Prof. dr. Lutfi Dervishi

 Prof. dr. Lutfi Dervishi ka lindur në Gradicë të Drenicës, më 6.04.1955. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe Dobroshevc, kurse gjimnazin në Drenas. Fakultetin e mjekësisë e mbaroi në Prishtinë më 1978, ndërsa specializimin në urologji në klinikën urologjike “Dr. M. Stojanoviç”, si dhe studimet pasdiplomike në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Zagrebit më 1985. Titullin doktor i shkencave të mjekësisë e ka marrë në universitetin “Ludvig-Maksimilians” në Munih të Gjermanisë më 1990.
Prej vitit 1986 deri më 1990 ka punuar si urolog në klinikën universitare “Grosshadern” të Munihut.
Pas diplomimit në Fakultetin e Mjekësisë një vit ka punuar si mjek në Skënderaj, pastaj prej vitin 1981 është punësuar në Klinikën Kirurgjike, Reparti i Urologjisë në QKUK, Prishtinë, deri në gjysmën e vitin 1990, ku së bashku me shumë kolegë të tjerë pushteti i atëhershëm serb i largoi nga puna.
Më 1993 është zgjedhur asistent i lëndës kirurgji në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, kurse më vitin 1997 docent i lëndës së kirurgjisë.
Gjatë luftës (1998-1999) në Kosovë ka udhëhequr formimin e shërbimeve kirurgjike dhe shërbimin kirurgjik nëpër disa qendra në Kosovë së bashku me dr. Shpëtim Robajn, duke mundësuar shërimin e shumë luftëtarëve të lirisë.
Në vitin 2001 emërohet kryetar i Shoqatës së Urologëve të Kosovës dhe ishte njëri prej themeluesve të saj. Në krye të kësaj shoqate ndodhej deri në vitin 2017.
Nga viti 2002 emërohet anëtar i Shoqatës së Urologëve të Evropës, njëkohësisht në këtë vit Shoqata e Urologëve të Kosovës në Birgmingam të Anglisë bëhet anëtare e Shoqatës së Urologëve të Evropës, ndërsa prof. dr. Lutfi Dervishi zgjidhet anëtar i bordit të shoqatave nacionale të Evropës, ku bordi ushtron veprimtarinë nën patronazhin e Shoqatës së Urologëve të Evropës.
Në shtator 2002 pranohet anëtar i Shoqatës së Urologëve Gjermanë dhe njëkohësisht zgjidhet anëtar i komisionit “OST-West” në kuadër të Shoqatës së Urologëve Gjermanë.
Prof. dr. Lutfi Dervishi ishte anëtar i bordit të Shoqatës së Urologëve Evropianë për shumë vite dhe anëtar i komisionit recensues të punimeve shkencore të kongreseve të EAU-së.
Ishte anëtar i kryesisë së Shoqatës Evroaziatike të Andrologëve.
Ka ndjekur shumë kongrese, simpoziume dhe tubime shkencore në vend dhe jashtë, si dhe shumë kurse me rëndësi shkencore siç janë ato në SHBA dhe në qendra me rëndësi në Evropë.
Në veprimtarinë profesionale ka dhënë ndihmesë të veçantë në udhëheqjen e studimeve pasdiplomike në Fakultetin e Mjekësisë të UP-së, duke përfshirë dhe punën e udhëheqjen e studentëve dhe specializantëve në fushën e tij.

Ka botuar disa libra të fushës së mjekësisë dhe një varg punimesh shkencore si autor e bashkautor:              

Urologjia, botim universitar, Prishtinë, 2002.
Disfunksioni erektil, Prishtinë, 1994.
Urolitiaza, botim universitar, Prishtinë, 2004.
Kirurgjia abdominale urgjente, I, bashkautor, Prishtinë, 1998.
Indukimi hipertermik i pengesave mikrocirkulare në rotelin e minjve, disertacion, Munih, 1990 etj.

Është i gjatë numri i punimeve shkencore.

Vjershën e parë e ka botuar në “Rilindjen për fëmijë” në maj 1966, kurse ka botuar edhe shumë vjersha të tjera në revistat “Pionieri” “Flaka e vëllazërimit”, “Shëndeti”, “Zëri i rinisë” etj.

