Mr. Migena Arllati

DR. MIGENA ARLLATI

Ka lindur në Elbasan, më 6.09.1974, në një familje me tradita qytetare dhe arsimdashëse. Studimet e larta i ndoqi në Fakultetin Filologjik, Dega Gjuhë e Letërsi në universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit. Diplomoi për diplomaci në Akademinë Diplomatike Shqiptare në Tiranë. Ka përfunduar studimet pasuniversitare Master për gjuhësi në Qendrën Shtetërore të Studimeve Albanologjike në Tiranë.
Prej pasluftës së Kosovës ka punuar dhjetë vjet si gazetare, ku disa herë u shpërblye me çmime për punën e saj hulumtuese. Shkrime nga fusha e kritikës letrare dhe publicistikës ka botuar pothuajse në të gjitha gazetat dhe revistat që botohen në Kosovë, Shqipëri e rajon.
Aktualisht është profesoreshë e gjuhës shqipe dhe e letërsisë në Gjakovë.
Prej kohësh bën hulumtime shkencore në gjuhësi dhe merret me publicistikë e kritikë letrare dhe është paraqitur me punime shkencore në dhjetëra konferenca të ndryshme shkencore të organizuara nga Universiteti i Tiranës, i Prishtinës, i Shkupit, i Tetovës, i Shkodrës, i Elbasanit, i Durrësit, i Vlorës, si dhe në tubime shkencore ndërkombëtare në Slloveni, Itali, Zvicër, Gjermani, Angli etj.
Ka qenë redaktore dhe recensuese e më shumë se 50 vëllimeve me poezi e prozë të autorëve shqiptarë e të huaj.

Deri tani ka botuar këto vepra:

“Mendime në kornizë”, poezi, “Ura”, Prishtinë, 2012.
“Lindur për t’u bërë mjek”, monografi, “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2013.
“Vështrim rreth shprehjeve frazeologjike në të folmen e Gjakovës”, studim gjuhësor, “Jakova”, Gjakovë, 2014.
“Patronimet, mbiemrat familjarë në Gjakovë”, studim (bashkautore), “Jakova”, Gjakovë 2015.
“Etern’Ars”, kritikë letrare e reçensa, “Jakova”, Gjakovë, 2016.
“Autorë të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, 1886 – 2017”, leksikon enciklopedik (bashkautorë), “Jakova”, Gjakovë, 2017.
“Nuk dashurojnë perënditë”, poezi, “Adonis”, Elbasan, 2018.

Tituj të lartë:

*Qytetare Nderi në vendlindjen e saj, në Elbasan me motivacionin:

“Për kontributin e shquar të saj si gazetare, shkrimtare, hulumtuese ndaj gjuhësisë dhe albanologjisë, dhe një personalitet i shoqërisë civile në vend dhe diasporë”, 2015.

*Në dhjetor 2016 laureohet nga “Albanian Excellent” në Tiranë për angazhimet e shumta në shoqërinë civile, punën e frytshme në letërsi dhe në arsimin shqiptar.

*Në qershor 2018 certifikohet nga Instituti shqiptar për Lidership: “Lidere e Mijëvjeҫarit të Ri”.

*Në korrik 2018 shpallet “Ambasadore për Paqe” nga Federata Universale e Paqes.

*Në gusht 2018 nderohet me titullin “Misionare e Kombit Shqiptar” nga Qendra e Artit dhe e Kulturës Shqiptare me seli në Tiranë.

*Në dhjetor 2018 nderohet me titullin Imazhi shqiptar për kritikë letrare dhe publicistikë” nga forumi mbarëkombëtar “Imazh & Media” në Tiranë.

… si dhe shumë mirënjohje e falënderime nga institucione anekënd trojeve shqiptare.

Aktiviteti në shoqërinë civile:

Drejtoreshë e fondacionit të gruas intelektuale “Nermin Vlora Falaschi”, Gjakovë.
Anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Anëtare e organizatës botërore “Pentasi B World Friendship Poetry”.
Anëtare e institutit Alb-Shkenca me seli në Tiranë, Prishtinë e Shkup.
Zv.kryeredaktore e gazetës letrare të Alpeve “Tropoja”, Bajram Curr.
Anëtare e kryesisë së shoqatës së intelektualëve “Jakova” të Gjakovës.
Anëtare e kryesisë së organizatës humanitare të Kryqit të Kuq të Gjakovës.

JETA IME POEZI

Jeta ime
si cigare digjesh në këto duar,
prushi i lehtë sa ndizet fiket
iluzione më tymon papritur, pakujtuar.

Dje isha unë
në të njëjtën histori
kur rrugët parakaloja
një e nga një.

Sot jam po unë
historia ti,
jeta ime që më dhemb
veç tek dritë e syve tret.

Nesër kush do të mbetet
veç këtyre vargjeve mbushur fletë?
Me degë dafine vijnë tek unë
kurorë flokësh rreth engjëjsh turmë.

Jeta ime poezi
tjetër ç’mund të pres nga ti?
Vdekjen shoh larg tek rri
shkarravis e shkruaj refren të ri.

Jeta ime degë ulliri
mbushur ëndrra e dëshira,
përplasur vitesh po me këtë emër
hedhur humnerash, dergjur lëndinash.

Një mal me brenga në shpinë do ta hedh
endacakut të parë eja me mua t’i them,
monedhën e fatit të dy ta luajmë
shortin e kësaj bote me shqelm ta gjuajmë

Një ciu atje tej s’më lë të vazhdoj
lauresha dëgjon dhe këngën ndalon,
e bukura e shenjta poezi
fjalë e pashkruar mos shko në harri!