Isuf Sahitaj lindi në fshatin Korroticë e Poshtme të Drenasit më 14.04.1947. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse shkollën normale në Mitrovicë. Më 1974-1975 regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prizrenit – Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe, të cilën e kryen më 1977. Po këtë vit fillon punën në shkollën fillore të Korroticës së Poshtme si arsimtar i gjuhës dhe i letërsisë shqipe. Ishte drejtor i shkollës fillore “Arif Shala” të Korroticës së Poshtme.
Vargjet e para për fëmijë i shkroi si nxënës i klasës së pestë, udhëhequr nga arsimtarët e gjuhës dhe të letërsisë shqipe Mehmet Shala e Halil Bogaj.
Poezitë për fëmijë i boton në “Gazetën e pionierëve”, në “Pioneri” etj.

 Deri tash ka botuar këto vepra:

Jehonë kohërash (Poemë për njerëzit e mi) poezi, “Meshari”, Prishtinë, 2014.

Krijimtari gojore në vargje, poezi, “Meshari”, Prishtinë, 2015.

Mençuria e popullit tonë në vargje, poezi, “Meshari”, Prishtinë 2015.

Mençuria e popullit tonë në vargje (pjesa e dytë), poezi, “Meshari”, Prishtinë 2017.

Fjalë të urta shqipe me kuptim figurativ, poezi, “Meshari”, Prishtinë 2017.

Gjuhë dhe vesh kam gishtin tregues, poezi, “Meshari”, Prishtinë, 2018.

Gjuhë dhe vesh kam gishtin tregues (pjesa e dytë), poezi, “Meshari”, Prishtinë 2018.

Oj loke bukë me sheqer, poezi, “Meshari”, Prishtinë 2018.

RUDINËS

 Rudinë rrëzë Kosmaçit heroik
Je, në mesin e tokës Arbërore,
“Guri tre” istikame e qëndresë
Flakadan për fitore.

Gani H. Elshani me vrull ushtoi,
Të gjithë liridashësit
Të thirren për rreshtim
Ja sot, ja kur, për ngadhënjim?!

Shkëmbinjtë e Rudinës
Ishin të patundur,
Trimat e Drenicës
Qëndruan të pamundur.

Gani H. Elshani
Botërisht pat kërkuar
Të rënët për liri,
N’Rudinë të bashkuar.

Amaneti është shkruar në letër,
Amaneti është bërë vepër.
Rrezet e diellit
Dalin si shkëndi
Të rënët forcohen
Me një shkëlqesi,
Flamurtarët kujtohen,
Urohen dhe përgëzohen
Lavdi, lavdi, lavdi…

Shkëmbinjtë e Rudinës
Fortesë e patundur,
Trimat e Arbrit
Mbetën të pamundur.

Rudina vendpushim
I eshtrave të lirisë,
Ishe dhe mbete përjetë
Përmendore e ardhmërisë…

Amaneti i shkruar në letër,
Amaneti i shndërruar në vepër…