Ka botuar këto vepra letrare:

Violina e humbur, roman, LSHK, Prishtinë, 2019.
Nëpër grila, poezi, LSHK, Prishtinë, 2020.
Në frontin e lirisë (me UÇK-në), LSHK, Prishtinë, 2020.

VIOLINA E HUMBUR

  • Doni arriti në Klinikën Gjinekologjike të Qendrës Klinike Universitare të Vjenës në orën njëmbëdhjetë, pasi kishte përgatitur çdo gjë të nevojshme për të fluturuar me avionin për bartjen e të sëmurëve të rëndë. Ekipi mjekësor, barnat dhe aparaturat e nevojshme tashmë ishin gati. Ata kishin kontaktuar edhe me Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës, të cilët ishin pajtuar që pacientin ta sillnin në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës. Avioni ishte gati dhe priste ekipin gjinekologjik, zonjën Emi dhe të tjerët.
  • Don? – Ai u kthye kur dëgjoi zërin e zonjës Emi. Ata tanimë së bashku me mjekun dhe një mami ishin vendosur në një xhip “Mercedes”, i ri flakë. Nga makina zbriti vetëm Rina, e cila iu bashkua Donit në makinën e tij.
  • Çdo gjë është gati, Emi. Në aeroport po na pret avioni. – Ai fliste nga dritarja e hapur e makinës së tij. Ajo e pa dhe i buzëqeshi.
  • Të nisemi atëherë, faleminderit!
  • Ajo tundi kokën me trishtim. Nën sytë e saj ishin krijuar gropa të thella. Ajo e kishte harruar operacionin e quajtur cezarian, jo më shumë se njëzet e katër orë që kishte dalë nga salla. Djalin e kishte pranë në karrocën për bebe, ndërsa Rona qëndronte në krahun e djathtë të saj. Ajo kishte ende veshur xhinse të bardha, poluver të kuq dhe këpucë të rrafshëta. Pranë mjekut që ngiste makinën ishte ulur mamia, të cilët kujdeseshin për zonjën Emi dhe beben e saj.
  • Si ndiheni, zonja Emi? – Mjeku e pa në retrovizor teksa ngiste makinën.
  • S’ka asnjë ndryshim, doktor, jam mirë. – Sytë e Emit kërkonin ata të mamisë, e cila ishte kthyer nga ajo.
  • Bebja e ka kohën për të pirë, zonja Emi, – ajo i buzëqeshi, – për njëzet minuta jemi në avion, ky avion ka tre shtretër dhe aty do të jeni rehat.
  • Në rregull. – Tashmë nuk kishte më rëndësi. Ndoshta njëzet minuta nuk do të ishin shumë të qëndronte në këtë pozitë, e cila nuk ishte shumë e përshtatshme për të. Por ajo e kishte sjellë më vete gjithë ekipin e duhur dhe gjërat që i nevojiteshin asaj në çdo kohë. Kishin kaluar dhjetë minuta udhëtim, ndërsa ajo sillej sikur nuk ishte bërë fare operacion. Ndoshta nga meraku për Jonin kishte harruar fare veten e saj. Doni me Rinën vinin nga pas, të shqetësuar dhe tepër të brengosur për të gjitha që kishin ndodhur aq shpejt sa nuk arrinin të këndelleshin nga gjithë këto ngjarje. Tashmë zonja Emi dhe djali ishin mirë, por brenga shtohej për gjendjen e Jonit. Rina u kthye nga Doni:
  • Shpirt? Shumë e çuditshme, në orën njëmbëdhjetë në Prishtinë, në trotuar, Joni përplaset nga një pemë e shkulur prej furtunës dhe shiut të fuqishëm! – Ajo mori frymë thellë. – Dhe po në orën njëmbëdhjetë në shtëpi në Vjenë, zonja Emi ka dhembje të lindjes; dhe fëmija i mbështjellë rreth qafe me kordon umbilikal rrezikon të ngulfatet duke u detyruar që urgjentisht të futet zonja Emi në sallën e operacionit. – Psherëtiu thellë. – Shumë çudi!
