MUHARREM ELEZI

MUHARREM ELEZI

Lindi më 8.09.1955, në Livoç të Ulët të Gjilanit. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa studimet në Prizren e Prishtinë. Arti i aktrimit e provokoi që në shkollën e mesme, ndaj u angazhua në inskenimet e veprave dramatike që organizoheshin në qytetin e Gjilanit. Ka bërë dhe regjinë e dramës “Nita” të Josip Relës.
Ka punuar mësimdhënës në disa shkolla të mesme të qytetit, kurse ishte dhe drejtor i shkollës “Dëshmorët e Kombit” të Gjilanit.
Artin letrar e kishte për zemër, ndaj i është përkushtuar vazhdimisht.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Ka botuar veprat:

Ajo“, tregime, “Intergraf”, Ferizaj, 2021
Zyla“, roman, “Intergraf”, Ferizaj, 2022
E arratisura“, roman, “Lena”, Prishtinë, 2023
Engjëlli“, roman, “Lena”, Prishtinë, 2024

Tregim

TË JETOSH PA E NJOHUR VETEN

Që nga çasti që përfundoi pjesa hyrëse e bisedës me shkëmbimin e përshëndetjeve e pyetjeve të zakonshme,  vërehej se nuk i zihej vendi-vend. Më dukej sikur diçka fshihej pas vellos së qetësisë së saj e gëzimit që po na gjente mirë, që e përsëriste kohë pas kohe. Meqë ishte një e njohur e vjetër e familjes sime dhe mendoja që e njihja mirë, nuk e kisha të vështirë të lexoja njëfarë padurimi për të arritur në thelbin e bisedës që e preokuponte. Dhe, vërtet… pas pak doli që kisha të drejtë. Jam i bindur se për të tjerët që ishin të pranishëm, vegëza që gjeti për të nisur rrëfimin do të jetë dukur shumë e natyrshme dhe spontane, por jo edhe për mua që po prisja një shpalosje të tillë të zemrës.
– Në fëmijëri kam qenë tepër e turpshme, – tha në fillim dhe bëri një pushim të shkurtër, sikur donte t’i jepte kurajë vetes për të vazhduar më tutje. – Nuk dilja askund, sepse familja ime ende i ruante me fanatizëm zakonet e vjetra dhe më urdhëronin t’u përmbahesha atyre, apo thënë më drejt, të sillesha e të jetoja sipas atij kodi të vjetër zakonor. Asnjëherë nuk më lejonin të shkoja nëpër shtëpitë e shoqeve për vizitë e as të dilja jashtë oborrit. Kur shkoja në shkollë, nuk shoqërohesha me askënd. Shoqëria me djemtë e klasës as që mund të imagjinohej, por as me shoqet jo. Nuk mund të lidhja miqësi me asnjërën nga to, sepse e dija që për një gjë të tillë, kufijtë e botës sime ishin shumë të ngushtë. Në atë kohë, shoqëria me dikë nënkuptonte edhe shkëmbimet e vizitave të cilat familja ime nuk i honepste dot.  Kjo më bënte që të ndihesha jashtë çdo grupi të moshatarëve të mi. Parimet e stërvjetruara me të cilat kisha jetuar që nga fëmijëria, skalitën personalitetin tim, më formuan ashtu siç deshën pa më ofruar mundësi të ndërhyja, ngaqë njeriu nuk mund të jetë ndryshe, përpos një produkt i edukatës dhe i zakoneve që ofron familja. Nga kjo klimë ku u formova, nuk ishte vështirë të parashihej e ardhmja ime. Sapo arrita në moshën njëzetvjeçare, u martova. Njerëzit e burrit ishin të pasur, e mbanin veten të edukuar dhe ecnin në hap me kohën.
– Pse thua e mbanin veten të edukuar? Ishin apo nuk ishin të edukuar? – nuk u durova pa e ndërprerë.
