Zeqir Bekolli

ZEQIR BEKOLLI

Lindi më 26.6.1956, në fshatin Korroticë e Epërme, komuna e Drenasit.
Përgatitja profesionale: Fakulteti Filozofik, Dega e Letërsisë dhe e Gjuhës Shqipe në UP „Hasan Prishtina“.
Shkalla e tretë – Master, 2007, titulli:  Master i Komunikimeve Masive.
Përvoja e punës: Mësimdhënës në gjimnazin „Skënderbeu“ në Drenas, gazetar në gazetën “Tribuna”, Prishtinë (1982-’83), gazetar, redaktor, zëvendëskryeredaktor i “Rilindjes”, i “Bujkut” dhe i “Radio-Rilindjes”- Prishtinë (1985-2002) dhe  redaktor te gazeta “24 Orë” (2002-2003).
Në Ministrinë e Shërbimeve Publike: Zyrtar i lartë raportimi nga viti 2003-2008 dhe në Ministrinë e Administratës Publike: drejtor i Zyrës për Komunikim Publik nga shkurti i vitit 2008.
LSHK: Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Ka botuar këto vepra:

“Drenica në stinët e UÇK-së” (1998)

“Gani Helshani luftëtar – artist – shkrimtar” (2001)

“Krismat e Lirisë”, dramë (2001)

“Bejta Trimi i tigrave të zinj” (2002)

“Fatet tragjike”, roman (2006)

“Të pathënat për luftën e Kosovës” (2013)

“Dëshmi për krimin serb në Kosovë” – album (2014)

„Në oazën e lindje-vdekjeve“ (2020)

DET U NGJANË SYVE TË MI

Herën e parë të pashë
Me të njëjtën moshë
Si tash i  bukur i kaltër
Sipër qielli pa re
Plot valë
Si vargjet e poetit
Frymëzim për secilin kronist
Në secilën kohë
Se mbret në këtë tokë je vetë
Për ty u thurën
Mijëra legjenda
Tregime trilogji
Për anije të përmbytura
Për kaltërsinë tënde
Miliona poezi
Të thurura me shumë dashuri
Oazë e kallëzimeve të pafund
Për delfinë balena peshkaqenë
I bukur je
Kur nuk je nervoz
Se këtë e dëshiron
Secili peshkatar
Det
Çfaj kam unë
që u ngjan syve të mi blu

(Vlorë, korrik 2021)