – komuna e Prishtinës dhe zv.drejtoreshë.

Në vitet e 80-ta në shkollën ku punonte, tani shkolla e mesm teknike “28 Nëntori”, në Prishtinë, për shkak të reagimeve të shpeshta ndaj ndëshkimit të nxënëve shqiptarë, që dilnin në protesta kundër pushtimit dhe diskriminimit serb në Kosovë, bie në sy për të keq tek administrata e shkollës dhe më gjerë. Reagimet e saj do të vazhdojnë edhe në kohën e ndryshimit të amandamenteve kushtetuese në vitin 1989 në Kosovë, segregacionit në shkolla dhe helmimit të nxënësve shqiptarë nëpër shkollat e Kosovës, më 1990. Në klasën ku ishte kujdestare e klasës (kl. IV) i helmohen 23 nxënëse nga helmet toksike misterioze serbe dhe me ndihmën e nxënësve të paprekur nga helmimi i bart me veturën e vet dhe si të mundet nxënëset e helmuara të klasës, as të gjalla, as të vdekura, për t’i dërguar deri në spital, si dhe nëpër shtëpitë e tyre. Angazhimet dhe veprimet e tilla do të kritikohen rreptë nga administrata diktatoriale e kohës dhe për këtë do të ftohet disa herë në bisedat e ashtuquajtura informative në SUP-in e atëhershëm tmerrues serb në Kosovë, si edhe do të merret vendimi për përjashtim nga puna si profesoreshë. Në vitin 1991 një vendim i tillë makabër do të bastardohet, se tani të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptarë ishin të përjashtuar e të diskriminuar nga e drejta për shkollën shqipe. Edhe gjatë mbajtjes së mësimit nëpër shtëpitë-shkolla është torturuar fizikisht e psikikisht prej policëve serbë, që hynin me barbari të paparë edhe në orët mësimore, në shtëpinë-shkollë.

Nga viti 1989, Naxhije Doçi është marrë intensivisht me aktivitete të organizuara arsimore e politike në të mirë të Kosovës. Ka punuar shumë për shkollimin dhe emancipimin e femrës shqiptare në Kosovë, si edhe për të drejtat e saj.

Është themeluese e Degës IV t; Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Prishtinë, ndërsa në vitet 1992-1997 zgjidhet edhe nënkryetare, si dhe kryetare e FGLDK-së për këtë degë.

Pas luftës zgjidhet sekretare gjenerale e FGLDK dhe kryetare e Degës II të FG, në Prishtinë.

Nga viti 2010 dhe aktualisht është nënkryetare e Forumit të Gruas të LDK-së. Më 2004-2008 zgjidhet deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Më 2005 shpallet ambasadore e paqes universale në botë. Në kongresin mbarëkombëtar të gruas shqiptare, mbajtur në Prishtinë, më 2012, shpallet gruaja shqiptare e vitit.

Ka botuar këta libra:

“Shpirti i dërmuar – Dhuna serbe ndaj femrës shqiptare në Kosovë

1997-1999”, Prishtinë, 2001

“Destan Bajraktari – folklorist, letrar dhe atdhetar ”, monografi, Prishtinë, 2009

“Krimi dhe përdhunimi serb kundër femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999”, Prishtinë, 2010

”The Serbian crime and rape against the Albanian Woman in Kosova 1997–1999”,  Prishtinë, 2013

“Kohë flakadanësh të lirisë”, poezi, Prishtinë, 2012

“Times of flambeaus of fredoom”, Pristinë, 2012

“Udha e kombit – ëndërr e dehur e rrënjës” – poezi, Prishtinë, 2015

“Vargëzim mbi gjurmë”, poezi, 2017

Ka marrë pjesë në shumë tubime letrare dhe shkencore në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, ku edhe ka marrë shumë mirënjohje dhe çmime letrare. Një numër të madh poezish i ka të botuara nëpër antologji të ndryshme, botuar gjithkund nëpër trevat shqiptare, e disa sish edhe të përkthyera. Nëpër disa libra ka botuar edhe shkrime publicistike, rrëfime lufte etj. Është autore e shumë fejtoneve gazetare për tmerret e luftës në Kosovë, e vlerësimeve shkencore, si edhe e punimeve etnografike dhe gjuhësore. Është recensuese veprash letrare dhe autore tekstesh shkollore.

Jeton e vepron në Prishtinë.