MIRLINDA LATIFI

Lindi më 26 gusht 1980, në Prishtinë. Ka mbaruar shkollën e mesme për ekonomi dhe administratë, ndërsa studion komunikimin masive (gazetarinë).
Merret kryesisht me krijimtari poetike. Punimet e saj i ka publikuar në disa revista letrare e faqe elektronike sociale. Ka treguar interesim sidomos me trajtimin e temave filozofiko-psikologjike, probleme që i ka artikuluar në disa portale elektronike. Është paraqitur në disa botime të përbashkëta, ndër të cilat edhe në “Ditët e Lidhjes”, “Ora e Pavarësisë”, “Gjurmë kohe”, “Vjeshta dhe vargjet” etj. Në festivalin e poezisë “Guri i Plakës” në vitin 2022 është nderuar me çmimin e parë.
Jeton dhe vepron në Fushë-Kosovë.

Ka botuar këto vepra:

Tinguj të zemrës”, poezi

Muzës i vjen ora”, poezi

e-mail: mirlindalatifi78@gmail.com
tel. 043 927 437

NË PËLLEMBË TË DORËS

Më ka mbetur edhe pak moshë rinie,
ka vite që lulëzoj si kopsht frutor,
në pëllëmbë dore lexoj biografinë time
e jetës rrudhat ia prek me dorë.
Në qetësi me hënën shikohemi mbrëmjeve
derisa na futet bjeshka në mes,
dhe mendohem mes librit, lapsit dhe fletës
në kërkim të gjetjes brenda vargut të poezisë.

Shikoj si nata e merr hënën mbi supe
si të voglin e saj drenusha e trembur.
Ndodh ndonjëherë që ta prek
butësinë e borës në shuplakë dore
kur zbardhet toka, mali e fusha,
sa herë që nata shndrit
si nusja me vello të bardhë.

Në kujtesë më ringjallet në mendjen time
e kaluara që përfton shtigjeve të harresës,
e djeshmja më del mjegull shpërfaqur ndër korije,
e ardhmja si një gjethe dhe lule në pranverë. 

Si hedhja e kokrrave të misrit hullive bukatore,
kur toka shndrit nga rrezet e diellit,
degëzime pemësh në jetë më gjasojnë,
kujtime ndryrë në thellësi të shpirtit.

Qëndrojmë kokë më kokë në përftimin e ditës,
nostalgji mbrëmjeje në perëndimin e diellit
dhe thurim epope lavdesh që kurrë s’u kënduan;
rinia ime që po ikën ma kërkon ison e përditshme!

Eci mes mendimeve të mia,
si ikonë e heshtur udhëtoj e nuk ndalem,
krijimi im, ylber i ndritur në qiell
në mesin e librave dhe në vargun e poezisë,
që pa humbur kohë diçka më kujton,
e në pëllëmbë dore ndryj
Rinin që më përfiton.