Mevlide Begisholli – Maliqi lindi më 21 mars 1956 në Manastirc të Ferizajt. Shkollën fillore e nisi në vendlindje, ndërsa e përfundoi në Neredime. Shkollën e mesme të mjekë­sisë, drejtimi i infermierisë, e mbaroi në Prizren. Nga viti 1976 punoi në Shtëpinë e Shëndetit në Ferizaj. Në fillim të viteve ’90 të shekullit XX ishte ndër të parët punëtorë shëndetësorë që okupatori serb e largoi nga puna. Profesionin vazhdoi ta ushtronte në bazë vullnetare në ambulancën “Nëna Tereze” në Ferizaj, pothuajse për nëntë vjet. Më 1999, si shumë shqiptarë të Kosovës, qe e shtrënguar që bashkë me familjen të largohej nga Kosova dhe të strehohej në Kanada, ku jeton edhe sot.

 

Deri tash ka botuar këto vepra:

Hije të errëta”, poezi, Shkëndija, Prishtinë, 2012.

Jetë në ankth”, tregime, Shkëndija, Prishtinë, 2015.

Përtej detit”, poezi, Shkëndija, Prishtinë, 2016.

Liria nuk vjen ndryshe“, roman, Shkrola Print, Prishtinë, 2018.

Një udhëtim i pazakontë”, roman për fëmijë e të rinj, Shkrola Print, Prishtinë, 2019.

 

MALL FËMIJËRIE

Kur mbrëmja binte në fëmijëri
Mijëra gjinkalla orkestronin
Në natyrën e bukur plot qetësi
Këngët e tyre gjithandej jehonin

Kur dielli ditën piqte pa mëshirë
Ndërsa mbrëmja sillte puhinë
Të bije në gjumë nuk kishe dëshirë
Prore doje të dëgjoje simfoninë

Kur dridheshin gjethet në degë
Bari i gjelbër pehatej në qetësi
Mollët lalçe të ëmbla si shegë
Dallgëzohej gruri në ara pa kufi

Kur nanurisnin shpendët në kaltri
Kur lodhje e trupit fashitej ngadalë
Kur gjithçka qetohej siç natyra di
Lumin s’e shqetësonte asnjë suvalë

Sa e qetë jam në shpirt dhe pa brenga rri
Kur kridhem thellë në të shkuara kujtime
Në mua vërshon gjithandej një kënaqësi
Që më mrekullon dhe më kthen thërrime

Edhe njëqind vjet po të jetoj
Sërish në fund të jetës do të arrija
Këto dëshira që pareshtur i kujtoj
T’i jetësoj besoj do të dija

Të gjitha në jetë do t’i kisha dhënë
Vetëm për këto kënaqësi
Që më ikën e nuk di ku vanë
S’i gjej dot si në fëmijëri