Mërgim Osmani

Mërgim Osmani lindi më 1971 në Randobravë të Prizrenit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen, dega e shkencave natyrore, në gjimnazin ”Gjon Buzuku” të Prizrenit. Nga përndjekja që u bëhej në ato vite studentëve dhe intelektualëve shqiptarë, i është dashur t’i ndërpresë studimet në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Filozofik, Dega e Historisë. Kështu, shumë studentë e intelektualë i arrestonin dhe i burgosnin, kinse për veprimtari armiqësore, ndaj edhe ai, si shumë të tjerë, u detyrua të largohej nga Kosova dhe kështu u vendos në Vjenë. Atje vazhdon studimet në fushën e shkencave politike, por për shkaqe familjare detyrohet t’i ndërpresë.
Gjithnjë ishte aktiv në lëvizjet, shoqatat dhe klubet që merreshin me çështjen kombëtare, e sidomos ndihej mirë në shoqatat kulturore të Austrisë. Është bashkëpunëtor dhe anëtar i zellshëm i lidhjes së shkrimtarëve dhe të artistëve e të krijuesve shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri.
Në vitin 2014 është nderuar me çmimin “PEN Albania” për Diasporë” në Tiranë. Po ashtu ka fituar edhe Çmimin e tretë në konkursin letrar, me tregimin “Sykaltra”, të organizuar nga LSHKSHA “Aleksandër Moisiu”.
Prej vitit 2016 është edhe anëtar i “Pen Klubit Austria” dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve të Austrisë.
Poezitë e tij janë përkthyer edhe në gjermanisht.

Deri tash ka botuar këto vepra:

Do t’i mbledh”, poezi, 2013
Me sytë kah qielli”, poezi, 2013
Shpirt i trazuar”, poezi, 2015
Misteri në sy”, poezi, 2016
Sykaltra”, tregime; “Die Blauäugige“ edhe në gjuhën gjermane, 2016
Poesie des Herzens” – “Poezi e zemrës”, 2018