Izet Abdyli

IZET ABDYLI

Lindi më 26.02.1961, në Dritan të Drenasit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Gllogoc, fakulteti juridik në Prishtinë, ndërsa studimet pasuniversitare në  Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku mori titullin master i arkivistikës. Është fitues i dhjetëra shpërblimeve në konkurse letrare. Është prezantuar në shumë antologji të poezisë. Shkruan poezi, prozë dhe shkrime publicistike. Nga viti 2014 është kryetar i asociacionit të letrarëve dhe të artistëve të artklubit “Rifat Kukaj”, Drenas.

Ka botuar këto vepra letrare dhe publicistike:

Fjalë Zemre”, poezi, botues – autori, 1995
Prelud poetik” poezi, botues “Pena”, 1997
 “Kur vjeshta shkund pikëllimin”, poezi, “Rozafa”, 2005
“Ne mes jetës dhe vdekjes – Fletëza ditari lufte”, publicistikë, “Rozafa”, 2008
Zogu i dritës”, poezi për fëmijë, “BeqirMusliu”, 2012
Ata që panë vdekjen me sy“, publicistikë, “Olymp”, 2014
Farfuri dashurie” poezi, “Olymp”, 2015
Magjia e artit dhe fjalës”, vështrime dhe recensione, “Rifat Kukaj”, Drenas, 2016
Lirinë dikush po e vret”, poezi, “Rifat Kukaj”, 2017
Gri” poezi, Botues “Art Club “Rifat Kukaj”, 2018
Fundi i perandorëve”, poezi, “Rifat Kukaj”, 2018
Biblioteka, arkivi dhe trashëgimia kulturore”, “Rifat Kukaj”, 2019
Siari”, poezi për fëmijë, “Rifat Kukaj”, 2020
Rituale të paturpshme”, poezi,  “Rifat Kukaj”, 2021
“Shprush kujtimet”, poezi, “Rifat Kukaj”, 2021
“Leksiokoni i shkrimtarëve të Drenicës”, “Rifat Kukaj”, 2022
“Udhëpërshkrime, rrëfime, tregime”, “Rifat Kukaj”, Drenas, 2022

ME TRASTËN E KUJTIMEVE

Me trastën e kujtimeve stinëve kam ngarendur
E në copa shpirtrash dhimbjen kam pjesëtuar
Në supe kam ngarkuar peshën e atyre që nuk janë
E zemra sa nuk ka pëlcitur nga acari kallkan

Me trastën e kujtimeve stinëve kam ngarendur
Luginave shpateve e krojeve që rridhnin gjak
Atje ku ende ndiheshin gjëmat rënkimet e të plagosurve
E në majëmali një shqiponjë drejt qiellit valonte në bajrak

Me trastën e kujtimeve stinëve kam ngarendur
Gjurmëve të atyre që u bënë rreze lirie
Të atyre që në degëlisash u mbetën ëndrrat e v(arura)rara
Të atyre që u kthyen në yje përjetësie

Me trastën e kujtimeve stinëve kam ngarendur
E më janë përzier vaje zëra kushtrimi e këngë
Si feniks prej hiri të rënët janë ringjallur
Në gurë muranash kanë zënë vend

7-9 dhjetor 2023