Mikel Gojani

Mikel Gojani lind më 1956 në fshatin Dugajevë të Klinës. Shkollën fillore e kreu në Drenoc, ndërsa Fakultetin e Filologjisë – Dega e Letërsisë dhe e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës.
Mikel Gojani ka një përvojë të gjatë krijuese, është angazhuar shumë herët në veprimtari letrare dhe kulturore. Ishte kryetar shumëvjeçar i klubit të shkrimtarëve “Vorea Ujko” të Klinës. Është laureat i çmimit letrar  “Ora e Tahir Deskut”, Klinë, 2009.
Gjatë viteve 1980-2001 ka punuar mësues i gjuhës shqipe, por edhe bibliotekar në shkollën fillore “Atë Shtjefën Gjeçovi” të Zllakuqanit të Klinës. Gjatë viteve të ’90-ta ishte i angazhuar në asociacione që funksionin në atë kohë. Ishte anëtar i Kryesisë së lidhjes së arsimtarëve shqiptarë “Naim Frashëri” – Dega në Klinë dhe në Këshillin qendror të këtij asociacioni në Prishtinë. Ka dhënë një kontribut të madh në shumë veprimtari kulturore, që janë zhvilluar në komunën e Klinës dhe nëpër qendra të ndryshme shqiptare. Pjesë e veprimtarisë së tij profesionale janë edhe shkrimet dhe hulumtimet e natyrës dhe të problematikës pedagogjike, të cilat i ka botuar në revistën pedagogjike “Shkëndija” të Prishtinës.
Pas përfundimit të Luftës së UÇK-së ka kryer disa punë. Një kohë ka punuar si koordinator në bibliotekën e qytetit “Kongresi i Manastirit” të Klinës; pas luftës riaktivizoi këtë bibliotekë, e cila ishte shkatërruar nga regjimi i atëhershëm serb. Një kohë ka kryer detyrën e zyrtarit për informim publik në Kuvendin komunal të Klinës, ndërsa tash është lektor në Kuvendin e Komunës së Klinës. Ka punuar edhe gazetar në të përditshmen kombëtare “Bota sot”.
Me krijimtari letrare merret qysh herët. Poezinë e parë e ka botuar më 1968 në revistën për fëmijë “Pionieri” të Prishtinës dhe “Jehona e Dukagjinit” të Klinës. Ka bashkëpunuar me shumë revista në gjuhën shqipe në Kosovë, Shqipëri, Amerikë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Lubjanë, si “Zëri i rinisë”, “Bota e re”, Jeta e re”, “Fjala”, “Nëntori”, “Drita”, “Koha”, Alternativa”, “Republika” “Illyria”, “Dielli”, “Flaka e vëllazërimit” etj.
Me kumtesa nga fusha të ndryshme ka marrë pjesë në disa sesione e simpoziume shkencore në Kosovë dhe jashtë. Paraqitjet e tij janë pritur mirë nga publiku.

Deri tash ka botuar këto vepra:

Zëri i largët (poezi), “Rilindja”, Prishtinë, 1990
Udhëtimi pas kaluarit të vdekjes (poezi),”Fjala”, Prishtinë, 1994
Në profil kah Jugu (poezi), Prishtinë, 1996
Diell dhe reshje mbi Morenë (poezi),Prishtinë, 2005
Fund i pritur (poezi), “arsEST”, Prishtinë, 2010
Psherëtimë e diellit, Prishtinë, 2018
Shëti nëpër atdhe (poezi për fëmijë), “Pena”, Prishtinë, 1995
Kroi që rrjedh rrëzë bjeshkës (poezi për fëmijë), Prishtinë, 1996
Udha e shkronjave (poemë), “Mëngjesi”, Zllakuqan, 1997
Ai vjen me shirat e pranverës (roman), “Forumi i Krijuesve të Artit”, Prishtinë, 1996
Rrugëtim nën zë (roman), ”Zef Serembe”, Prishtinë, 2014
Tradita dhe bashkëkohësia (studime, vështrime letrare, intervista), “arsEST”, Prishtinë, 2007
Mendësi krijuese (vështrime letrare dhe intervista), Prishtinë, 2008
Bota e mendimit (shënime letrare dhe intervista), KSH “Vorea Ujko”, Klinë, 2012
Libra nga sirtari (studime, recensione, intervista dhe shkrime të tjera), “arsEST”, Prishtinë, 2015
Individualitete dhe ligjërime artistike, “Rozafa”, Prishtinë, 2016
Reflektim mesazhesh, “arsEST”, Prishtinë, 2015
Fjala e shkruar në vrojtimin e krijuesve letrarë.
Nju-Jorku, botë në miniaturë, “arsEST”, Nju-Jork, Prishtinë, 2010
Llesh Gjon Lleshaj (monografi – bashkautor), “Forumi i krijuesve të artit”, Prishtinë, 1995
Mësonjëtorja e Zllakuqanit (monografi – bashkautor), Klinë, 1997
Kolë Ndrecë Mirdita (monografi), SHB “Anton Pashku”, Prishtinë, 2003
Mësuesi në kujtesë (monografi), “Drita”, Prizren, 2009
Dedë Daka – në kujtesën historike (monografi), klubi i shkrimtarëve “Vorea Ujko”, Klinë, 2009
Anton Frrokaj – në piedestalin e përjetësisë (bashkautor), SHBG “Fishta”,  Prishtinë, 2010
Marjan Cubi – Njeri urëlidhës mes Kosovës dhe Amerikës, “Drita”, New York – Prishtinë 2010;
Emra që lanë gjurmë (monografi), Prishtinë, 2011
Prekë Brahimi – shembulli i veprimtarit dhe atdhetarit në diasporë (monografi), “Fishta”, Prishtinë, 2013
Mhill Gjuraj: Vlera e humanizmit dhe atdhetarizmës në Amerikë (monografi), “Fishta”, Prishtinë, 2013
Kolë Mirdita edhe diellit i jep dritë (monografi), “Zef Serembe”, Prishtinë, 2013
Vesel Zeka – gjurmë arti dhe edukimi, (monografi)
Mesazhe nga podiumi, “arsEST”, Prishtinë, 2015, “Konica”, Prishtinë, 2014
Fryma dhe rezistenca tereziane e humanizmit – bashkautor, “Rozafa”, Prishtinë, 2016
Marash Gojani – veprimtar dhe humanist në diasporë (bashkautorë), SHB “Shkëndija”, Prishtinë, 2017