Musa I. Ahmetaj

Lindi më 1.01.1958, në Hogosht të Dardanës. Shkollën fillore e filloi në vendlindje, kurse e mbaroi në Dardanë. Po ashtu në Dardanë kreu edhe gjimnazin. Pastaj kreu Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Në fillim të viteve ‘80 të shekullit të kaluar punoi si mësimdhënës në shkollën fillore “Fan S. Noli” të Dardanës. Më 1985 punësohet si punëtor administrativ në Gjykatën Komunale të Dardanës (ish-Kamenica). Më 1991, si çdo shqiptar, pushtetit serbo-sllav e largon nga puna. Pas Luftës së UÇK-së, me rifillimin e punës së Gjykatës Komunale në Dardanë rikthehet në vendin e punës, ku edhe sot punon përkthyes.
Me shkrime merret që nga shkolla e mesme. Në fund të viteve ‘70, ka bashkëpunuar me “ Zërin javor”, ku botonte poezi satirike. Më 2007, në kuadër të klubit letrar “Nositi” të Dardanës, boton përmbledhjen e parë me poezi ”Kur sytë shohin keq”, kurse librin me studime nga etnologjia shqipe “Doket dhe tiparet e lindjes, të dasmës dhe të vdekjes në Hogosht “ e boton në vitin 2009, ndërsa përmbledhjen me poezi satirike “Nga të fryjë era” në vitin 2012. Vëllimin me poezi satirike ”Profile me hile” e publikon më 2016, atë “Për popull, për popull” më 2018, kurse në vitin 2020 boton librin “Lum e lum ky popull”.
Është bashkëpunëtor i rregullt i revistës letrare “Nositi” të Dardanës.
Jeton dhe vepron në Dardanë.

PSE TE MOS NOMINOHEM

Thirra dajë, teze e mbesa
Edhe disa gazetarë
Solemnisht me kandidaturë
U nominova për kryetar

Të kaluarën e kam të pastër
Si unë nuk gjeni dot shoq
Kurrë s’kam vjedhur në tenderë
Përveç kunguj dhe kallamboq

Shpesh babai më qortonte
Kur i mungonin cigaret
Nga pala e dimive nënës
Nganjëherë ia merrja paret

Si sot më kujtohet fëmijëria
Kur mbarova klasën e pestë
Pasi kisha mësuar shkronjat
Për mua organizuan festë

Edhe shumë e shumë të tjera
Në biografi nuk i kam hedhur
Përveç në shtëpinë time
Askund asgjë nuk kam vjedhur

Nëse këto e të tjera kushte
Vërtet merren sot për bazë
Kandidat më të mirë se unë
Kurrë nuk gjeni në këtë fazë