  • Ekzistojnë rastësitë në jetë, zemër. Kjo mund të jetë njëra ndër to, megjithatë, mendoj që rastësitë e tilla duhet të jenë shumë të rralla. Ajo këmbënguli.
  • Megjithatë, kjo flet shumë. Thuhet që shpirtrat e tyre duhet të jenë bërë për njëri-tjetrin.
  • Në këtë moment kjo nuk ka rëndësi, zemër. Shpresoj që Joni t’ia hedhë. Kjo është ajo që unë e dua në këtë çast të vështirë për ne të gjithë.
  • Ata vazhduan duke biseduar, biseda koti, ndërsa aeroporti tashmë ishte para tyre. Xhipi i zi u ndal nga policia, të cilët kishin qenë duke i pritur, nën përcjelljen e tyre, në një rrugë tërësisht të veçantë, dy makinat u përcollën deri te avioni special për ta, i cili tanimë ishte bërë gati për të fluturuar.
  • Pas dy orë fluturimi, avioni u gjend në hapësirën ajrore mbi Prishtinë. Koha ishte e kthjellët, e bukur, prej nga Donit dhe Rinës iu mundësua të vështronin nga lart qytetin e tyre të lindjes, qytetin në të cilin ishin rritur dhe pjekur si njerëz, qytetin me të cilin ndanin shumë kujtime të bukura, por edhe të dhembshme. Ishte hera e parë që fluturonin me një avion special dhe shumë të avancuar.
  • Avioni aterroi ngadalë në një pistë posaçërisht për avion të tillë në aeroportin “Adem Jashari”. Ata nuk u lejuan të dilnin nga avioni; bëheshin përgatitjet për pranimin e Jonit në këtë avion. Ekipi mjekësor i ardhur nga Vjena posaçërisht për Jonin tashmë ishte duke biseduar me kolegët e tyre në Prishtinë.
  • Posaçërisht në përcjellje së bashku me ekipin profesional mjekësor kishte ardhur vetë Rita Nika, infermierja që kishte bërë të pamundurën për të ndihmuar Jon Drenin. Ajo ishte në ballë të ekipit mjekësor drejt derës së hapur të avionit. Joni qëndronte atje i palëvizshëm, i fashuar dhe i lidhur nëpër makineri. Zonja Emi ndjeu një shok fizik kur e pa. Rona ishte e përhumbur fare, shikonte e shtangur, thuajse nuk merrte frymë fare. Sytë e saj blu ndjenin tmerrin e paparë ndonjëherë nga ajo. Lotët i rridhnin si lumë faqeve të njoma të saj. Ishte një numër mjekësh dhe infermierësh që merreshin me Jonin. Ata ngjanin në një simfoni të shkëlqyer.
  • Në kthinën e posaçme për reanimimin e të sëmurëve, përveç personelit mjekësor, për momentin nuk lejohej prania e të tjerëve. Rona eci ngadalë, u ul në karrigen bosh në krah të Emit dhe ajo ia fërkoi butë flokët bionde, ndërsa Rona, e shikonte e shqetësuar.
  • Rita Nika doli nga kthina e reanimacionit në drejtim të zonjës Emi. Ajo kërkoi sytë e saj tani që e mori vesh që e kishte një grua me të cilën kishte pasur kontakte ai. Ajo u ndie rehat. Nuk ishte e drejtë që një burrë si Joni të ishte i vetmuar.
  • Ju jeni zonja Emi? – Filluan të flisnin në gjuhën angleze. – Unë jam Rita Nika, kryeinfermierja e Klinikës së Reanimacionit në QKUK. – Zonja Emi u ngrit në këmbë duke e vështruar për një kohë të gjatë, ndërsa vriste mendjen përsëri për Jonin. Rita qëndronte ulur duke e parë fytyrën e saj dhe më në fund zonja Emi e shikoi prajshëm.
  • Unë jam. – Zëri i saj ishte i butë dhe i matur. Ajo tundi kokën si për të thënë që sa shumë është përpjekur të gjente ndonjë të afërm të Jonit. Por u përmbajt. Ajo nuk u largua nga Emi për asnjë çast dhe ia kishte ngacmuar sytë asaj. “Paska shije për femra”, foli më vete teksa ndiente një lloj xhelozie.
