Mirvete Kabashi – Leku

Mirvete Kabashi – lindi më 28.10.1959, në fshatin Studençan të Therandës,në një familje intelektuale me tradita patriotike. U përkund në djep jo me ninulla të zakonshme, por me këngë patriotike ëndërrndjellëse dhe u rrit në kuvendet e odave të burrave, me rapsoditë për heronjtë, me legjendat dhe natyrën e bukur të vendlindjes, të cilat luajtën rol të rëndësishëm në formimin e ndjenjave atdhetare dhe në krijimtarinë letrare.
Shkëndijat e para të krijimtarisë poetike i dha kur ishte fëmijë, por studimet në SHLP, Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i hapën horizonte të reja për të njohur më thellë letërsinë dhe parimet e krijimtarisë letrare. Hyri me guxim në rrugën e bukur të krijimtarisë, duke botuar poezi në revistat letrare “Pionieri”, “Zëri i rinisë”, “Kosovarja” etj. Tash bashkëpunon me një revistë shkollore “Dituria”, që e boton diaspora shqiptare në Suedi.
Prirjet e saj në poezi janë të vrullshme. Ka mbi 500 poezi të botuara pjesërisht nëpër periodikë. Ka dalë përpara lexuesit me tri vëllim poetik:

“Flakë e valë” ,

“ Gurra e zemrës” dhe

“Sintaksë platonike”, si dhe me shumë poezi të tjera në disa botime antologjike. Ka gati për botim edhe dy vëllime me poezi dhe një roman.
Jeton e vepron në Prizren.