– Eh, ke të drejtë! Këtë do ta them më vonë, – tha dhe vazhdoi: – Një ditë vjehrra më tha se kishte ardhur koha të hy në magje. Nuk e prisja kaq shpejt të më ngarkohej një obligim i tillë. Ndihesha shumë e brishtë, e papërvojë… ndoshta edhe e paaftë t’ia dilja mbanë. Vjehrra bëri një demonstrim të gatimit të pites, por ajo e bëri aq shpejt, sa ato që u përpoqa t’i ruaja në kujtesë, më ngatërroheshin, ndaj u trullosa. Megjithatë, askush nuk merakosej se si ndihesha unë. Jeta vazhdoi me rrjedhën e saj dhe nuk do ta harroj kurrë atë ditë që shtëpia u mbush përplot me mysafirë, ngaqë po e fejonim kunatin e vogël. Vjehrra ishte e zënë me punë të tjera më të rëndësishme, prandaj unë dhe kunata duhej të gatuanim. Mua më thanë t’i bëja dy pite… Ndodhesha para një sprove serioze, kisha frikë si kurrë më parë… Në një ditë me kaq shumë njerëz patjetër se do të dështoj, i thosha vetes. Nuk arrija të kuptoja se si mund të ishin njerëzit kaq mospërfillës ndaj vështirësive që po i përjetoja. Po sikur ndonjëra nga pitet, apo asnjëra, të mos dilte e mirë?! Çfarë të bëja? Do të turpërohesha para të gjithë mysafirëve! Oh, zot sa e brengosur isha! Dridhesha e tëra, goja më ishte tharë, zemra më rrihte fort dhe mezi më mbanin këmbët. Të hiqja dorë pa e provuar, ishte punë që nuk bëhej. Duhej t’i bëja pitet! Pasi kisha përjetuar disa çaste të këtij tmerri, fillova ta vë në punë mendjen. Mendoja: Ta zëmë se nuk i gatova mirë pitet?! Çfarë do të bëhet pastaj? Do të ndëshkohesha? Natyrisht që jo. Do të më tallnin? Punë e madhe edhe nëse më tallin. Çdokush e ka përjetuar, së paku njëherë në jetë talljen. Nuk ke arsye ta shqetësosh veten aq shumë, oj budallaqe, për hiçgjë! – i thashë vetes. Duhet të bësh pitet, o dolën të mira, o të këqija. Me siguri për këtë gabim nuk do të ndahesh nga burri, pastaj në fund të fundit edhe po të ndodhte kjo, isha ende e re dhe e bukur, një burrë prapë mund ta merrja. Më pas u qetësova dhe bëra dy pite shumë të mira. Po them të mira, meqë nuk pati ndonjë kritikë dhe e shihja se vjehrra zgërdhihej që çdo gjë shkoi mirë, – përfundoi rrëfimin dhe dukej e çliruar nga një barrë. Por unë nuk mund ta lija me kaq, kisha përshtypjen se ka ende diçka pas këtij rrëfimi.
– Po pse të erdhi në mendje kjo ngjarje pikërisht sot? – e pyeta.
– Sepse sot dëgjova që vajza e një të afërmeje time kishte përfunduar studimet e doktoratës. Ajo është martuar para dy vjetësh, por martesa nuk e pengoi në arritjet e saj. Kjo më ktheu në kohën e rinisë sime, kur na i prisnin krahët që të mos fluturonim. Sikur të kisha guxim t’i flisja vetes më shpesh, si atë ditë për të cilën ju tregova, ndoshta jeta do të rridhte ndryshe.
– Po familja e burrit tënd, ishte me edukatë, apo nuk ishte? – insistova.
– Atëherë i shihja si njerëz të qytetëruar dhe me edukatë, por nga perspektiva e tanishme po e shoh ndryshe. Ata nuk më ofruan përkrahje. Edhe për ata, njësoj si për familjen time, ishte me rëndësi që të bëhesha një yll që ndriçon brenda mureve të shtëpisë. Falë ‘edukatës’ së tyre dhe prindërve të mi, mbase një ditë do të iki nga kjo botë… pa e njohur veten dhe mundësitë e mia.