  • Më vjen mirë që ju takoj, jemi përpjekur shumë ta ndihmojmë zotëri Drenin. Emi e dëgjonte me kureshtje të shtuar. – Tani gjendja e tij është stabile. – Sytë e zonjës Emi pothuaj u zmadhuan edhe më shumë.
  • Mos më thuaj që ka qenë edhe më rëndë? – Rita u ngrit në këmbë për t’i thënë mirupafshim dhe i hodhi Emit një vështrim të fundit. Asaj iu duk më shumë e zbehtë, por ishte shumë e bukur. Rrathët nën sy ishin edhe më të zinj se më parë.
  • Tani është më mirë, ke një burrë të mrekullueshëm. Ke kujdes për të, zonja Emi. – Ajo shkoi në kthinën ku ishte i vendosur Joni. E puthi në ballë dhe sytë iu rrëmbushën me lot. U përshëndet më të gjithë dhe lëshoi avionin për t’u kthyer në QKUK.
  • Rita shkoi në Klinikën e Reanimacionit me mendimin se do ta gjente Jonin përsëri atje. Ajo shpresonte. Mendoi tërë ditën dhe filloi të rikujtonte gjithçka rreth tij. Kur mori turnin atë natë, në orën njëzet, atë mbrëmje pati ndjenjën sikur ai ishte i shtrirë aty, në të njëjtin shtrat dhe ngado që sillej, kthente kokën nga shtrati ku kishte qenë Joni. Infermierja tjetër e vërejti këtë dukuri tek ajo dhe i tha se ai ishte transferuar me avion në Vjenë. Rita i pohoi me kokë, ajo e dinte këtë, por donte ta kishte pranë, jo të lënduar, por të shëndoshë. Ajo e dashuronte atë, por nuk kishte guxim ta pranonte. Ai tashmë kishte zgjedhur fatin e vet. Rita eci në heshtje përgjatë korridorit derisa arriti te dera e zyrës së saj. Ajo mezi mbahej derisa hyri brenda, pastaj mbylli derën dhe filloi të qante duke dënesur.
  • Hana trokiti në derën e zyrës së saj, vuri re duke parë fytyrën me sy që pothuaj lutej të mos e linte vetëm. Nuk dukej që e sotmja ishte dita më e mirë për të.
  • Doni një kafe, zonjusha Rita? – Me sa dukej ajo s’kishte ngrënë tërë ditën. Kishte pirë vetëm një kafe.
  • Faleminderit Hana! – Ajo i buzëqeshi me fytyrën nga dera, por sytë i kishte të fortë dhe të gjallë, ndërsa buzëqeshjen të ëmbël. – Joni shkoi, më duket se është ca më mirë. – Nuk arrinte dot ta largonte nga mendja. Ajo kishte qëndruar në aeroport derisa avioni kishte fluturuar dhe ishte zhdukur në qiellin e pafund. Ndërsa Hana Kodra e vështronte. Ajo eci ngadalë drejt saj. – E di që është për t’u çuditur. Nganjëherë mendoj që njerëzit si ju mund t’i ndryshojnë gjërat. Keni bërë jashtëzakonisht shumë për të.
  • Kam pasur për kë të mundohem. – Ato këmbyen një buzëqeshje dhe filluan të pinin kafe. Pas pak u ngritën dhe filluan punët e përditshme në Klinikën e Reanimacionit.
  • Kur dielli po zbriste poshtë në qiellin e Vjenës, Joni më në fund lëvizi. Emi qëndronte pranë tij e ulur në karrige, tepër e brengosur dhe duke e vëzhguar. Ajo nuk ishte e sigurt se çfarë lloj shenje ishte, por hapi sytë dhe pa përreth kthinës së avionit. Ai dukej i hutuar kur e pa dhe pastaj u përhumb përsëri, por vetëm për pak. Për një çast ajo pati frikë se mos ishte habitur edhe vetë, se mos ndoshta ishte ëndërr, por ai i hapi sytë prapë, tani për një kohë më të gjatë.
  • Emi? – Zëri i tij tingëlloi më shumë si një pëshpërimë. Mjeku u ngre në këmbë dhe me një buzëqeshje të ëmbël e ledhatoi… (fragment)