Kadri Rexha lindi më 7.2.1949 në fshatin Cerrcë të komunës së Burimit (Istogut). Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Burim në vitin 1968, ndërsa fakultetin dhe studimet pasuniversitare në Universitetin e Prishtinës. Gjatë vitit shkollor 1972-1973 punoi si profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe dhe asaj latine në Gjimnazin e Burimit, ndërsa nga viti 1973 deri më 1978 punoi profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në shkollën “V. Nazor” (tashti “Naim Frashëri”) të Prishtinës. Nga viti 1978 deri në shkurt të vitit 1982, kur edhe burgoset për aktivitet antijugosllav, punon në sektorin e klasifikimit të librit dhe në atë të zhvillimit të bibliotekarisë së Kosovës, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Pas vuajtjes së dënimit dhe daljes nga burgu, në vitin 1986, arratiset në Zvicër, ku zhvillon veprimtari të dukshme në fushën e politikës dhe të kulturës.
Është magjistër i shkencave filologjike dhe nga viti 2006 anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Jeton dhe vepron në Zvicër.
Poezinë e shkruan që nga klasa e pestë e fillores, ndërsa në fushën e publicistikës është paraqitur qysh si student i albanologjisë.

Deri më tashti ka botuar:

Kosovë, gurrë e bardhë”, poemë, “Zëri i Kosovës”, Biel-Biene,1989 (me pseudonimin D. Bardhi)
Fati i luleve – rruga jetësore e shkrimtarit dhe atdhetarit Jusuf Gërvalla”, monografi, “Buzuku”, Prishtinë, 1993
Pushkë lajmëtare” (monografi për Edmond Hoxhën), “Epoka e re”, Prishtinë, 2002
Dervish Shaqa”, RKL, Prishtinë, 2012
“Pikëtakime letrare”, RKL, Prishtinë, 2013
“Thirrjet e kohës”, RKL, Prishtinë, 2014

Ka redaktuar dhjetëra publikime letrare-publicistike. Poezia, recensionet, esetë dhe publicistika e tij janë botuar në gazeta e revista të ndryshme, “Bota e re”, “Fjala”, “Rilindja”, “Flaka e vëllazërimit”, “Zëri i rinisë”, “Zëri i Kosovës”, “Demokracia”, “Alternativa”, “Republika”, “Qëndresa”, “Fjala e lirisë”, “Epoka e re”, “Zëri ditor”, “Kosova sot”, “Lajm” etj.; www.radiokosovaelirë.com, www.pashtriku.org etj.